SHPËRNDAJE

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Shqipëria etnike
Faji i diplomacisë Europiane

(Shkëputur nga libri “SH Q I P T A R Ë T” të George Fred Williams, Tiranë – Shtypshkronja “Dielli” – 1934 )

Në qoftë se me të vërtetë bashkimi sllav është një kanosje për qytetërimin Perendimor, sigurisht historia e diplomacisë përkundrazi ndryshon kur Rusia të ketë siguruar aleatë të fuqishëm në Perëndim për shkatërrimin e Gjermanisë, pengesën më të madhe të triumfit të saj. Por në qoftë se ky bashkim është vetëm një përrallë e shpikur ose një arsyetim jo i vërtetë, atëhere diplomacia Europiane duhet të quhet fajtore ndaj krimit që bën duke mbajtur Ballkanet nën zgjedhën e dobët të Turqisë. Në njërën anë prej këtyre dy çengelave, që janë përgjigjia e këtij problemi, duhet të varet kjo lloj diplomacie. Edhe në qoftë e vërtetë se kanosja sllave qe një pretendim dhe që shtetet e mëdha deshën vetëm me gjetur shkak për të mbajtur Rusinë larg nga deti Mesdhe, vuajtjet dhe fatkeqësirat e Shqipërisë varen mbi dyart e tyre sepse Shqipëria vuajti vetëm prej fajit të tyre. Me të vërtetë me sa pak mëshirë qeveriset bota! Po to kish prishur Europa një shekull më parë sundimin otoman në Europë, patjetër faqja e qytetërimit tonë do të ishte ndryshe. Shtetet e Ballkanit do të kishin tashmë një shekull vjetërsi në lirinë e tyre dhe mundet që në rrugën e paqes do të ishin më të përparuar në pasuri, në edukatë, në tregti dhe industri. Përkundrejt të sotmes që janë të varfër e të shkatërruar prej luftash të vijueshme, të cilat janë shkaktuar vetëm e vetëm pse kërkonin të liroheshin nga zgjedha. Shqipëria tani do të mund të ishte një shtet i lulëzuar e i përparuar. Ndoshta kur diplomacia e zezë, që ka rrënjët në shekujt e errët e që bën çdo shtet të shihet me tjetrin me një armiqësi të madhe, të jetë zhdukur dhe ndonjë mënyrë simpatie njerzore dhe vllazërore të përdoret, atëhere do të kujtojme faktin që suksesi i një populli nuk është nevoja të bëhet me humbjen e një tjetri. Atëhere sllavet, gjermanët, anglezet, turqit dhe Shqiptaret mund të përfitojnë shumë më mirë nga përparimi, lulëzimi dhe lumturia e njëri-tjetrit.
Diplomacia e shastisur e Europës
Ndërkaq Shqipëria, viktima kryesore e kësaj diplomacie, mbetet e lodhur, e kërrusur dhe e zhytur në gjak sepse, edhe mbas lirimit të shteteve tjera të Ballkanit nga zgjedha, kjo u la akoma nën Turqi. Bashkë me Shqipërinë mbeti nën zgjedhë edhe Maqedonia. Po të kishte mbetur ndopak simpati njerëzore në politikën e Europës dhe ndonjë ndjenjë për të shpaguar mëkatet që ka bërë gjatë shekujve, këto fuqi do t’u kishin dhënë rastin Shqiptarëve për të formuar një qeveri dhe për të zbatuar nje statut të vetin. Edhe një dhenzë e truve të kalit do të kishte menduar që një popull trim dhe luftëtar si ky nuk do të pranonte një zgjedhë tiranie të re në vendin e së parës. Por diplomacia e shastisur vendosi të zbatojë forcën dhe tiraninë për të sunduar këtë popull; por ky vendim doemos do të binte poshtë sikurse u pa. Shtetet e Europës kanë bërtitur dhe kanë shpallur se Shqiptarët janë popull i pabindur, i egër e barbar. Por në anën tjetër deshën të krijojnë mbi ta një qeveri pa pyetur dëshirat e tyre, pa iu siguruar ndonjë farë lirie ose të drejta trashëgimore dhe biles pa asnjë këmbë ushtari për të vënë në zbatim programin e tyre: sollën vetëm disa oficerë, kurse ushtarë jo. Por, po të ishin të vërteta deklaratat e tyre, ata do të kishin sjellur fuqi të madhe të armatosur për të perkulur Shqiptarët; por këto të bërtitura ishin vetëm për të justifikuar sjelljet e tyre. Ata prenë copa me rëndësi nga toka Shqiptare dhe ia dhanë fqinjëve në Veri, në Jugë dhe në Lindje, duke shkaktuar kështu ngatërresa dhe luftëra të përditshme në mes të këtyre shteteve. Copën që mbeti nga gërshëra e tyre e quajtën shteti i pavarur i Shqipërisë. Gabimin më të madh të planeve të tyre do ta përshkruaj në kreun që vijon.
Shqipëria është bërë lëmi i ndikimeve të shumëllojshme qe e tërheqin në drejtime të ndryshme. S’ka vullnet, s’ka program e as autoritet të njohur në këtë tokë. Propaganda, intriga dhe shpifjet e fshehin të vërtetën.
Këtë e raporton Dr. Dillone nga Durrësi.
Kur gjashtë fuqitë e mëdha hartuan një plan qeverimi për Shqipërinë, vepra e tyre tregoi një pazotësi të çuditshme, sepse ai qe një plan që i nuk përshtatesh një shteti si ky. Marrëveshja e Londrës përmbante nenet:
(1) Një principatë autonome, sovrane, me të drejtë trashëgimi të fronit nga të paslindurit dhe nën sigurimin e gjashtë fuqive të mëdha.
(4) Kontrollimi i administratave qytetare dhe i financave i jepet një komisioni ndërkombëtar të përbërë prej delegatësh të gjashtë fuqive të mëdha dhe një delegati të Shqipërisë.
(7) Emërimi i princit, formimi i një qeverie kombëtare përfundimtare, funksionet e autoriteve të vendit që ndodhen si dhe qetësija e popullit i lihen në dorë komisionit në fjalë.
(8) Sigurimi i popullit dhe rregulli do të bëhet prej një organizate xhandarmërie e policie ndërkombëtare, që do të jetë në dorë të oficerëve të huaj të cilët do të kenë në dorë komandën vepruese dhe eprore të policisë e të xhandarmërisë, dhe të gjithë elementëve të nevojshëm për të siguruar qetësinë e popullit.
I lutem lexuesit me i studiuar këto pika që të formojë një vetgjykim se si mund të formohet një shtet mbi një plan si ky? Tre funksionet e një shteti janë: egzekutimi, legjislatura dhe administrimi i gjyqit. Shihet se dy të fundit nuk janë përmendur veçse si një lloj autoriteti i lënë komisionit ndërkombëtar për të formuar një qeveri kombëtare me autoritet. Funksioni egzekutiv natyrisht përfshin një kryetar egzekutues që do të ketë kontrollimin e administratave qytetare dhe të sigurimit të popullit. Marrëveshja (e Londrës) përmban një princ, por ia dha komisionit ndërkombëtar kontrollimin e administratave qytetare dhe të financave. Dhe në njërën anë e vendos sigurimin e popullit nën komisionin ndërkombetar, kurse në anën tjetër thotë: “komanda vepruese dhe eprore për të mbajtur qetësinë e popullit i jepet një organizatë ndërkombtare të kryesuar prej oficerësh të huaj”. Se çfar fuqirash i mbeten princit nuk kuptohet, kurse administratat, financat dhe sigurimi i popullit iu dhanë duarve të tjera. Sipas vendimit të marrëveshjes (së Londrës), princi do të zgjidhesh pa pyetur dëshirat e popullit dhe funksionet e autoriteteve të vendit e sigurimi i popullit u hoqën nga duart e popullit. Nuk qe vënë përpara ndonjë statut në bazë të cilit të qeverisej ky popull dhe asnjë premtim nuk i qe bërë për një liri të plotë ose për të ushtruar të drejtat tradicionale. Këtu qe vetëm një sundim tiranik dhe një despotizëm të deklaruar me urgjencë. Me sa gjykohet, kjo qe një anarki për të shkaktuar kryengritje. Po të mos ngrihesh populli Shqiptar në formën e quajtur rebelizëm, për Shqiptarët nuk do të besohej mjaft dhe do të thuhej se këta nuk kanë ide mbi lirinë që kërkojnë. Nga kjo marrëveshje e Londrës doli një ngatarresë sa nuk bëhesh më e madhe dhe më e keqe. Fuqitë e mëdha pastaj vijuan programin e tyre duke zgjedhur për antarë të komisionit gjashtë persona me pozita konsujsh. Pa e fyer këtë pozitë diplomatike, kjo vepër qe një punë e keqe sepse lëshimi i një shteti në duar të tilla nuk qe në duar të njerëzve me përvoje diplomatike. Sigurisht, që formimi i një shteti nuk u vendos në duar të përshtatshme tregohet nga fruti i veprës së tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here