SHPËRNDAJE

Historia e Elseid Hysajt ka impresionuar jo pak italianët. Por sot, në prag të ndeshjes Nica-Napoli, e vlefshme për turin “play-off” të Champions League, historia e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare ka bërë bujë në një nga gazetat lokale franceze.

Dy vjet më parë, gazeta italiane “Il Mattino” i pati kushtuar një artikull Hysajt, me titullin: “Babai erdhi me gomone për të më realizuar një ëndërr” dhe pikërisht ky artikull është ribotuar sot.

“Konica.al” po risjell këtë artikull të plotë:

Vogëlushi Elseid ngrihej herët në mëngjes për të luajtur futboll në ndonjë cep rruge në qytetin e tij të Shkodrës, që ndodhet në veri të Shqipërisë. Elseidi e ëndërronte futbollin.

Ai luante dhe më pas ndihmonte mamanë e tij Shpresa dhe tre motrat, ndërsa i ati u largua drejt Italisë në vitin 1996, kur ai ishte vetëm 2 vjeç.

Që në moshën 14-vjeçare Hysaj emigroi drejt Italisë, ndërsa tashmë në moshën 21-vjeçare (23 sot) ai është një nga lojtarët më të mirë të Kombëtares Shqiptare.

“Jam i vetëdijshëm për atë që ka ndodhur, sepse histori të tilla përsëriten një në një milionë. Për këtë fakt më prekin shumë historitë e muajve të fundit, ku mijëra emigrantë detyrohen të udhëtojnë me gomone për të shuar urinë. Të njëjtën situatë përjetonim edhe ne në vitet 90’.

Bëhem më i fortë kur mendoj se babai ka sfiduar vdekjen për të kaluar Adriatikun me një mjet lundrimi 10 vendësh, ku ishin 30 njerëz të dëshpëruar dhe të ngjeshur pas njëri-tjetrit. Ata sfiduan dallgët 6-7 metra të larta.

Të fortë më bën fakti që e di se shumë të tjerë nuk ia dolën mbanë të mbërrinin deri në breg”, – rrëfen Hysaj për “Il Matino”.

Por cilët janë idhujt dhe ëndrrat e Hysajt për të ardhmen? Ja përgjigja e shkodranit: “Zanetti, Tare dhe Cana janë të preferuarit e mi. Dy të fundit i kanë hapur rrugën Shqipërisë dhe kanë bërë që në Itali të kuptojnë se të blesh lojtarë shqiptarë, nuk është një bast.

Unë synoj që bashkë me Napolin të arrijmë në zonën Champions, por e zgjodha këtë skuadër për të fituar tituj në të ardhmen”.

Elseid Hysaj ndalet edhe te një koment i gjatë për trajnerin Sarri, një mësues brenda dhe jashtë fushës së lojës, të cilin e ka pasur edhe tek Empoli: “Ai është një trajner i madh dhe duhet të tregojë se sa i zoti është.

Këtë vit ka mundësinë për të treguar gjithë vlerat e tij. E shikoj të karikuar, pasi ka në dispozicion një skuadër të mirë. Futbolli është pasioni dhe gëzimi i tij, nuk e bën këtë profesion për para”.

Elseid Hysaj do të jetë titullar në ndeshjen e sotme kundër Nicës së Balotellit. Për fat të mirë, Napoli e ka fituar 2-0 ndeshjen e parë dhe kualifikimi në grupe nuk duket shumë poblem për të kaltrit, të cilët edhe sezonin e kaluar u ndeshën në fazën në grupe të Champions, ku ishte Real Madrid që i eliminioi. Hysaj është një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në botë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here