SHPËRNDAJE

Shkruan Prof. Zymer Mehani

“Prijësit ta konsiderojnë armik gjithë bregdetin”! Teuta ishte princeshë ilire, ajo mëkëmbësoi të shoqin, Agronin, në vitin 231 p.e.s. Duke qenë gruaja e parë dhe tutore (kujdestare), njerka e Pinit, birit të rritur të Agronit (që e kishte me gruan e dytë), ajo u vu në krye të shtetit ilir e të ushtrisë, duke mbretëruar e komanduar në vitet 230-228 p.e.s.

Teuta ishte një personalitet me zë në historinë e Ilirisë, pas Bardhylit e Glaukut, Klitit e Agronit. Janë vetëm tre vjet sundimi, por vepra dhe lavdia e kësaj gruaje ka triumfuar në shekuj. Për kohën që udhëhoqi, ajo rivalizoi Ilirinë me perandorët e mëdhenj romakë. Vërtet Teuta e mori drejtimin e shtetit në një periudhë të lulëzuar, por do të duhej mendja dhe dora e saj e sigurt për ta ruajtur dhe për ta çuar më përpara këtë zhvillim. Ajo vijoi me planet dhe synimet e Agronit.

Përforcoi më tej rendin shtetëror, duke i dhënë përparësi pushtetit qendror. I dha impuls të ri zhvillimit ekonomiko-kulturor të qyteteve, si bazë themelore për një stabilitet dhe fuqizim në fushën ushtarake. U bë kujdes që të mos cenoheshin kufijtë e mëparshëm të mbretërisë (që shtriheshin nga Vjosa në Naron, përveç Durrësit, Apollonisë dhe Lezhës, që ende mbaheshin si koloni nga romakët). Vëmendjen kryesore Teuta ia kushtoi ushtrisë dhe, sidomos, flotës së fuqishme detare, jo më të vogël sesa ajo para saj. Dhe për këtë Teuta urdhëroi: “Prijësit ta quanin si armike gjithë anëdetjen”. Kështu, liburnët e flotës ilire bënin ligjin në Adriatik.

Një shtet i qendrueshëm dhe me pretendimet e veta të drejta, me një fuqi detare që sfidonte deri në hyrje të Mesdheut, nuk mund të pranohej, qoftë edhe në heshtje, nga shtetet që e kufizonin Ilirinë. Teuta, si një grua e zgjuar që nuhaste se ç’ngjiste rreth e qark, i parandjente rreziqet. Prandaj, ndërmori dhe realizoi një veprimtari të gjithanshme politike, ushtarake e diplomatike.

Ajo u përpoq për të afruar aleatë (siç ishte formimi i marrëdhënieve me Maqedoninë) për të përballuar opozitën e brendshme dhe kërcënimet e jashtme. Ndërkohë edhe strategjikisht, ajo punoi për të zbutur armiqësitë e mbretërve të veçuar dhe, përgjithësisht, për të shuar rivalitetet e grupeve shoqërore të aramatosura brenda mbretërisë. Me këtë vijë dinamike dhe elastike, mbretëresha-stratege e rriti prestigjin, fuqizoi pozitën në gadishull e Adriatik dhe përgatiti terrenin e opinionin për hapa dhe aksione të reja.

Teuta - mbretereshePër të ndaluar marrjen e territoreve të Ilirisë dhe tkurrjen e shtetit ilir në një hapësirë të cunguar, Teuta e shkallëzoi fushatën ushtarake. Me shpinë të sigurtë dhe krahun lindor aleat, ajo u vu në krye të Ekspeditës së Dytë Ushtarake Ilire (230 p.e.s.) kundër Lidhjes Epirote në jug si rreziku më serioz. Ajo frymëzoi dhe komandoi me sukses ushtrinë e flotën. Kryeqyteti epirot, Foinika (Finiqi i sotëm), që dallohej si me i pasuri midis qyteteve të Epirit, ra në duart e ushtrisë ilire. Republika e Epirit u mund politikisht dhe ushtarakisht, sepse nga pikëpamja strategjike u izolua dhe u mbajt e shkëputur nga Maqedonia.

Epiri, më pas, braktisi aleatët, etolët dhe u lidh me mbretërinë e Teutës. Pasi theu frontin kryesor, mbretëresha i shpërnguli forcat dhe zmbrapsi mësymjen e ushtrisë dardane nga Lindja, aleatit të dytë të Epirit, të cilët llogarisnin me egoizëm se mund të mashtronin “gruan stratege”, duke e futur në goditje në dy fronte. Mirëpo,Teuta u tregua më e shkathtë.

Ajo përfundoi armëpushimin me epirotët, ku siguroi njëherësh një aleancë me ta kundër akejve dhe etolëve, duke zbutur rrezikun dardan. Me këto fitore ushtarake të rëndësishme dhe disa aleanca ushtarake të njëkohshme, si p.sh. edhe me Lidhjen Arkanane, ajo e shtriu sundimin në trojet etnike, duke vendosur një kufi të drejtpërdrejtë të shtetit të saj me atë të botës greke.

U ktheu vëmendjen dhe fuqive në Perëndim, drejt qyteteve bregdetare që të largonte kërcënimin më të madh (praninë romake). Kështu, në pranverën e vitit 229 ndërtoi anije të tjera dhe i dërgoi në viset e Heladës (Greqisë). Pjesa më e madhe u nisën për në Korkyrë, kurse të tjerat qëndruan në limanin e Epidamnit, gjoja për furnizim, por në fakt, për ta marrë atë me dredhi.

Banorët e besuan, veçse kur panë kapjen e mureve të qytetit, vrapuan dhe luftuan derisa i dëbuan detarët e Teutës. Atëherë, kjo priti derisa erdhi në ndihmë flota e Etolisë dhe e Akaisë, të cilat, së bashku, i dolen perpara flotës ilire. Beteja u zhvillua në afersi të ishullit Paksos. Këtu detarët ilirë u vërsulën me anijet e tyre të lidhura nga katër dhe u përleshën me armiqtë. Kundërshtarët, të futur në mes të sqepave të anijeve të lidhura bashkë, mezi lëviznin, derisa në saje të shpejtësisë në të lundruar dhe të një ere të favorshme, u larguan.

Pra, grupimi detar grek u shpartallua. Ishulli me rëndësi strategjike në detin Jon (që mbyllte hyrje-daljet në Mesdhe-Adriatik e anasjelltas), ra në zotërimin e Teutës së Ilirisë. Në planin diplomatik e në fushën ushtarake, Teuta u bë shpejt objekt interesimi dhe diskutimi në shtetet përreth, posaçërisht në Romë, ambicia e së cilës tashmë ishte hedhur në Lindje. A mund ta duronte perandoria e re dhe e madhe mesdhetare rivalitetin e diplomacisë së një gruaje?

Kjo do të ishte një fyerje për superfuqinë e asaj kohe. Që të thyente epërsinë e flotës ilire, të fuste në kontroll Adriatikun dhe të dobësonte Mbretërinë Ilire, Senati romak nisi një aksion të bashkërenduar politiko-diplomatik, të shoqëruar me provokime ushtarake. Kështu, kur disa anije romake u sulmuan në Adriatik nga anijet ilire dhe disa tregtarë italikë u prekën nga ilirët në Foinike, Roma nisi dy delegatë (Gain e L. Korongain) në Shkodër, të cilët i kërkuan Teutës të ndërpriste sulmet në det.

Si diplomate, ajo premtoi se do të kujdesej që romakët të mos pësonin ndonjë padrejtësi në detin e përbashkët, por nuk mund të ndalonte lundrimin privat të nënshtetasve jashtë Ilirisë. Delegati më i ri, që s’i përshtatej kohës, guxoi të thotë: “Romakët, o Teutë kanë një zakon shumë të mirë që padrejtësitë private i ndjekin publikisht dhe u ndihmojnë atyre që dëmtohen padrejtësisht. Dhe do të përpiqemi që për së shpejti të të detyrojmë që të ndreqësh zakonet mbretërore të ilirëve”. Teuta u fye dhe u ndez aq shumë, sa çoi që ta vrisnin delegatin kërcënues.

Duke mos qenë të mësuar në atë epokë më praninë e grave si mbretëruese dhe për rolin e strategut (siç ishte rasti me Teutën e Ilirisë), atë e portretizojnë si një sundimtare krenare, nga natyra si grua dhe nga fuqia si shtet, por me dobësi (frikë dhe paqëndrueshmëri), posa merrte vesh kërcënimet romake për luftë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here