SHPËRNDAJE

Dr. Skënder GASHI – Vjenë (Austri)
Mbështetur mbi faktorin kohë, historia e Ballkanit dhe e popujve autoktonë të tij: dardanëve, grekëve, ilirëve, thrakasve dhe të etnive të tjera më të vogla të kohës së para invadimit të sllavëve në këtë hapësirë, nuk mund të jenë objekt trajtimi i sllavistikës sepse, siç e kishte thënë njëherë dijetari kosovar I. Ajeti në një simpozium të mbajtur në Beograd, nuk është punë e sllavistikës – dijes filologjike mbi sllavët e mbi degëzimet e gjuhëve sllave – të nxjerr përfundime se në ç’territore jetuan dhe u individualizuan gjuhët indoeuropiane të atyre popujve para se në këtë hapësirë të vinin sllavët.

Në dritën e rrethanës se e vetmja dyndje për të cilën ka shënime të bollshme historike është ajo e sllavëve, kjo ka të bëjë në rend të parë edhe me vendin e formimit të gjuhës e të etnisë shqiptare e të asaj rumune në Ballkan. Kudo që të jenë formuar, këto dy etni e gjuhë ato janë etni e gjuhë parasllave. Në relacion me sllavët ardhës, të cilët u krishterizuan afër rreth dhjetë shekuj pas pararendësve të shqiptarëve e të rumunëve, mbtet çështje që s’u hy n’udhë sllavëve t’ua përkufizojnë hapësirën etnolinguistike popujve që i gjetën, kur erdhën në hapësirën e Ballkanit parasllav.

Për gjendjen e gjetur nga sllavët dhe pasojat që i solli ardhja e tyre në gadishullin e Ballkanit shkroi edhe dijetari i merituar serb I. Popović.[ khs. punimin e tij : Bemerkungen über die vorslavischen Ortsnamen in Serbien, në Zeitschrift für slavische Philologie Bd. XXVIII, Heidelberg 1960.] Sllavët, sipas këtij studiuesi, paskan ardhur në Ballkan „padyshim” në shek. VI dhe që atëherë qenkan bërë popullatë ndenjëtare.

Kjo po u dëshmuaka edhe me kontinuitetin sllav të shumë emrave të vendeve, midis të cilave po biekan edhe Lipljan nga Ulpiana; Skopje nga Scupi. (SG: tjetërkund ky ka thënë se te Scupi ka kontinuitet shqiptar dhe se trata sllave Lipljan është një formim mbi baza të etimologjisë popullore serbe [SG: i pas shek. 12 ?) që u lind si rezultat i barazimit të atij emri, për sllavët, të panjohur kuptimisht, me emrin lipa bot. Tilia „bli,- ri”] ) dhe Cibrica në Bullgari nga Κέβρος e Ogosta nga A(u)gusta në Bullgari.[ I. Popović: Die Einwanderung der Slaven in das Oströmische Reich im Lichte der Sprachforschung, Zeitschrift für Slawistik, Bd. III, 1958, fq. 706.] Në relacion me Dardaninë antike, përkatësisht me Kosovën e sotme, kjo paska ndodhur sepse „Serbët e pushtuan pothuaj gjithë Serbinë qysh me rastin e invadimit më të hershëm drejt jugut të Ballkant; që kjo hapësirë nuk u takoi shteteve të para feudale të serbëve, nuk e ndryshon aspak këtë fakt sepse, siç u tregua, toponimet janë dëshmi e mjaftueshme për këtë” – thoshte

Harta Nr. 1.: Dialektet kryesore sllave të jugut. Drejtimet kryesore të depërtimeve të sllavëve, të cilat përputhen me gjeografinë e sotme dialektore [Hartë e huazuar nga punimi i Ivan Popović: Die Einwanderung der Slaven in das Oströmische Reich im Lichte der Sprachforschung, në Zeitschrift für Slawistik, Bd. III, 1958, fq. 707.]

I. Popović .[Bemerkungen …, fq. 114 : „1. Die Serben besetzten fast ganz Serbien schon bei dem frühesten südl. Einfall auf dem Balkan; dass dieses Gebiet den ersten serbischen Feudalstaaten nicht angehörte, kann an dieser Tatsache nichts ändern, da, wie gezeigt, Ortsnamen bewiesend genug sind.]

Autori ynë konstatonte në vazhdim se „edhe në Serbi u zhvillua, sado që më dobët se në Maqedoni, në Bullgarinë perëndimre e në Dalmaci, simbioza midis romanëve autoktonë dhe barbarëve (SG. ilirëve e thraksve) të romanizuar dhe sllavëve ardhacakë, kështu që as në këtë vend nuk u ndërpre kontiniteti midis lashtësisë romake dhe mesjetës sllave”.[ khs. cit. origj. „2. Auch in Serbien entwickelte sich, wenn auch schwächer als in Mazedonien, Westbulgarien und Dalmatien, die Symbiose zwischen den altangesessenen Romanen und romanisierten Barbaren und den slavischen Einwanderern, so dass auch in diesem Land die Kontinuität zwischen dem römischen Altertum und dem slavischen Mittelalter nicht unterbrochen sein kann.“ Ivan Popović: Bemerkungen … fq. 114.]

Po këtë mendim autori ynë e elaboronte edhe në një punim tjetër të tijin. Këtu ky konstatonte se: „Mund të merret se që në shek. 6 i gjithë Ballkani, me fare pak përjashtime ishte bërë vend i sllavëve dhe se rrjeti i vendbanimeve sllave ishte i dendur pothuaj gjithandej kah, jo vetëm në Jugosllavi e në Bullgari, të cilat edhe mbetën vende të sllavëve, porse gjithashtu edhe në Greqi e në Shqipëri, në të cilat pas sllavizimit ndodhi desllavizimi”.[ Es ist also damit zu rechnen, dass bereits im VI Jh. Der gesamte Balkan, mit ziemlich geringen Ausnahmen, zu einem slavischen Land geworden ist, und dass das Netz der slavischen Siedlungen fast überall dicht war, nicht nur in Jugoslavien und Bulgarien, die eindeutig slavisch gebieben sind, sondern auch in Griechenland und Albanien, wo es nach der frühen Slavisierung zur Entslavisierung gekommen ist“ Nga: I. Popović: Die Einwanderung …, fq. 709]

Kjo tezë e autorit tonë lidhet me mendimin e përhapur dhe të pësëdytur deri në ditë tonat, kinse në hapësirën etnolinguistike të shqipes paska pasur një rishqiptarizim, një desllavizim të nomenklaturës topike, gjë që nuk i përgjigjet realitetit. Desllavizimi apo rishqiptarizimi i toponimisë së hapësirës etnolinguistike shqiptare nuk ka ndodhur kurrnjëherë (nëse lehet anash një dekret që nuk u realizua i mbretit Zog dhe tentimi më shumë se naiv i njëfarë Komisioni të „Standardizimit” të toponimisë së Kosovës që doli pas Luftës për Kosovën, 1999). Të gjithë ata që kanë menduar e vazhdojnë të mendojnë gabimisht se paska pasur (ri)shqiptarizim të toponimisë nisen nga fakti se një punë të këtillë, në formë të organizuar, shtetërore, me akademinë greke të shkencave në krye, e kanë bërë grekët.

Kështu, psh. I. Popović konstatonte se procesi i rigreqizimit që më së pari paska filluar në Peloponez, „Në vetë Heladën, ku shtresa sllave u mbulua përsëri nga gjuha greke, nuk mund të ndiqet më fati i toponimeve parasllave; përkundër kësaj, dalin edhe sot në gojën e greqishtfolësve trajta shumë të vjetra toponimesh sllave të cilat, sikundër u tha, do të jenë lindur poashtu në kohën e ngulimeve më të herëshme të sllavëve, prandaj në to ruhen trajta më të vjetra se gjuha e shkruar, letrare e Cyrillit dhe e Methodit. [I. Popović: Die Einwanderung …, fq. 706.] Çështje „shumë më e vështirë është ajo nëse edhe në Jugoslavi, përkatësisht në Ballkanin Perëndimor sllavët, me rastin e ardhjes së tyre, gjetën këndej përkrah romakëve edhe ilirë. ” – thotë autori ynë.

Sado që ky, njëherë, e hedh poshtë mendimin pozitiv të P. Skok për një kontakt të sllavëve me ilirët, ngre zë kundër mendimit të autorit Schütz i cili „në librin e tij „Die geographische Terminologie des Serbokroatischen” ishte përpjekur ta dëshmonte të përkundërtëm, përkatësisht që Ballkani perëndimor (më saktësisht sterea e tij) në kohën e dyndjes së sllavëve na paska qenë një hapësirë e pa njerëz, kështu që sllavët e paskan gjetur këtë hapësirë si një vakum”.

Vetë I. Popović thotë se megjithatë „edhe këtu duhet t’i kemi parasysh elementet josllave, përkatësisht parasllave” dhe se „Nëse në këtë mes kemi të bëjmë me ilirë ende të ruajtur apo me ilirë të romanizuar, mbi bazën e gjendjes së sotme të dijes, për fat të keq, nuk mund të vendoset”.[ Popović: Die Einwanderung …, fq. 713.] Megjithatë, për I. Popović -in, mbetet punë e kthjellët se këta autoktonë flisnin që të gjithë gjuhë indoeuropiane: „Në kohën e fillimit të sllavizimit, kemi të bëjmë gjithandej me gjuhë indoeuropiane: në perëndim (në Jugosllavinë e sotme, duke e pëjashtuar Serbinë lindore dhe Maqedoninë) pstaj në Shqipëri flitej ilirisht, në lindje (në Bullgari, në Serbinë lindore e pjesërisht [edhe] në Maqedoni) – thrakisht; së fundi, për në jug të Maqedonisë, duhet marrë në konsideratë edhe makedonmishten [jo maqedonishten e sotme, vër. e imja.]e vjetër”[ Popović: Die Einwanderung …, fq. 712.] parasllave.

Mbi bazën e kësaj analize, I. Popović konstaton se „ […] ne kemi dëshmi të sigurta se në stere [SG: pjesën kontinentale] materialin gjuhësor – sllavët, së pakut në lindje, praktikisht në hapësirën bullgare – jo gjithëherë e morën nga grekët e nga romakët, porse edhe drejtpërdrejt nga popuj të tjerë përkatësisht nga barbarët [SG: ilirët e thrakët] autoktonë” […] Me fjalë të tjera, kur sllavët u dyndën në Ballkan, gadishulli ishte së pakut pjesërisht ende i banuar nga barbarë dhe jo kryekreje nga latinë, përkatësisht grekë.[ Poai, poaty, fq. 712.] Këtë pjesë të trajtesës së tij, I.

Popović e mbyll me bindjen e tij se „Gjuha thrakase, ç’është e drejta, nuk ka vdekur ende, sepse ajo vazhdon të jetojë në formën e saj të shqipes”[ Popović: Die Einwanderung …, fq. 713.] së sotme, për ta përfunduar këtë me konstatimin, përkitazi me huazimet sllave të shqipes, për të cilat ky thotë se: „disa albanologë e marrin vendosjen e sllavëve në Shqipëri si një dyndje të mëvonëshme (shek. VII) e cila ngjau në kohën kur shqiptarët tashmë banonin në Shqipëri; siç kujtoj se e kam treguar edhe vetë bindshëm (në ZfsPh.XXVI), kjo tezë është kryekëput e gabueshme sepse të gjithë emrat parasllavë të Shqipërisë, që sot përdoren nga shqiptarët, shqiptarët i morën me ndërmjetësimin e sllavëve”.[ Poai, poaty, fq. -709.]

Ky pranonte megjithatë se „Ç’është e drejta, nuk mund të pranohet që i gjithë ndikimi sllav mbi shqiptarët të ketë ndodhur që në krye të herës në hapësirën e sotme të Shqipërisë; aq më parë duhet të llogarisim edhe me atdheun e kryehershëm të shqiptarëve dikund në pjesën qendrore të Ballkanit, pas gjithë gjasësh pikërsht në pjesën lindore të Serbisë, në pjesën perëndimore të Bullgarisë dhe në pjesën veriore të Maqedonisë”. Në të mirë të tezës së tij autori ynë i sillte dëshmitë e ndërmjetësimit të shqipfolësve nga goja e të cilëve sllavët i morën emrat e qyteteve më të mëdha të kësaj hapësire.

Për këtë autori ynë i sjell shembujt Nish, Shkup, Shtip, Ohër etj: për të përfunduar se „Në këtë mënyrë protoshqiparët në atdheun e tyre të kryeherëshëm në pjesën qendrore të Ballkanit do të kenë qenë nën ndikimin si të serbishtes ashtu edhe të bullgarishtes.” [Popović: Die Einwanderung …, fq. 717: „Allerdings kann nicht angenommen werden, dass der ganze slavische Einfluß auf die Albaner erst auf dem Gebiet des heutigen Albanien stattgefunden hat, vielmehr müssen wir auch mit der früheren albanischen Heimat irgendwo im Zentrum des Balkans rechnen, wohl gerade in Ostserbien, Westbulgarien und Nordmazedonien.»;.[…] „So konnten die Uralbaner in ihrer frühen zentralbalkanaischen Heimat sowohl unter serbischem als auch unter bulgarischem Einfluß stehen”.]

Përkundër rrethanës që I. Popović ishte ithtar i tezës së prejardhjes thrakase të shqipes (sh. më lart) sipas së cilës vendi i formimit të shqipes do të dilte të ishte Dardania e lashtë, autori ynë sikur, një herë për një herë, heq dorë nga qëndrimi i tij sepse kjo tezë ia prish pak punën në një segment kardinal të dijes së sllavistikës. Dhe, ky segment ka të bëjë me shkaqet që dy gjuhë sllave sot territorialisht fqinje: serbishtja e bullgarishtja janë aqë të ndryshme njëra nga tjetra.

Përkitazi me këtë autori ynë përpiqet ta relativizojë deri në mohim mendimn e dijetarit holandez Wan Wijk. I. Popović shkruante: „Megjithatë merret për e pranueshme që rumanishtja ose thënë më mirë protorumanishtja nuk u kristalizua në Daki porse në Ballkanin e mirëfilltë dhe pikërisht në hapësirën e pjesës lindore të Serbisë dhe atë perëndimore të Bullgarisë; kështu sqarohet teoria e van Wijk -ut sipas së cilës serbokroatishtja nga njëra dhe bullgarishtja nga ana tjetër u zhvilluan aqë ndryshe sepse pikërisht në kohën e dyndjeve të para të sllavëve të jugut këta ishin të ndarë njëri nga tjetri nga një zonë e gjerë romane në Serbinë lindore e në Bullgarinë perëndimore. Dhe, megjithmend, ndyshimet midis serbokroatishtes dhe bullgarshtes – vështruar në këndin e sllavistikës – janë shumë të mëdha e shumë të lashta.

Megjithatë, unë i konsideroj dallimet serbokroate – bullgare të jenë paraballkanike dhe besoj se ato u zhvilluan që në atdheun e kryeherëshëm sllav” [ I. Popović: Die Einwanderung …, fq. 715 -. 716: Doch wird gewöhnlich angenommen, dass sich das Rumänische, oder, besser gesagt, das Urrumänische, nicht in Dacien, sondern auf dem eigentlichen Balkan kristallisiert hat, und zwar auf dem Gebiet Ostserbiens und Westbulgariens; auf diese Weise erklärt sich die Theorie van Wijks, nach welcher sich das Serbokroatische einerseits, das Bulgarische andererseits deshalb so verschieden entwickelt haben, weil sie bereits zur Zeit der ersten südslavischen Einwanderung auf dem Balkan durch eine breite romanische Zone in Ostserbien und Westbulgarien getrennt waren. Und tatsächlich sind die Unterschiede zwischen dem Serbokroatischen und dem  Bulgarischen – vom slavistischen Standpunkt aus – sehr scharf und sehr alt. Trotzdem halte ich die serbokroatisch-bulgarischen Unterschiede für bereits vorbalkanisch und glaube, dass sie schon in der slavischen Urheimat entwickelt worden sind”.] të tyre.

Në të vërtetë dijetari sllavist me namë e me orë N. van Wijk thoshte se rumunët ose së pakut një pjesë e këtij populli ishte popullatë autoktone në hapësirën e Ballkanit Jugor, (kjo) dëshmohet përmes rrethanës se serbët dhe bullgarët ishin në mesjetën e herëshme të ndarë nga një popullatë autoktone josllave. Kjo popullatë josllave, sidomos në Dardani ishte, sipas sllavistit holandez van Wijk, popullatë romane: „Një shembull i bazuar mbi nomenklaturën gjeografike ka treguar që emrat e vjetër romanë të qyteteve janë konservuar para se gjithash në provincat Dacia Mediterranea, Dardania e Praevaalis, apo thënë ndryshe në zonën që e ndan Danubin, në veri e në verilindje të Sofjes, në Adriatik dhe që sajon një zonë të ndërmjeme, ngase këtu nuk mund të gjendet ndonjë gjurmë e fiseve të vjetra bullgare e serbo – kroate.

Të gjitha të dhënat përputhen bashkarisht nëse paravendojmë që të dyja grupet sllave ballkanike ishin të ndara nga një zonë romane e Ras-it (SG: Rashës) përafërisht më 1200 apo pikërisht në këtë periudhë”, [ N. Van Wijk: Les langues slaves ( de l`unité à pluralité ), Hage 1956, fq. 103.: Un examen approfondi de la nomenclature géographique a montré que les anciens noms des villes romains furent conservés surtout dans les provinces Dacia Mediterranea, Dardania et Praevaalis, autrement dit dans la zone qui relie la Danube, au Nord et au Nord-Ouest de Sofia, a l’ Adriatique , et qui forme la région intermédiaire mentionée plus haut, où l’ on  ne trouve aucune trace d’ anciennes tribus  bulgares et serb-croates. Toutes les données concordent donc ensemble, si nous admettons que les deux groupes de Slaves Ballkaniques étaient séparés par une zone romane de Ras probablement jusqu’en 1200, ou même au délà cette époque”] ndërsa sllavisti i merituar rumun Emil Petrovici kujton se ajo popullatë që i ndante këto dy degë të sllavëve, përkatësisht bullgarët e serbët, ishte pikërisht popullatë shqiptare. [sh. Istoria poporului român aglindită în toponimie, Studi de dialektologie şi toponimie, Bucureşti, 1970, fq. 242]

Përhapja me forcë e serbëve, përkatësisht pushtimi i hapësirës etnlinguistike shqiptare të Dardanisë antike në shek. 12 nga serbët mbështetet edhe nga histsorianë serbë të gjuhësisë. Kështu, dialektologu serb A. Belić konstatonte psh. se zhvillimi i dialekteve të serbishtes është i pandashëm nga procesi i kolonizimit serb të Kosovës së sotme. Menjëherë pas pushtimit të Kosovës në vitin 1912, ai shkruante se: „Drejtimin e kolonizimit serb mund ta karaktzerizojmë përgjithësisht sipas qendrave dhe selive të sundimtarëve serbë si para ashtu edhe pas Betejës së Kosovës. Këto qendra e seli u shtrinë në shek. 13 nga Ras- i (Arsia parasllave, serb. Raška, afër Novi Pazar- it) në drejtim të Prishtinës. Prej këndej depërtoi pastaj në shek. 14, gjatë kohës së sundimit të carit Dušan, në drejtim të Prizrenit e të Shkupit. […] Në mbështetje të gjithë kësaj mund të thuhet se gjuha e shtetit të vjetër serb e kishte për qendër Rashën.

Kjo gjuhë shërbeu për bazë të zhvillimit të këtyre dialekteve. Derisa gjuha jonë (mendohet serbishtja S. G.) në jug të Maleve të Sharit dhe të Shkupit u zgjerua në drejtim të Prilepit e të Velesit dhe në vende të tjera e ruajti formën e saj arkaike, nën ndikimin e të folmeve jugore maqedone rrënzë Sharit u krijua në Prizren e në vendbanimet përreth tij në drejtim të Shkupit e të Kumanovës e folmja e Prizrenit, veçoritë më të moçme të së cilës i heqin rrënjët nga shekulli 12”.[ sh. A. Belić, Stara Srbija s istorisko – jezične tačke gledišta, Beograd 1912, fq. 7 – 9.]

Por, kur po fliste për topoiniminë parasllave të hapësirës që sot e zënë bullgarishtja dhe serbishtja, I. Popović vërente se emri Singidunum i qytetit, përkatësisht i kështjellës që serbët do ta përkthejnë më vonë në Beligrad / Beograd, I. Popović e konteston mendimin e pranuar gjerë të prejardhjes kelte të këtij emri. Autori ynë kujton, ndryshe nga të tjerë, se ky do të jetë një emër me prejardhje thrakase. Për këtë tezë të veten autori i sjell për si dëshmi ekzistimin e emrave thrakë Σίγγος, Σίγγιδαύα, Σίγγιδάυα të vendeve, të cilët (emra) poashtu e paskan kuptimin „kështjellë e bardhë” – pikërisht atë kuptim të cilin do ta kishte edhe sikur ky të rrjedhte nga keltishtja. Emri Singidunum po rrjedhka, sipas këtij dijetari, nga një trajtë thrakase*Singidava. [khs.Ivan Popović: Bemerkungen …, fq. 103]

Për një tjetër toponim parasllav pikërisht të rrethinave të kryeqendrës së sotme të serbëve – Beogradit, I. Popović e konsideron edhe emrin e katundit Vŕčin në rrethina të Beogradit. Ky, duke u pajtuar me sqarimin që më parë e kishte dhënë dijetari serb V. Čorović, e rindërton për këtë toponim një trajtë latine * Ὂrcinum, *Urcinium (templum) të një tempulli që i paska qenë kushtuar hyjnisë Orcea. Lat. *Orcinum, *Urcinium po jepka në serb. rregullisht *Vъčinъ Vrčin. khs. për këtë edhe kalimet Vrm nga Ὂρμος, Vrsar nga *Ursaria (ital. Orsera), Vrdovo; Ἄρδιον ὂρος. Tek zhvillimi më tej i këtij emri nuk paska ndodhdur likuidometateza, karakteristike për sllavishfolësit „ romanishtja anonte kah një kalim në rom. në o- kundrejt kalimit në ǔ- dhe tngulli *ъ-, i serbishtes e dha një *ъ- *uъ-. Tingulli palatal č- i takon romanishtes së Ballkanit Lindor („protorumanishtes”) dhe jo sllavishtes (në sllavishten do të pritej vetëm një c, si tek Cavtat = Civitate etj.”.[ khs. Popovć: Bemerkungen …, fq 103.]

Përveç kontinuitetit të emrave thrakas e romanë – ballkanikë, I. Popović gjen në hapësirën e sotme të Serbisë edhe toponime me prejardhje ilire, përkatëisht dardane. Kështu, për emrin Bὂleč të një katundi të Serbisë autori thotë se nuk ka kurrfarë lidhje me sllav. bolęti, Boleslavъ. Kjo sepse nga një *Bolęt, *Bolęt- mund të pritet vetëm një posesiv *Bolećъ, me -ćъ dhe kurrsesi me -č. „Këtu kemi të bëjmë me një formim „ilir” me -ent-įo ose me –etįo; për formimin khs. Bolentium mbi lumin Drava (dhe Bulet në rrethina të Dubrovnikut nga Bulentum), ilir. Baletium (Itali), *Baletium në Shqipërinë e Veriut; sot shq. (Maja) Ballecit.” [Poai, poaty, fq. 103 -104.]

„Më i besueshëm duket toponimi Bračin në rrethina të këtij të fundit (Vërsar -it) nëse këtë e krahasojmë me emrin „dardan” Βράτιστα ; natyrisht që këtu do të kishim të bënim me një derivacion tjetër; në këtë hapësirë, rastet e këtilla janë normale. Në një Βράτιστα, përkatësisht *Bráčišta, do të kishim një prapashtesë thjesht shqipe sh-; tingulli *č i shqipes u shndërrua në s vetëm pas marrjes së huazimeve më të vjetra sllave.”- shkruante në vazhdim I. Popović. [ Poai, Bemerkungen …, fq 108.]

Më shumë gjurmë toponimike ilire në hapësirën që sot e zë Serbia sjell dijetari bullgar I. Duridanov. Në një punim të tijin të botuar më shumë se 40 vite më parë .[sh. Illyrische Flussnamen in Serbien, në Linguistique Balkanique VI/ 1963, Sofia, 163, fq. 102 – 117], ky dijetar i mori në trajtim emrat ilirë të lumenjëve në regjionin (sistemin) e Kolubara -s, përkatësisht të distriktit të Valjevo -s në jugperëndim të Beogradit.

Trajtimin e prejardhjes së vetë emrit Kolubara të këtij lumi autori e nis me emrin e një lugine të quajtur Kalabarina në katundin Donja Oruglica, (shqip Huruglicë) të rrethit („srez”) Jabllanica në regjionin Klisura të Moravës së Jugut. Trajta parasllave e emrit të kësaj lugine do të ketë qenë, sipas Duridanov -it, *Kalabara, nga e cila u krijua më vonë një mbiemër posesiv Kalabarina me prapashtesën sllave -ina. Duke e inkuadruar këtu emrin e lumit më të madh Kolùbara të këtij regjioni, autori paravendon se këtu kemi të bëjmë në të vërtetë me një emër në dy variante: Kalabara dhe Kolubara, trajta e kryeherëshme e të cilave do të ketë qenë Kalabara ose*Kolobara. Te ky emër autori ynë e sheh një emërtim kompozitë të formuar nga rrënja ieur. *kel- „i zi, i errët” dhe nga fjala ilire bara e cila i korrespondon të trakishtes para dhe të shqipes bërrakë.

Po të kishte pasur një kontinuitet të drejtpërdrejtë sllav të emrit ilir Kalabara (nga ieur. *Kolobara) atëherë në sllavishten ky emër do të duhej të reflektohej si *Kolobara. Së këndejmi autori kujton se emrin ilir *Kalabara sllavët e morën me ndërmjetësimin e romanëve ballkanikë të cilin emër, mbi bazën e etimologjisë popullore, këta të fundit e kishin ndryshuar në *Kolumbar(i)a, sikur ai emër të kishte diç të përbashkët me trajtën e shumësit të lat. columbarium. „që ka të bëjë me pëllumbat”. Kuptimi i kryehershëm ilir i emrit Kolubara të lumit është, sipas I. Duridanov, „lum i zi, i errët”.

Një tjetër lum që mban emër ilir është edhe Őbnica. Ky emër rrjedh nga ieur. ab- „ujë, lum” khs. lat. amnis (<*abnis), irl. e vj. ab (*aba), gjin, abae „lum“, përkrah abann, gal. brit. Abona (emër lumi), let. Abava (emër lumi)etj. Trajta e kryeherëshme ilire e emrit të këtij lumi do të rrjedh, sipas autorit tonë, nga rrënja e paravenduar ilire Ab-in- ose Ab-on- Ky emër do të ketë kaluar në sllavishten (serbishten) në harmoni me rregullat fonetike të sllavishtes së pari në *Obьnъ përkatësisht *Obъnъ e  më vonë në Ob(a)n, gjen. Obna. I njëjti fenomen do të ndodhte edhe sikur emri i këtij lumi të rridhte nga rrënja ilire  *apa (apas, apis) „ujë, lum” khs. emrin ilir të lumit Ap-sus, gjin. Aponus (emër i një burimi). Në atë rast, trajta e kryeherëshme ilire *Apin-um ose *Apon-um do të jepte në serbishten së pari *Opьnъ, gjin. *Op(ь)na, e pastaj Oban, Obna – përfundon autori.

Kur  po e trajtonte prejardhjen e emrit të lumit e të katundit homonim Ràbas, I. Duridanov e lejonte mundësinë që ky emër të mund të konsiderohet për emër ilir dhe se për të ka dy mundësi interpretimi. Sipas mundësisë së parë, emri do rridhte nga ieur. *orbh- „i errët” > ilir. *arb-, ku bien emrat ilirë Arba (Plin. III 140, CIL 111 2931), Ἄρβα (Ptol. 11 16,8), Ἄρβαη (Konst. Porpf. De adm. imp. 29) – ujdhesë e qytet në brigje të Adriatikut (sot kroat. Râb, gjin. Rába). Sipas mundësisë së dytë, emri do të rridhte nga ieur. *rabh-, *rebh-, në lat. rabiēs „tërbim, çartje”, ind. e vj. rábhas- „vrull, dhunë”, rabhasá- „i egër, i vrullshëm, i furishëm”etj.

Autori sjell në vazhdim emrin dak të lumit ‛Paßώv (Ptol. 3, 8, 2) sot rum. Jiul; emrin thrak. (frigas) të lumit ‛Pήβας (Ptol. 5, 1, 5); emrin ilir të lumit Arrabo fl. (Tab. Peut.) dhe Άραβών (Ptol. II 11, 3.14, 1.15, 1), për t’i krahasuar këta me emrin e lumit hungar. Rába, gjerm. Raab, sllav. Raba – degë e lumit Drava në Austri e në Hungari bashkë me degët Rabica (hung. Rábcza) dhe Rabanica ose Rabnica (Rabaniza 1051, gjerm. Rabnitz) në  landin Steiermark të Austrisë. Në pjesën jugore të Malopolska „Polonia e Vogël” është edhe një emër lumi Raba (dega e djathtë e lumit Visla) të cilin, kështu thotë I. Duridanov, „T. Lehr-Spławinski e mban me të drejtë për emër ilir”. Autori ynë i inkuadron këtu edhe emrat Rabiša, liqe ose kënetë e katund në rrethin Belogradčik të Bullgarisë veriperëndimore, të cilin ky e merr porse për emër thrakas. Trajta ilire e emrit Ràbas do të ketë qenë *Arbas-us ose *Rabas-us, sepse për të dyja mundësitë ka shembuj nga emra që mbahen për të ilirëve.

Për emrin e lumit Ljig, gjin. Ljiga të rrethinave të Valjevo -s autori lejon 4 mundësi interpretami:

1. Pa shumë vështirësi ky emër mund të lidhet me ieur. *leig-, *loig- „kërcej, bëj të dridhet”. Për dëshmi të motivimit të emrave të lumenjve me fenomenin e dridhjes, të kërcimit autori i sjell emrat bullgarë të lumenjëve Skakavica, Skakavec, Skakač, dhe ata germanë Spring, Gespring.

2. I mundshëm do të ishte edhe interpretimi i këtij emri nga rrënja ieur. *(o)leig- khs. shqip lig „i keq, i ligësht”, ligë „ligësi, shpirtkeq”, kuptim ky që gjendet tek emrat sllavë të lumenjve e të vendeve të dala nga sllav. *zъlъ „i keq, shpirtkeq„ ose nga mbiemri *ljutъ „i vrazhdë, i tmerrshëm, i egër” si psh. emri i katundit Zli potok në krahinën e Gorës (Kosovë) tek emri bullgar i lumit Zla reka etj.

3. Sipas kësaj mundësie emri Ljig i lumit do të lidhej me ieur. *(s)leig- „llucë, rrëshqas”, një zgjerim në *lei- „tokë e rrëshqitshme për shkak të lagështisë”. Autori ynë e përmbyll këtë mundësi kështu: „Nëse rrënja ieur. *lēi- „ujis, rrjedh, pikon” nuk mund të ndahet nga *lei- „tokë e rrëshqitshme për shkak të lagështisë”, atëherë mund të paravendohet një *ligos e ilirishtes nga ieur. *(s)ligos me kuptimin „vërshimë, lum, tokë moçalike” dhe

4. Fort pak i mundshëm është sqarimi i këtij emri nga ieur*lag-: lug „i zi, kënetë”. Kuptimi i kryehershëm i emrit të këtij lumi do të ketë qenë përafërsisht „(lum) i zi, i errët, (lum) kënetë”. Kundër këtij interpretimi do të fliste rrethana që të gjithë emrat ilirë të dalur nga rrënja lug- dalin me një  u të shkurtër khs. psh.: Lugio – Lugione (It. Ant. 244, 2; Tab. Peut.), Lugione (Rav. IV 20 [220, 7]); Λουγίωνον (Ptol. 11 15, 3); ἔλος Λούγεον afër Τεργέστε (Strab. VII 5, 2), sot Liqeni i Criknicës apo Ligata e Lubjanës në Slloveni.

Për emrin e lumit Kačer, dega më e madhe e lumit Ljig, Duridanov e hedh kategorikisht poshtë mundësinë e prejardhjes së tij nga fjala slave kača „gjarpër”. Më e mundshme i duket autorit tonë që ky emër të rrjedh nga një trajtë e kryeherëshme ilire *Kuk-er-us që lidhet me rrënjën ieur. *kuk-: *keuk- „lakoj, kthesë”. Në këtë rast emri i këtij lumi do ta kishte kuptimin „Lum i shtrembër”. Në të mirë të kësaj etimologjie autori sjell për shembull emrat ilirë të vendeve: Cucconae, var. Cocconae (Rav. IV, 19) – ky vend ndodhej në një kthesë të lumit Drava; Cuccium (Cucci, Lok., It. Ant. 243, 2; Cucctlo Tab. Peut.), stacion në brigje të lumit Drava – sot Ilok në Slavoni ose Šarengrad. Kjo rrënjë indoeuropiane gendet në shkallën e saj të plotë tek emri dardan κακαλία (Apuleius 8) i lules së malit, nga një *kauk-al- me ndërrimin ilir. au në a para konsonantit. Tek emri Kačer i këtij lumi, me prejardhje ilire është edhe prapashtsa -er, e cila është dëshmuar ndër emra ilirë të lumenjve e të vendeve, khs.  Iader, Rider .

Autori ynë e pranon mendimin e shfaqur kaherë nga T. Maretić se emri Bòsuta; emri homonim i një dege të madhe të majtë të Savës dhe emri Bòsut i një përroi të katundit Otok të Vinkovcit në Sllavoni janë emra parasllavë. Duridanov ua shton këtyre edhe emrin Bosuta të një lumthi – degë e lumit Kačer (sh. më lart) Emri i lumit Bosut të Kroacisë e pra edhe ky i Serbisë rrjedhin nga emri ilir Basunt- khs. amnis Bacuntius (i shënuar gabimisht në vend të Basuntius te Plin. III, 148), ose nga trajta ilire Basant-, khs. stacionin ad Basante (Tab. Peut), që ishte në brigje të këtij lumi.

Për emrin Onjeg të një dege të lumit Ljig, Duridanov e hedh poshtë mundësisë e prejardhjes së tij nga sllavishtja apo edhe nga keltishtja. Sipas këtij, emri i këtij lumi mund të lidhet:

1. me ieur. *ond-, *nd- „gur, shkëmb”. Trajta e kryeherëshme ilire e këtij emri do të ketë qenë *And-eg-os. *And-eg-us. Zhvillimi fonetik i *Andeg- në serb. Onjeg mund të shpjegohet kështu: A. Mayer ka konstatuar kaherë se togu i kryeherëshëm -nd- është shndërruar në ilirishten herë pas here në -nn- (> -n-). Kjo shihet mirë tek emri Dinara i maleve, emri i të clave rrjedh nga ilir. Dindar. Ky fenomen do të ketë ngjarë edhe tek emri ynë *Andeg- > Anneg- > Aneg. Trajta e mëvonësshme ilire *Aneg- do të jepte në sllavishten një *Onegъ. Kuptimi i kryehershëm i emrit të këtij lumi do të ketë qenë i ngjashëm me kuptimin e emrave sllavë të jugut të lumenjve Kamenica ose

2. tek emri Onjeg mund të mëshihet një emër i kryeherëshëm kompozitë ilir si psh. *An-egos ose An-egus, i formuar me parashtesën an- si pjesë e parë e emrit e cila (pjesë) dëfton atë që rri përballë, siç shihet si psh. tek emrat ilirë të vendeve An-derva (afër Derva -s), An-dautonia  (përballë Dautonia -s në brigje të Savës).

Emrin Mārica të një lumi të vockël që derdhet në Kollubara, bashkë me emrin homonim të lumit në Bullgari dhe me emra përrockash e lumenjsh të vegjël të tjerë në  Serbi e në Mal të Zi, Duridanov i lidh me ieur. *mor(i) > ilir. mari- „liqe; bërrakë”. Nga kjo rrënjë ieur. rrjedh edhe emri dakas i lumit Μάρισος (Strab. III 304, VII 3, 13) sot hungar. Maros, rum. Mureş.

Emrat e mësipërm të lumenjëve në Serbi Duridanov i konsideron me prejardhje ilire, përkatësisht trajta sllave të huazuara nga ilirët por që, kryesisht për shak të ndajmbathjes së prapashtesës slave -ica, nuk mund të dihet më struktura parasllave e tyre.

Emri i fundit i lumit që trajtohet në këtë punim të dijetarit bullgar, është emri Ub në rrethin Tamnava -s. Bazë e këtij emri është rrënja ieur. *omb(h)-: *emb(h)- „i lagështt, ujë”. Nga një trajtë ilire *Ambos ose *Ambus në sllavishten do të mund të dilte së pari një trajtë Obъ e pastaj në serbishten do të ketë pasuar trajta Ub. Këtë emër e mban edhe një qytetth në brigje të këtij lumi.

Mbi bazën e kësaj gjendjeje të hidronimisë së sistemit të Kollubarës, I. Duridanov nxjerr tri përfundime:

1. Popullata më e vjetër e kësaj hapësire ishte popullata ilire

2. Në kohën e dyndjes sllave në tokat në jug të Danubit e të Savës, përafërsisht nga fundi i shek. VI, popullata ilire i ishte nënshtruar një procesi intensiv të romanizimit, rrethanë kjo që mund të dëshmohet mbi bazën e trajtës romane Kolumbar(i)a të emrit të lumit kryesor Kolubara als të këtij regjioni.

 

3. Kur sllavët (serbët) u bënë banorë vendës të regjionit të Kollubarës, këta i morën pjesërisht emrat ilirë të lumenjve dhe pjesërisht krijuan trajta sllave të tyre. Rrethana që u ruajtën 9 emra ilirë të lumenjve, mund të shpjegohet si rezultat i një bashkëjetese paqësore të sllavëve me ilirë të romanziuar, të cilët u bashkëshkrinë në këta të fundit, përkatësisht në sllavë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here