SHPËRNDAJE

U themi miqvet grekë që, kombi shqiptar, i cili paskëtaj do përfundojë komb më vete, nuk do t’i lerë kurrë grekët t’a trashëgojnë Janinën”

Nga Sotir Gjika, Trieste, 16 – 4 – 1913

Shtypi grek, qëkur se ra Janina e tëhu është dehur nga gazi dhe s’ka ditore greke që të mos mefshtetet me shtetin e ri shqiptar, i cili është duke u formuar. Ditorja e kombmohonjësit kuco-vllah “Patris“ në një artikull të saj me titullin me “shpatët” thotë :

“Për ndjenjën greke s’lypset më të bëhet fjalë për kuptimin politik që ka zaptimi i Janinës. Llauzi grek e njeh luftën gjigante të Bizanit, njeh heroizmin e luftëtarëve, njeh se sa vuajtën për 4 muaj kohë heronjtë e Epirit dhe habitja e mirënjohja u shfaqën sakaq, siç ka hije…..Për ne grekët kapërxen kuptimi politik i punës sonë të madhe. S’pret më Greqia të kërkojë vijën e Epirit, të cilën diskuton që prej vjetësh, nuk na lypset vendimi i Traktatit të Bedilinit, s’kemi nevojë përdoriniesh dhe përkrahjesh.

Kufiret epirotase nga ana e veriut të Janinës, s’mundet më t’i shënojë diplomacia me ashtu dua. Kudo q’u derdh gjak grek, do të mbijë lulja e lirisë, kjo shpatë zgjidhi kufijtë dhe ushtria e Greqîsë, ajo vetë sot po pushton ç’mundej të na jepej si dhuratë, dhe çfarëdo gjë e grektë që bisedohej të jepej ndër ata, të cilët ndodhen ja nga fuqí ndihme, therorësie ose shërbimi në qytetërim, po në mënyrë të rreme dhe nga interesa të tretësh, duke u përfunduar jo si komb me privilegje të vetat, po të doçta të përziera prej shumë interesash. (këtu greku i paqënët flet për protektorët e Shqipërisë). Do të ishte m’e madhja përligjie (adhiqia) dhe faji më i tmerrshëm t’i jepej Shqipërisë tokë greke jashtë çdo bisedimi? Pjesë e Epirit, etnologjia e të cilit ligjëron të drejtën e aneksimit në Greqì. Kufiret epirotase të Greqisë së re do të pushtojnë çdo gjë që  meritojmë, çdo gjë që fituam (kaptuam) me anë të shpatës. Diplomacia s’ka fuqinë të vërë uljen ndër ata, të cilët ngritën përpara Janinës pothuajse më të madhen ngjarje të luftës Ballkanike.”

Shënim: Në e zaptuan grekët Janinën, kjo s’mundet t’u japë ndonjë famë luftëtare, po të marrim parasysh gjëndjen e tmerrshme të ushtrivet që mbronin Janinën. Përpara Bizanit historik, më tepër se 25 mijë grekë kafshuan dhenë, po dhe tanì që Grekët hynë në Janinë, s’hynë duke luftuar, po hynë nga shkaku që ushtria e Esad Pashës s’kishte ç’të hante dhe s’kishte mjekë e sëmurëtore për të vrarët e të plagosurìt. Prandaj le të mos lëvdohen aq shumë grekët për pushtimin e Janinës, rrugën e së cilës ua hapi vetë Esad Pasha nga shkaqet që numuruam më sipër.

Sa për Janinën që thonë se e zaptuan përjetë, gabohen shumë, se kryeqyteti i vjetër i Toskërisë do jetë për tâ kurdoherë një kafshatë mbytëse.  Kombi shqiptar, pas katër kryengritjesh të tmerrshme me Turqinë, dhe kur kjo e fundit u dërmua, iku dhe e la si gunën e vjetër, i padëshpëruar dhe me atë trimëri të jashtzakonshme luftoi kundra 3 mbretërive të organizuara. Janinën  e paguan Grekët aq shtrenjtë se atje luftonte krahu i paepur i ushtarit shqiptar dhe Esad Pasha, të cilin e nderoi aqë shumë diadoku, është shqiptar nga Kardhiqi. Një tjetër shëmbull i trimërisë së Shqipërisë është Shkodra, të cilën Maleziasit me sërbët s’mundën t’a rrëzojnë. Prandaj u themi miqvet grekë që, kombi shqiptar, i cili paskëtaj do përfundojë komb më vete, nuk do t’i lerë kurrë grekët t’a trashëgojnë Janinën.

Në merret sot për sot nëpër këmbë kombi shqiptar dhe fiken me ashpërsí të drejtat e tij, kjo përligjie i detyrohet politikës së Evropës dhe vakësisë saj. Kombi shqiptar është lënë sot për sot në mëshirën e Botës së qytetëruar, dhe nëse sot lakmimi i poshtër ligjëron të fiken të drejtat e tij historike, ai vetë nesër pas nesër do t’i marrë me atë mënyrë nga rrëmbenjësit e poshtër e të paligjshëm.

Gazeta “Atdheu”, 14 maj 1913delegacioni-shqiptar-i-shpalljes-se-pavaresise-1024x760

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here