SHPËRNDAJE

Shkruan Vepron Hasani

Kur ndodhi kjo histori, fshati Bezhani kishte vetwm tre vjet që ishte braktisur. Pikërisht në këtë kohë banorët e fshatrave përreth kishin parë të shfaqeshin dy persona mes varreve të fshatit.

Ato ditë në fshatin Bezhan ishin dëgjuar të qara të çuditshme dhe vajtime rrënqethëse, ndërsa në Kishën e Shën Mërisë që gjendet në të hyrë të këtij fshati, kishin parë një dritë të fuqishme që kishte qëndruar e pafikur deri në mesnatë.

Pati nga ata që thanë se dy njerëzit që bridhnin nëpër varre nuk ishin gjë tjetër veç hijet e të vdekurve që thërrisnin të gjallët. Banorët e fundit të këtij fshati kishin ikur në fund të tetorit, tre vjet më parë për t’u kthyer rrallë e më rrallë në fshatin e tyre deri në harrim të plotë. Ishin kujtuar të vdekurit për fshatin e Bezhanit, ku nuk po dëgjohej më as një zë i vetëm.

 

Ajo që banorët e fshatrave përreth, kishin parë të ndodhte tek Kisha e Shën Marisë ishte përsëritur me të njëjtin ritual të mistershëm, netët e tjera, tek Kisha e Shën Kollit që zë vend afër urës së Bezhanit, tek Kisha e Shën Gjergjit, e Shën Pjetrit, por edhe tek gërmadhat e kishës që ngrihej dikur në sheshin e madh.

Fshati Bezhan kishte patur 5 kisha. Barinjtë që ishin ndodhur afër asaj zone, kishin thënë se fshati Bezhan binte erë temjan dhe në të gjitha varret digjeshin qirinjë të ndezur. Megjithatë fillimisht askush nuk mori mundimin të shkonte deri atje për të parë se ç’po ndodhte me këtë fshat të braktisur tre vjet më parë. Atyre që u kishte rënë rasti të kalonin andej, para kësaj ndodhie, thoshin se në çdo çast dëgjohej kërcitja e trarëve të vjetër dhe zhurma e frikshme e çative që shëmbeshin paparitur.

Fshati ishte kthyer në një vend të frikshëm, ndërsa 30 puset e hapura në oborret e shtëpive ishin kthyer në gropa të padukshme. Edhe ish-banori më i vjetër i këtij fshati mund të gjendej në fund të pusit që ishte mbuluar nga dërrasa të kalbura, nga gjethet e pafshira të oborreve dhe nga degët e thata që ishin rrëzuar nga erërat e dimrave të ikur.

Bezhani ishte harruar edhe nga banorët e fshatarve përreth. Ai nuk ekzistonte më në vëmendjen e të tjerëve, ashtu siç harrohet një xhaketë e vjetër e varrur në degët e ahut të një pylli, ku më shumë i ngjan një fantazme, teksa sa përpiqesh të gjesh se çka ndodhur me të zotin, që ka lënë xhaket aty, ku me të tallet era duke e shqepur. Kështu kishte nisur të ndodhte me këtë fshat që nga fundi i tetorit, tre vjet më parë, kur në Bezhan, mes varreve, ishin parë dy njerëz të çuditshëm që ishin shfaqur papritur në atë terren të harruar.

Të qarat dhe vajtimet që vazhduan për disa ditë, bënë që disa banorë të fshatrave përreth të merrnin mundimin më së fundi e të shkonin deri atje të shihnin ç’po ndodhte me këtë fshat të shkretuar. Dy hijet e mistershme i gjetën gati në krye të fshatit.

Kishin qënë dy pleq: Thimi Note dhe bashkëshortja e tij, Sofia, të ulur tek obori i shtëpisë së braktisur. Ende kishin patur lotë në sytë e tyre dhe dhimbje për fshatin që u ishte shembur kaq shpejt dhe që nuk kishin shkuar dot çdo të dielë tek varret. Dy pleqtë thanë se kishin ardhur të kuvendonin me të vdekurit e tyre. Historia mbeti e gjallë për disa kohë me radhë tek banorët e fshatrave përreth dhe më pas u harrua si gjithë ndodhitë e tjera.

Për të mbetur e paharruar ajo dhimbje që u shfaq në përmasa të tilla, Thimi dhe Sofia Note e treguan brengën e tyre që të mbetet e njohur për publikun, si ikona e Krishtit Pantokrat që ishte pikturuar posaçërisht për Bezhanin që nga viti 1651 dhe që kishte qëndruar aty për shekuj me radhë e tashmë ruhet në Muzeun Mesjetar të Korçës.

-Znj, Sofia, si vendosët për të shkuar në Bezhan?

Image result for foto Bezhani Kolonjes-Kishim kohë pa vajtur në fshat që nga koha kur u vendosëm në qytetin e Korçës. Një natë më doli gjumi shumë shpejt dhe i thashë tim shoqi, Thimit, se më kishte marrë malli për Bezhanin. I tregova se më kishin dalë në ëndërr eshtrat e të vdekurve që kishin qënë të vendosur në Kishën e Shën Marisë, në qimitirio dhe që i dogjën pas vitit 1967, që Shën Maria të kthehej në plevicë për kooperativën. M’u duk sikur më dolën përpara gjithë të vdekurit, duke më thënë: “38 vjet më parë na i dogjët eshtrat, kurse tani askush nuk po u bën dritë shpirtrave tanë me qirinj të ndezur.

“Eh, më tha Thimi, edhe unë për këtë gjë isha duke u menduar. Na paska marrë malli”. “Edhe unë, tha Thimi, pash në ëndërr Shën Marinë që po na kërkonte nëpër rrënoja dhe nuk na gjente dot”. U nisëm nga Korça, kur ende nuk ishte zbardhur drita. Me të mbërritur në Bezhan ndezëm qirinj varr më varr, tek kisha e Shën Marisë, Shën Kollit, Shën Pjetrit, shën Gjergjit, aq sa them se atë natë Bezhanin e ndriçuam me mallin tonë.

Banorët e fshatarve përreth kishin kujtuar se diçka po ndodhte në Bezhan se një gjë e tillë po ndodhte disa netë me radhë. Nën ato rrënoja qëndruam një javë. Kur hyra tek kisha e Shën Marrisë më mbërtheu të qarët.

Ndoshta nuk e besoni, po atë ditë ngrita këtë këngë për Shën Marinë:

Si duruam ne, si durove ti

Kur të bënë plevicë, ty moj Shën Mëri

Sot t’i ke ikona, dhe plotë stoli

Nuk të harrojmë kurrë, ty moj Shën Mëri

Fshati është rënuar, ne s’kemi shtëpi

po të kemi mbrojë, ty moj Shën Mëri …

Po e shkruajte në gazetë do të thush që kënga është e Sofia Notes nga Bezhani.

-Z. Thimi, janë braktisur shumë fshatra, përse kaq mall për fshatin tuaj?

-Nuk e dimë se ç’ndodh me të tjerët, por jam i sigurtë që edhe ata nuk e kanë të lehtë. Ashtu si Sofia ime qajnë të gjitha gratë e moshura që kanë lënë vendin e tyre. Por për ne Bezhani ndoshta ka qënë ndryshe nga fshatrat e tjerë. Dokumentat e vjetra thonë se ky fshat ka qënë i banuar që në shekullin VIII.

Nga periudha e sundimit bullgar, në fshatin tonë, kanë mbetur shumë fjalë që përdoren dhe sot, por nuk mund të thuhet se ky fshat nuk ka qënë i banuar para kësaj periudhe. Kini dëgjuar ju për sarkofagun e Bezhanit? Ai varr prej guri ndodhet në këmbët e këtij fshati. Siç kemi dëgjuar nga njerëzit e shkollepsur të Bezhanit, sarkofagu mund të jetë i 3-4 shekujve përpara lindjes së Krishtit. Aty ndodhet edhe Trogorica ku kanë varret ilirët.

Pas kaq shekujsh ne e braktisëm fshatin tonë, i cili edhe mund të mos ishte braktisur. Në Bezhan është gjetur edhe ikona e Krishtit Pantokrat, e cila është porositur në vitin 1651. Këtë e dimë mirë, sepse ikona ka të shënuar në pjesën e pasme të saj ditën që është pikturuar. Në atë shënim përmendet edhe emri i qytetit të Nikolicës që në atë kohë ka qënë një qytetet i dëgjuar, ashtu siç ishte Vidhkuqi dhe Voskopoja. Bezhani kishte 5 kisha, kurse tani vetëm dy janë në këmbë: Kisha e Shën Mërisë dhe Kisha e Shën Kollit, dy të tjera janë kthyer në rrënoja, kurse e pesta nuk duket fare.

Z.Thimi, thuhet se fshati juaj ka patur shkollën më të vjetër, sa e vërtetë është kjo?

Në këtë fshat që tani ka vetëm varre dhe rrënoja, Petro Nini Luarasi ka dhënë për herë të parë mësim në gjuhën shqipe në vitin 1882 ose pesë vjet para se të hapej Shkolla e Parë shqipe në Korçë. Këtë e ka lënë të shkruar në kujtimet e tij Guri Kristo Sevo, por edhe Skënder Luarasi. Në atë kohë mësimi jepej në Kishën e Shën Pjetrit, e cila ngrihej në qendër të fshatit, e ndërtuar që në vitin 1780. Data ka qënë e gdhendur në gurin e portës. Në këtë kishë ishte vendosur edhe ikona e Krishtit Pantokrat.

Petro Nini Luarasi, në vitin 1882 ishte i emëruar zyrtarisht mësues i greqishtes, por ai dha vetëm mësim në gjuhën shqipe me alfabetin e Stambollit, me ungjillin e Kristoforidhit dhe me botime të tjera të Komitetit të Stambollit që hynin fshehurazi në Kolonjë. Të gjitha këto i kam dëgjuar nga im at,Tasi. Edhe ai që bëri abetaren e parë, Naum Veqilharxhi ka qënë nga Vithkuqi i Kolonjës.

-Znj, Sofia, si ka mundësi që dini kaq shumë për fshatin tuaj?

  • Sepse e kemi dashur shumë fshatin tonë. Bezhani gjithnjë ka patur njerëz të shkolluar: arkitektë, njerëz të kinematografisë, të letërsisë, të artit dhe mjeshtër të gdhendjes së gurit, madje edhe skulptorë. Nuk është çudi që edhe sarkofagu i Bezhanit të jetë gdhendur nga Bezhanllinjtë. Ndërsa për ndërtimin e urës së Orgockës, një nga urat më të vjetra të Kolonjës ka dokumente që është ngritur nga ustallarët e Bezhanit.

Image result for fshati butka fotoMjeshtërit më të dëgjuar për punën me gur kanë qënë Vasil Dimashi, Tasi Sterjoniko, Kristo Note, Pilo dhe Vangjel Dedo, por edhe shumë të tjerë. Spiro Note ishte i pari që në vitin 1925 solli një makineri për shoshjen e grurit, por edhe një makinë qepse “Singer” Poshtë në lumë ngriheshin 5 mullinj dhe dërstila. Të gjitha gratë e fshatit punonin shajakun dhe bënin tregti me Greqinë. Andrea Note ishte i pari që hapi Fabrikën e përpunimit të leshit në qytetin e Ersekës. Në vitin 1928 fshati ishte i shtruar me kalldrëm.

Z. Thimi, si është e mundur që ky fshat u braktis?

Rezistuam në qëndrimin tonë deri në fund të tetorit të vitit 2002. Familjet e Bezhanit kishin nisur të largoheshin një e nga një. Jeta u bë e vështirë. Nuk patëm rrugë tjetër. Fati i bezhanllinjve kështu ka qënë gjithnjë. Shumë vjet më parë kishin emigruar në Evropë, Amerikë, Azi, Australi, madje edhe në Afrikë. Fillimisht e nisën me Greqinë, pastaj gjithnjë e më larg nga vendi i tyre.

Kur në Rusi nisi ndërtimi i hekurudhës transiberiane, bezhanllinjtë shkuan në Odesë, Moskë, Petërburg, Vladivostok dhe në Irkuck. Më pas emigruan në Amerikë, atje është dhe im vëlla, Panajoti. Për më keq akoma, pas vitit 1967 na dogjën eshtrat e gjyshërve dhe strëgjyshërve që ishin vendosur në qimitirion e Kishës së Shën Kollit, me qëllim që kooperativa ta kthente në plevicë.

At Jorgji Kostën e shpallën kulak dhe e dërguan të thante kënetën e Maliqit. Një kapter nisi të tallej me të. At Jorgji Kristo Bezhani i tha “Mos më picko o i pa udhë”. Vetëm për këtë fjalë goje e rrahën çnjerëzit. Ati ynë dha shpirt nga të rrahurit. Edhe tani të gjithë djemtë dhe vajzat e Bezhanit gjenden jo vetëm në Greqi, por edhe shumë më larg se kaq, në vende të tjera. Bezhani që dikur kishte më shumë se 300 familje tani ka vetëm dy shtëpi të pashembura akoma.

-A do të shkoni sërish në Bezhan?

Tashmë e kemi kthyer në zakon. Mblidhemi të gjithë bezhanllinjtë, janë e ku nuk janë që nga Korça, Durrësi, Tirana, Vlora, por edhe nga Greqia dhe Amerika, kur këta të fundit kanë mundësi dhe çdo 15 gusht, ditën e Shën Marisë, nisemi drejt fshatit tonë. Atë ditë ndezim qirinj në varre, shkojmë në kishën e Shën Marisë, sepse më mirë se ajo askush nuk na i di hallet dhe çmallemi me gurët, burimet dhe kalldrëmet.

Festojmë së bashku, por kur shohim gjithë fshatin që është rrafshuar nuk e mbajmë dot dhimbjen. Ky fshat nuk do të jetë më. Historia e tij do të mbetet vetëm në tregimet dhe gojdhënat e më të vjetërve. Ndoshta do të duket si përrallë: na ishte një herë një fshat me emrin Bezhan.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here