SHPËRNDAJE

Isa Boletini lindi në kullën e Boletinëve, afër Mitrovicës, më 15 janar 1864. Vitet e rinisë i kaloi në vendlindje. Në prill të 1881 mori pjesë në betejën e Shlivovës, ku u ndeshën trupat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me ushtrinë osmane.

Në 1902 u emërua komandant i “rojeve arnaute” të Sulltan Abdyl Hamitit I. Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll mori titullin “bej”. Në 1908-n, në fillim ishte në krahun e xhonturqve, megjithatë shpejt kjo lidhje u prish. Në nëntor 1908, Porta e Lartë dërgoi një ushtri prej 7 mijë ushtarësh për të nënshtruar Kosovën. Komandën e qëndresës antiosmane e mori në dorë Isa Boletini. Gjatë tërheqjes, osmanët i dogjën kullën në shenjë hakmarrjeje. Gjatë vitit 1909, Isa Boletini udhëhoqi kryengritjet e kosovarëve në Prishtinë, Prizren e gjetiu. Ishte një ndër udhëheqësit më kryesorë të kryengritjes së pranverës 1910. Nën drejtimin e tij, shqiptarët bllokuan për dy ditë në betejën e përgjakshme të Carralevës ushtritë osmane që po depërtonin në Kosovë.
Gjatë Luftës Ballkanike të 1912-s, ishte një ndër kryetarët më në zë të çetave në Kosovë. Në nëntor 1912, u vu menjëherë në mbrojtje të qeverisë së parë shqiptare, asaj të Ismail Qemalit. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar që shkoi në Londër për të mbrojtur ekzistencën e Shqipërisë së porsakrijuar. Në 1914 trupat e tij mbrojtën qeverinë e Princ Vidit.
“Baca Isë” është bërë i njohur edhe për ndodhinë që i ngjau në Londër. Teksa delegacioni shqiptar shkonte të takonte Eduard Grejin, ministër i Jashtëm asokohe i Mbretërisë, roja i kërkoi Isait me xhentilesë që të dorëzonte revolverin. Isai u bind pa fjalë. Pas bisedimeve Grej, si një anglez i vërtetë bëri shaka: Nesër gazetat do të shkruajnë se atë që nuk e bëri dot ushtria e pamat osmane, e bëra unë. Isa Boletini u çarmatos vetëm në Londër! Thonë se Isai është përgjigjur: Jo besa, as në Londër! Dhe ka nxjerrë një tjetër revolver që e mbante diku fshehur.
Isa Boletini u vra bashkë me shtatë nga njerëzit e tij në Podgoricë, mbi Urën e Moraçës, më 23 janar 1916.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here