SHPËRNDAJE

Nga Arben Llalla

Sot do të shkruajmë për Dhanil Mihal Adham Haxhiun, i cili është hartuesit i fjalorit në katër gjuhë romaikos (greqisht), vlleh (arumune), bullgarisht dhe shqip. Ky fjalor-ushtrimesh përbëhet nga 1072 fjalë të këtyre gjuhëve.

Dhanil M.A. Haxhiu lindi në Voskopojë. Viti i tij i lindjes nuk dihet, por shumica e biografëve me dyshime për vitlindjen kanë vendosur vitin 1754 (?) dhe duhet të ketë vdekur diku mes viteve 1822-25 sipas dëshmive gojore.

Ai studioi në Akademinë e Voskopojës dhe pati mësues Teodor Kavalioti (1718-1789), i cili është njëri nga themeluesit e Akademisë së Re në Voskopojë. Pasi mori mësime fetare Dhanil Haxhiun e shohim të punojë prift dhe mësues në Akademinë e Re të Voskopojës. Sipas disa shënimeve atë e ndeshim edhe si anëtar të Hierarkisë së Kishës Ortodokse greke në Pellagoni, ku qendrën e kishte në qytetin e Manastirit. Pra, ai ishte i edukuar me ideologji fetare ortodokse të Patriarkanës së Stambollit, e njohur me emrin Fanari i Konstandinopojës. Në ato vite bëhesh një propagandë e madhe për asimilin e kombeve të tjera të Ballkanit si shqiptarëve, bullgarëve dhe vllehëve që i përkisnin ritit fetar ortodoks. Këto etni nuk kishin kishën e tyre autoqefale, por vareshin nga kisha greke dhe serbe. Kështu, Dhanil M.A. Haxhiu si një prift ortodoks u vu në shërbim të propagandës greke për asimilimin e këtyre kombeve. Ai nuk i fshehu kurrë synimet e tija për të propaganduar mësimin e gjuhës greke që atëherë njihej si gjuha romaikos për të përfituar karrierë fetare. Në ndihmë të propagandës pro greke dhe kundër mësimit të gjuhëve bullgare, shqiptare dhe vllehe punoi për botimin e një libri në katër gjuhë që mendonte se do të ndihmonte që këta popuj të braktisnin gjuhët e tyre amtare. Libri kishte titullin: “Εισαγωγική Διδασκαλία” (Mësimi Përhyrjetore). Paradhënia e këtij libri iu kushtua nxënësve të Akademisë së Voskopojës duke ju thënë: “O ju shqiptarë, vllehë e bullgarë, tjetërgjuhës, gëzohuni e gatituni të bëheni të gjithë romaikos (grek) dhe lini gjuhën e zakonet tuaja barbare, që stërnipërve tuaj do t’u duken si përralla. Zgjohuni nga gjumi i thellë i paditurisë. Të mësoni gjuhën romaikos (greke), mëmën e Sofisë (Shën Sofisë)”.

2

Që në parathënie autori paraqet qëllimin e botimit të librit të tij, pra që shqiptarët, vllehët dhe bullgarët të harrojnë gjuhët e tyre dhe të mësojnë greqishten. Deri në vitet 1900 gjuha greke quhej nga vetë grekët gjuha romaikos që do të thotë gjuha greke e re. Grekët parapëlqenin të thirreshin romaikos se sahelenas apo grekë. Daniel Haxhiu bënte thirrje për mësimin e gjuhës romaikos që në ato vite quheshin njerëzit e fesë ortodokse të ritit bizantin dhe nuk bënte thirrje për gjuhës e vjetër greke dhe qytetërimin e lashtë të saj. Kultura dhe shkolla e grekëve të vjetër ishin armiq të betuar të kristianizmit. Në Greqi kristianizmi u përhap me dhunë, vrasje dhe prishjen e të gjitha Tempujve të Greqisë Antike.

Fjalët greke të mbledhura nga gjuhëtari Dhanil M.A. Haxhiu dhe janë botuar në fjalorin-ushtrime të tij janë fjalë të gjuhës popullore, pra fjalë gojore dhe jo të mësuara në shkolla të mirëfillta. Një pjesë e tyre janë fjalë që janë përdorur dikur në lutjet kishtare ortodokse. Fjalë që sot nuk përbëjnë lidhje-kuptimësie në fjalorin e gjuhës së sotme greke. Mundet që shumica e këtyre fjalëve që ka mbledhur autori i fjalorit katërgjuhësh t’i ketë hasur në ndonjë fjalor të vogël gjuhësor që është përdorur nga tregtarët e kohës. Fjalët vllehe (arumune) në fjalor janë fjalë që i përdorte vetë Dhanili, sepse gjuha e tij amtare ishte vllahishtja. Pra, ka përdorur fjalët e gjuhës së mëmës së tij. Ai për fjalorin ka përdorur shkronjat greke, pasi gjuha vllehe edhe sot nuk ka një fjalor unik të sajin, meqë vllehët jetojnë në disa shtete dhe përdorin fjalorë të gjuhëve të tjera si fjala vjen vllehët e Greqisë e shkruajnë gjuhën e tyre me shkronja greke, vllahët e Shqipërisë me shkronja latine, vllehët në vendet sllave me shkronja sllave. Ashtu siç kanë bërë edhe shqiptarët e Greqisë që gjuhën shqipe e shkruanin me shkronja greke, shqiptarët e Perandorisë Osmane me shkronja arabe, ndërsa shqiptarët katolikë me shkronja latine deri në unifikimin e alfabetit shqip më 1908 në Kongresin e Manastirit. Dhanil Haxhiu fjalët shqipe duhet t’i ketë mbledhur në Voskopojë dhe fshatrat për rreth saj, sepse Voskopoja banohej nga shqiptarët dhe vllehët.

Në fjalor vihet re se shumica e fjalëve shqipe janë të dialektit tosk dhe shumë pak të dialektit geg. Qartë dallohen fjalë që ende i flasin edhe sot qytetarët e Prefekturës së Korçës. Ndërsa fjalët gegnisht janë fjalë që ende i përdorin shqiptarët në Tetovë. Siç dihet dialekti gegërisht flitet nga Elbasani e lart dhe nga krahu i Maqedonisë ky dialekti nis diku nga fshatrat e Kërçovës duke vazhduar në Gostivar, Tetovë e në vazhdim në Kosovë.

Fjalët bullgare që ka sjellë në fjalor atij ia ka dhënë një prift ortodoks nga qyteti i Ohrit i quajtur Stefan. Këto të dhëna mësohen sipas disa letrave që u gjetën në vitin 1918 dhe u botuan në vitin 1925. Sipas këtyre letrave Dhanil M.A Haxhiu i shkruan priftit Stefan më 13 prill të vitit 1793, ku i kërkon një fjalor të vogël me fjalë bullgare. Në letërkëmbim shkruhet se fjalori i mbrin Dhanilit në fillim të vitit 1794. Shumë studiues japin mendimet se fjalët bullgare të fjalorit janë të folmes së qytetit të Ohrit dhe rrethinave të tij. (Pasi qyteti i Ohrit sot i përket Republikës së Maqedonisë studiuesit maqedonas pretendojnë se fjalët janë maqedonisht dhe për herë të parë kemi fjalë të shkruara të gjuhës së sotme maqedonase).

Fjalori katërgjuhësh greqisht-bullgarisht-vllahisht-shqip i Dhanil Mihal Adham Haxhiut shumë studiues pretendojnë se u botua për herë të parë në vitin 1794 në Venedik. Kopje të botimit të parë të këtij fjalori nuk janë gjetur deri më sot.

Mendoj që fjalori-ushtrime nuk mund të jetë botuar për herë të parë më 1794, por në vitin 1802 dhe nga ky botim ekzistojnë nga një kopje në Athinë, Sofje, Vjenë dhe Londër. Logjika e thjeshtë na bën të mendojmë për botimin e parë më 1802 prej faktit se asnjë kopje nuk është zbuluar deri më sot e botimit të vitit 1794 si pretendojnë disa studiues. Kemi faktin me interes se fjalori me fjalë bullgare të dërguar nga prifti i Ohrit Stefani i mbërrin Dhanilit më 1794 dhe është e kuptueshme që nuk mund të realizohej botimi po atë vit. Duke patur parasysh edhe vështirësitë e kohës për botim, studimi që duhej Dhanili t’i bënte fjalorit bullgar të dërguar nga ati Stefan.

Anglezi Willam Martin-Leake, i cili ka qenë ushtarak është i pari që e studioi këtë fjalor dhe e përktheu në gjuhën angleze, të cilin e botoi më 1814 në Londër me titull: “Researches on Greece” (Kërkime në Greqi). Ai i shtoi fjalorit edhe krahasimet e fjalëve të katër gjuhëve me fjalët angleze. Shumë studiues shkruajnë se në botimin e Leake ku gjendet fjalori i Dhanil Mihal Adham janë hequr disa vargje nga botimi origjinal. Këtë gjë e vërtetova edhe unë gjatë studimit me vëmendje të dy këtyre veprave.

Në vitet 1800-1811, Dhanil Haxhiu punoi drejtor i shkollës së Mitropolisë së Voskopojës. Studiuesi I. Qafëzëzi ka gjetur në Korçë akte zyrtare të shkruara nga Dhanil Haxhiu si prift dhe disa tapi me emrin e tij të viteve 1811, 1819 dhe 1822, viti ku mendohet të ketë vdekur.

Dhanil Mihal Adham Haxhiun botoi vetëm këtë vepër, e cila u ribotua tre herë brenda tetë vjetësh. Kjo tregon se i bëhej një propagandë e madhe për mësimin e saj. Kuptohet financuesit e saj ishin strukturat fetare greke, të cilat financonin dhe propagandonin kundër popujve të tjetër të Ballkanit, në veçanti të kombit shqiptare.

3

Njëri nga propaganduesit fetarë antishqiptar në mesin e shekullit XVIII ishte Shën Kozmain, i cili shëtiste në çdo fshat ku banohej nga shqiptarët ortodoks dhe mysliman për të përhapur greqizmin. Shën Kozmai u vra nga shqiptarët në rrethinat e Fierit më 24 gusht të vitit 1779. Shën Kozmai në Predikimin e shtatë drejtuar shqiptarëve në Epir thoshte: “Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, sesa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t‘i porosis të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t‘i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra”.

Vepra e Dhanil M.A. Haxhiu thelbësisht përmbante vazhdimësinë e librave fetarë që la në mes Shën Kozmai. Megjithëse ishte shkruar për edukim dhe mësime pedagogjike, ishte një libër që i shërbente propagandës greke për asimilimin e popujve të tjerë ballkanikë. Kleriku Dhanil i jepte prioritet mësimit dhe edukatës greke. Vlerat e këtij fjalor-ushtrimesh katër gjuhësh janë se vite më vonë do t’u shërbente studimeve të gjuhës shqipe, vllehe, greke dhe bullgare. Duke treguar se gjuhët e popujve të Ballkanit kanë vlerat e tyre historike dhe gjuhësore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here