SHPËRNDAJE

Në vitin 1968, në Kosovë e në Maqedoni u mbajtën demonstratat që do të njihen si Demonstratat e Flamurit.

Pas Luftës së Dytë Botërore, e sidomos gjatë asaj që njihet si Koha e Rankoviqit (Aleksandar), shqiptarëve u është ndaluar përdorimi i simboleve kombëtare, transmeton Telegrafi.

Rankoviqi bie më 1966. Më 1968 mbahen disa tubime publike, tek shqiptarët e Kosovës, që ringjallën dinjitetin dhe krenarinë kombëtare. Këtu vlen të përmendet Konferenca Albanologjike e mbajtur në Tiranë (17 janar 1968) dhe Simpoziumi shkencor mbajtur në Prishtinë (9-12 maj 1968), me rastin e 500 vjetorit të vdekjes se kryetrimit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ku morën pjesë studiues shqiptarë e të huaj të fushave të historisë, të letërsisë, të gjuhësisë, të folklorit dhe të etnografisë. Pastaj, ishte Konsulta e njësimit të gjuhës shqipe, e mbajtur më 22-23 prill 1968 në Prishtinë, në të cilën u konstatua se si “gjuhë letrare e shqiptarëve në Jugosllavi njihej njëzëri gjuha letrare e shtetit amë (Shqipërisë)”. Si dhe, ishin edhe manifestimet e shumta të mbajtura me rastin e 90 vjetorit (qershor 1968) të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Zyrtarizimi i këtij lejimi i përdorimit të flamurit shqiptar u bë në mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Socialiste të Kosovës, më 4 tetor 1968, në Prishtinë, pasi paraprakisht ishte dhënë dakordimi në nivelet më të larta shtetërore të Federatës jugosllave.

Ndërkaq, studentët u hodhën në demonstrata në nëntor me flamuj në duar, demonstrata këto që do të ndikojnë në avancimin e statutit të shqiptarëve në ish-RSFJ. Mbi të gjitha, të shkollimit universitar në gjuhën shqipe.

Peshën dhe vlerën e flamurit kombëtar, e kujton publicisti Bajram Mjeku, i cili sjell në profilin e tij në Facebook një foto interesante të 6 tetorit 1968, ku është ai (majtas) dhe djali i tij i axhës.

“Kur u lirua Flamuri një ditë të bukur me diell

Kjo fotografi u shkrep të dielën e 6 tetorit të vitit 1968, ditën kur u lirua përdorimi i flamurit kombëtar për shqiptarët në ish-Jugosllavi.

Flamuri i përmasave të vogla, erdhi dhuratë nga Shoqata Kulturore e Studentëve Shqiptarë në Lubjanë, ku ishte student axha im.

Në vitin 1968, u organizuan demonstrata të fuqishme të Lëvizjes studentore në Kosovë dhe në Evropën Lindore e Qendrore.

Fotografinë e publikoj për herë të parë për nder të Ditës së Flamurit dhe për respekt të gjithë atyre burrave e grave të Kosovës, të cilët ishin dalzotës të shkabës dykrenare”, ka shkruar Mjeku.

Kështu pra, dikur, fëmijët i gëzoheshin flamurit, u rritën si shqiptar dhe me ndjenjën se gjaku nuk është ujë, e se kombi ndryshon. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here