SHPËRNDAJE

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Kongresi i Berlinit – Qershor 1878
Kërkesat e Serbisë në Adriatik

(Shkëputur nga libri “SH Q I P T A R Ë T” të George Fred Williams, Tiranë – Shtypshkronja “Dielli” – 1934 )

Lufta Ballkanike më 1912 nuk u prit me sy të mirë nga fuqitë Europiane. Historia e saj është e njohur por nuk është kuptuar krejtësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se dy gjërat më me rëndësi të kësaj lufte ishin marrja e portit të Selanikut dhe të porteve të Shqipërisë. Këta ishin vend-daljet natyrale të tregtisë së Ballkanit dhe vend-shkarkimet e hekuradhave të ardhshme. Edhe Austria priste me padurim ndonjë rast për të shtirë në dorë portin e Selanikut, por shteti serb kërkonte mbi gjithë të tjerat një port për lëvizjen tregtare të tij. Ajo ishte e mbyllur dhe e izoluar larg detit dhe në qoftë se shkeljes së tokave të huaja i jepte të drejtë, Serbia pa turp mund të kërkojë një vend-dalje në det. Grindja e shteteve të Ballkanit në mes tyre u bë shkak që gjashtë fuqitë e mëdha të Europës të marrin në dorë frenat dukë ndërhyrë që t’i pushonin këto grindje.
Austria dhe Italia rivale
Në këtë kohë duhet përmendur edhe një fazë tjetër trazimesh në Shqipëri. Austria dhe Italia urdhërojnë ose komandojnë detin Adriatik përveç ballit të Shqipërisë. Këta dy shtete kanë pritur me padurim vite me rradhë rastet për të shtirë në dorë portet e këtij vendi. Ata kanë shpenzuar të holla duke mbajtur në Shqipëri agjentë dhe shkolla për të shtuar ndikimin e tyre mbi këtë popull. Të dy këto kanë pritur ditën kur “i sëmuri i Lindjes” do t’u varrosej në anën tjetër të detit Egje. Mbi dy pika Austria dhe Italia qenë posaçërsisht në marrëveshje: e para, që asnjëra prej tyre të mos sundonte Shqipërinë dhe e dyta që asnjë fuqi tjetër të mos vendosej në Adriatik. Nga pikpamja diplomatike e përgjithshme, kjo nuk qe një gjë shume e pa arsyeshme. Pse, po të kish nën sundimin e vet Austria Shqipërinë, ajo do të gjendej vetëm 74 km larg bregut Italian në mës të Vlorës dhe Otrantos. Dhe, po të bëhej Italia sunduese e Shqipërisë, do ta kthente Adriatikun në një gji të Italisë duke e bërë “il mare nostra”, sikurse italianëve u pëlqen ta thonë. Në anën tjeter, çdo fuqi detare me zotërimin e Shqipërisë do të ishte një kërcënim e kanosje për të dyja, Austrinë dhe Italinë.
Perandoria sllave
Plani për një perandori sllave ushqehesh më tepër prej Serbisë nën emrin e krijuar “Serbia e Madhe”. Edhe Mali i Zi është bashkuar me këtë plan; që të dy duke qenë nën kujdesin e Rusisë, mbrojtëses së tyre të betuar. Me një perandori të tillë, provincat sllave, Bosnja, Hercegovina dhe Dalmacia, më lejen ose hapjen e Austrisë, do të bënin të mundur daljen e Malit të Zi dhe të Serbisë në Adriatik. Shumë u zemëruan këto shtete kur më 1908 Austro-Hungaria zgjeroi sundimin e vet mbi Bosnjen dhe Hercegovinën dhe i bëri kryekëput të vetat. Kur të gjashtë fuqitë e mëdha e patën mbaruar Konferencën e Londrës mbi ndarjen Ballkanike, ato ndoqën po ata parimet e vjetra për të mos lejuar shtetet sllave me takuar detin Mesdhe. Turqia pothuaj se qe terhequr nga Ballkani dhe një problem i madh gjendej mbi tryezën e fuqive Europiane. Këto e zhvilluan këtë duke i dhënë portin e Selanikut Greqisë dhe duke krijuar shtetin e pavarur të Shqipqrisë. Në këtë mënyrë varroseshin shpresat e Serbisë, e cila në këtë kohe është çuar në këmbe dhe ka shkelur Shqipërinë ndërsa Mali i Zi ka pushtuar Shkodrën.
Shqipëria dhe lufta botërore
Në këtë plan veprimesh Austria dhe Italia ishin pa kundërshtim fuqitë lëvizëse dhe princi trashëgimtar Franz Ferdinandi i Austro-Hungarisë shikohej si kujdestar i parimit të tyre. Serbia mjaft e zemëruar që prej vitit 1908, tani u tërbua dhe pa dyshim demonstratat e saja kundër Austro-Hungarisë qenë të rrepta dhe kërcëuese për hakmarrje. Qellimi i gjallë i Europës për të përjashtuar Rusinë dhe aleatët e saj nga deti Mesdhe shihet edhe nga fakti se kur Austro-Hungaria mori Bosnjen dhe Hercegovinën për pak qe duke u shkaktuar një luftë Europiane dhe vepra e krijimit të shtetit të pavarur Shqiptar sigurisht qe duke ndezur një ndeshje të përgjithshme. Mëria e madhe kundra Austro-Hungarisë natyrisht iu drejtua princit trashëgimtar dhe vrasja e tij në Sarajevë keqësoi pa masë marrëdhëniet midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë. Mbas kësaj, ngjarjet rrodhën shumë shpejt. Austro-Hungaria i diktoi ultimatum Serbisë dhe me kundërshtimin e tij i shpalli luftë. Rusia qiti zërin se kjo ishte puna e saj dhe brenda pak diteve pesë prej fuqive të mëdha u gjendën në ndeshje të vazhdueshme. Po të kish përmbushur Europa dëshirat e Serbisë për një skelë në Shqipëri, kjo klimë e tmerrshme nuk do të vinte. Zotërimi ose sundimi mbi Shqipëri qe pa dyshim shkaku që u shkaktua kjo luftë që po përfshin kontinentin e Europës. Kjo është historia e diplomacisë Europiane në Ballkan, me gjithë se shumë shkurt është përshkruar. Prandaj përshtatet posaçërisht titulli “Ngatërresat e Fuqive të Mëdha”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here