SHPËRNDAJE

Frashërllinjtë përbëjnë disa nga trungjet fisnikë më patriotë shqiptarë të ndarë në disa degë dhe disa konfesione (të krishterë ortodoksë, myslimanë sunitë e bektashinj).

Kontributi që secila nga këto degë ka dhënë në historinë e Shqipërisë sidomos që prej gjysmës së dytë të shekullit XIX ka qenë vendimtar për emancipimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, për formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe identitetit shtetëror dhe krijimin e një gjuhe të shkruar e një letërsie me nivel të lartë.

Dyert e bejlerëve të Frashërit, përveç Vilakëve që i dhanë Perandorisë Osmane vezirë, bejlerbej e mirimiranë, nuk bëjnë pjesë nominalisht në kategorinë e «oxhaqeve» të mëdhenj për arsye se ata nuk ishin pronarë të mëdhenj latifondistë, por më tepër funksionarë të lartë të perandorisë dhe tregtarë të mëdhenj dhe në më të shumtën e rasteve me rezidencë në Stamboll.

Titujt që shumë Frashërllinj kanë mbajtur kanë qenë në bej me rytbe (që prej 1700) me ferman të sulltanit të Turqisë, por edhe bej me letër patente nga zv/mbreti dhe mbreti i Egjiptit (rasti i familjes Adhamidhi-Frashëri për shembull). Pashallarë qenë dega e Vilakëve dhe e Sulejmanbellinjve të Frashërit. Dy familje Frashëri kanë stema personale: Adhamidhi dhe Totoni.

Rrënja e trungut të hershëm të Frashërit përmendet në krye të herës me Petro Frassiarin, tregtar në Selanik në vitin 1425.

Më pas Frassarët, apo Frassinet, apo Frossinët i gjejmë kalorës stradiotë nga Këlcyra (Clissura) rajon kufitar me zonën e Frashërit rreth Dangëllisë e Përmetit deri në Nauplion si shumica e stradiotëve[3] ku, nën urdhrat e Venedikut, ata shquhen në komandimin e reparteve të Republikës së Shën Markut kundër turqve, nga 1415 deri më 1563, përkrah pinjollëve Bua,Muzaka, Maneshi, Bohali, Barbati, Klada, Këmbëthekra, etj

Fytyra e njohur , por pak për shumicën tonë është Gaqo Adhamidhi-Frashëri (Gjergj Adhamidhi), promotor i pavarësie së Shqipërisë brenda e jashtë vendit, ministër i financave i Princ Widit 1914.

Gaqi Adham Frashëri (1856-1939) ishte nga familja e Dhamellarëve, të cilët banonin në lagjen e Panollarëve të Frashërit. Lindi në Frashër. Emri Gaqi në Frashër ishte ashtu si në Korçë trajta Gaqo, shkurtimi i emrit Gjergj.

Mbiemrin familja e kish marrë nga një gjysh apo stërgjysh me emrin Adham, i cili shkurtimisht në fshat quhej Dhame. Nëna e tij ishte nga familja e Panollarëve. Gaqi, pasi mbaroi shkollën fillore në fshat, shkollën e mesme e kreu në Korçë.

Rasti e solli që në Korçë të njihej me Thoma Mitren, një patriot korçar i mërguar në Egjipt, i cili kishte ardhur si vizitor në vendlindje. Në Egjipt, në sajë të tregtisë së pambukut, ishte bërë i pasur. Thuhet se Th.Mitri kur erdhi për të vizituar Korçën, duke e parë Gaqin tepër të prirur për shkollë, i propozoi ta merrte në Egjipt dhe ta ndihmonte të kryente shkollën e lartë për mjekësi.

Sipas zërave që kanë kemi dëgjuar, Th. Mitre, synonte që pasi Gaqi të diplomohej në mjekësi, ta bënte dhëndër, duke e martuar me të bijën e tij Helenën (1870-1940). Me përkrahjen e të vjehrrit, Gaqi ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Lozanë të Zvicrës. Kur u kthye si mjek në Egjipt, Gaqi e quajti veten Gjergj, trajtë jashtë Shqipërisë më e njohur se Gaqi.

Si shumë shqiptarë të kohës së tij, edhe Gaqi i dha mbiemrit të tij me trajtë greke, nga Adhami në Adhamidhi, ashtu si disa shqiptarë të jugut i shtuan mbiemrit të tyre prapashtimin grek-idhi (Avram-Avramidhi, Jani- Joanidhi). Kjo për arsye se në Egjipt, sidomos në Aleksandri, grekët trajtoheshin me simpati nga opinioni vendas. Megjithatë, para publikut, ai u paraqit me emrin e plotë: Gjergj Adhamidhi-Frashëri. Këtë trajtë (në frëngjisht:Georges Adamides-Frascheri) ka dhe lapidari i varrit të tij, i cili ndodhet në Nicë të Francës.

Pasi u kthye në Egjipt, Gjergj Adhamidhi fitoi emër të mirë si mjek. Qoftë si mjek, qoftë si shqiptar Gjergj Adhamidhi u thirr në oborrin e khedivit (nënmbretit të Egjiptit), Abbas, një nip i Mehmet Ali Pashës Misirit dhe u emërua mjek i oborrit mbretëror. Preferenca e Abbasit për Gjergjin e ka burimin përveçse te aftësia e tij, si mjek, ndoshta edhe te fakti fare pak i njohur deri më tani tek ne, se nipi i Mehmet Ali Pashë Misirit, themeluesi i Egjiptit të pavarur, vazhdonte ashtu si gjyshi i tij, të ishte i ndërgjegjshëm për kombësinë e tij shqiptare. Këtë e mësojmë nga një letër që një frashërlli, Tahsim Frashëri, vëllai më i vogël i Abdyl Frashërit, i drejtonte nga Kajro vëllait të vet Sami Frashërit më 1875.

Ai i shkruante ndër të tjera se, në një ditë të caktuar të javës, Abbas ftonte në pallatin e tij vetëm shqiptarë të zgjedhur të mërguar në Egjipt, me të cilët ai bisedonte në gjuhën shqipe.

Mua , më interesoi figura e tij e ndritur dhe largpamëse  si historian për çështjen pellazge ; përndryshe si njeri i suksesshëm ishte milioner ( në kuptimin e sotëm).

Në një konferencë ndërkombëtare me temë “Pellazgët dhe egjiptianët”, e cila u mbajt në Kajro më 1902, doktor Gjergj Adhamidhi mbajti referatin në formën e një debati shkencor, mjeku frashërlli hidhte poshtë tezat e parashtruara nga shkencëtari grek N. Apostolidhi në atë kongres, i cili mohonte lidhjet gjenetike të pellazgëve me shqiptarët…Këtu mjafton të thuhet se Dr.Gjergj Adhamidhi e ka pasuruar dhe më tej tezën rilindëse pellazge-shqiptare.

Madje, ai ka shfrytëzuar jo vetëm argumente gjuhësore, por edhe të dhëna historike, nga të cilat të bën përshtypje një mbishkrim egjiptian i shekullit XIII p.e.s. ku përmenden për herë të parë pellazgët.

Dr. Gjergj Adhamidhi vazhdoi në Egjipt ta mbronte çështjen kombëtare shqiptare edhe në vitet e mëvonshme.

Referencat: -K. Frashëri, Frashëri – Shkëlqimi dhe rrënimi i tij, Geer, Tirana, 2010
-T. Frashëri, E vërteta e Dr. Gjergj Adamidi bej Frashërit, Rilindasi
-G. Valentini s.j., E drejta e komuniteteve në traditën juridike shqiptare,
–http://www.albanianroyalcourt.al/pages/Royal%20foundations
-Kastriot Bezati: Frashëri – simbol i atdhedashurisë, diturisë dhe kulturës në Shqipëri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here