SHPËRNDAJE

Dy rivalët më të mëdhenj në kohën e pushtimit gjerman kanë qenë Lëviza Nacional Çlirimtare  dhe Balli Kombëtar.

Përveç luftës kundër një pushtuesi të pamëshirshëm, shqiptarët po përjetonin edhe një luftë civile, e cila ka vrarë jo pak persona.

Mbledhja më e njohur në histori ku këto dy palë u bashkuan ka qenë Marrëveshja e Mukjes, e cila u mblodh për të bashkuar forcat e për të luftuar kundër një armiku më të madh, Gjermanisë.

Megjithatë kjo mbledhje nuk ishte e destinuar që të zbatohej. Më poshtë ju sjellim një material të plotë rreth kësaj ngjarjeje historike, e cila komentohet edhe sot e kësaj dite.

Për drejtimin e mbledhjes u caktua përfaqësuesi i Ballit Kombëtar Thoma Orollogaj.

Sekretar u zgjodh përfaqësuesi i FNÇ–së, Mustafa Gjinishi.

Delegatët e të dy palëve ranë në parim dakord për vazhdimin e përbashkët të luftës ndaj pushtuesve të huaj, duke miratuar krijimin e Komitetit të Përkohshëm të Shpëtimit të Shqipërisë, i përbërë nga 12 anëtarë, gjashtë anëtarë për secilën palë.

Një nga pikat kryesore të marrëveshjes ishte që lufta do të bëhej për një Shqipëri independente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike, një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.

Më tej, pas mbarimit të luftës, do të ishte populli ai që do të përcaktonte formën e qeverisjes dhe po ashtu do të zgjidhte forcën politike që duhej të drejtonte vendin.

Mosmarrëveshjet më të mëdha ndërmjet këtyre dy forcave, që çuan deri në prishjen e njëanshme të marrëveshjes nga Partia Komuniste,i krijoi pikërisht formimi

i “Komitetit të Përkohshëm të Shpëtimit të Shqipërisë”, i cili në fakt duhej të kryente edhe rolin e Qeverisë së Përkohshme deri në krijimin e saj dhe jo çështja e bashkimit me Kosovën – siç vazhdon të interpretohet ndonjëherë edhe sot.

Në krye të Qeverisë së Përkohshme  mendohej të zgjidhej Hasan Dosti.

Ky organizim i ri i dalë nga Mukja e godiste rëndë pozicionin e Partisë Komuniste. Nëpërmjet këtij vendimi ata shndërroheshin në forcë e dytë politike në vend.

Më tej, Komiteti duhej të merrte drejtimin e luftës ndaj pushtuesve të huaj, në një kohë që PKSH–ja që prej Konferencës së Pezës, më 16 shtator 1942, e kishte filluar qëndresën ndaj pushtuesve italianë. Po ashtu, PKSH nuk ishte e përfaqësuar fuqimisht në këtë Komitet.

Për shembull, anëtarë të Komitetit të Përkohshëm do të zgjidheshin nga radhët e FNÇ-së edhe Abaz Kupi dhe Myslim Peza, të cilët në mënyrë absolute nuk kishin bindje komuniste.

Madje, edhe postet që ata mendohej të merrnin, Abaz Kupi, Komandant i Përgjithshëm i forcave ushtarake dhe Myslim Peza, komandant i forcave operative në rajonin e Tiranës, ishin poste me karakter të mirëfilltë ushtarak.

Ndërkaq, Komiteti i Përkohshëm përbëhej thuajse vetëm nga ballistë dhe nacionalistë.

PKSH-ja, e cila drejtonte qëndresën aktive në këtë kohë, nuk mund ta «kapërdinte» këtë zhvillim. Kjo gjë që ja zbehte asaj më pas shanset për të marrë drejtimin e vendit.

Ajo ç’ka ishte më thelbësorja ishte që, në Mukje nuk u diskutua për të ardhmen e Këshillave Nacionalçlirimtarë, të cilët përbënin thelbin e FNÇ–së.

Këto Këshilla tashmë kishin dhënë prova si organe mbështetëse të luftës kundër pushtuesve italianë.

Sipas marrëveshjes, ato nuk do të përfshiheshin në organizimin e ri si organe vendore të Komitetit Provizor e Qeverisë së Përkohshme, por duhej të krijoheshin të tjera struktura.

Në këtë mënyrë anashkalohej plotësisht organizimi dhe lufta e bërë tashmë nga FNÇ-ja dhe Partia Komuniste. Me të drejtë lind pyetja, se kush është ajo forcë politike edhe sot, pa dashur ta thjeshtëzojmë problemin, e cila do të binte dakord me prishjen e strukturave të saj mbështetëse dhe do të lejonte delegimin e potencës së saj te kundërshtari politik?

Gjatë negociatave përfaqësuesit ballistë dominuan zhvillimin e bisedimeve. Rënia dakord për krijimin e Komitetit të Përkohshëm përbënte një sukses për Ballin Kombëtar.

Sado paradoksal të ishte ky kompromis për komunistët, arsyet e bindjes së përfaqësuesve komunistë për këtë vendim duhen kërkuar në aftësitë negociuese të Mit’hat Frashërit dhe forcën argumentuese të «juristit skolastik» Hasan Dosti, çka edhe vetë Enver Hoxhës do t’i duhej ta pranonte.

“Ju, – shkruante në letrën e tij Enver Hoxha drejtuar Ymer Dishnicës, –duke harruar objektivat, keni arritur të diskutoni dhe të votoni dëshirat e Ballit dhe jo tonat […]”.

Kështu që, disa ditë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, PKSH hoqi dorë nga zbatimi i saj, gjë që sigurisht e thelloi hendekun e mosmarrëveshjes ndërmjet shqiptarëve dhe nuk ishte një zhvillim pozitiv për vendin.

Po ashtu edhe në pikëpamje etike kjo gjë ishte e gabuar, sepse PKSH–ja ra dakord për të bërë marrëveshje, kështu që duhej të respektonte vendimin e delegatëve të saj.

Siç u theksua qysh në fillim të shkrimit, shkaku i prishjes duhet kërkuar te krijimi i Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë, i cili rrezikonte pozitat e PKSH dhe të E. Hoxhës.

Kësisoj, atij nuk i nevojitej ndonjë këshillë apo urdhër nga pala jugosllave për të prishur diçka që edhe atij vetë nuk i vinte për shtat.

Edhe Enver Hoxha në Konferencën e Labinotit, 4-9 nëntor 1943, artikuloi të njëjtin mendim si ballistët në Mukje, në lidhje me të ardhmen e Kosovës, pra që e ardhmja e Shqipërisë etnike varej nga respektimi i Kartës së Atlantikut.

Balli Kombëtar, si para ashtu edhe pas marrëveshjes së Mukjes, dominohej nga përçarja dhe mosmarrëveshjet ndërmjet rrymave të brendshme, duke mos arritur asnjëherë të konsolidonte një mendim politik dhe ushtarak për qëndrimin që duhej të mbante kjo organizatë ndaj pushtuesve.

Sigurisht që kjo gjë i vinte për shtat komunistëve. Madje, mund të thuhet se prishja e marrëveshjes së Mukjes nga Partia Komuniste, do të përdorej dhe vazhdon të përdoret ende sot si argument jo vetëm për të justifikuar dështimin politiko-ushtarak të Ballit Kombëtar gjatë luftës, por po ashtu për të justifikuar edhe bashkëpunimin e tyre me pushtuesit gjermanë.

Pa vënë asnjëherë në dyshim patriotizmin dhe ndjenjën kombëtare të përfaqësuesve të Ballit Kombëtar dhe dëshirën e tyre për një të ardhme demokratike dhe perëndimore për Shqipërinë, trajtimi i çështjes së bashkimit etnik të shqiptarëve në Mukje në këto momente mund të konsiderohet edhe si një slogan për t’u mbushur mendjen shqiptarëve për seriozitetin dhe rrokjen e organizuar të armëve nga Balli Kombëtar, ndonëse të vonuar.

Kur ata ishin për bashkimin e luftës, përse shumë nacionalistë, e sidomos ata që më vonë drejtuan Ballin Kombëtar, nuk e përkrahën platformën e Pezës dhe e refuzuan bashkëpunimin me komunistët?

Madje, mospjesëmarrja e elitës nacionaliste në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, mund të quhet pa hezitim dështimi i parë i nacionalizmit shqiptar për tu bashkuar në një front të vetëm kundër pushtuesit.

Sigurisht që Balli Kombëtar nuk mund të fajësohet për këtë gjë, sepse ende nuk ishte krijuar si organizatë, pavarësisht tendencave për ta nxjerrë atë si të formuar më kahershëm.

Një prezencë më e madhe nacionaliste në Pezë nuk do të kishte lejuar, ose të paktën do ja kishte vështirësuar punën PKSH-së, që ajo gradualisht të mbyste ndikimin nacionalist në FNÇ, ta dominonte atë, e nëpërmjet luftës të siguronte ardhjen në pushtet. Flegmatizmi nacionalist lejoi që në Pezë të hidheshin rrënjët e komunizmit në Shqipëri.

Kush i njihte dhe përkrahte komunistët në këtë kohë, e aq më pak në një vend ku komunizmi si ideologji as njihej e perceptohej fare? Koha tregoi se, pasi PKSH-ja me ndihmën e nacionalistëve si Myslim Peza e Abaz Kupi, duke përdorur si lajtmotiv luftën kundër pushtuesit, siguroi mbështetjen e një pjese të madhe të popullit.

Më pas i flaku tej elementët e padëshiruar, siç ishte Abaz Kupi. Nëse në Pezë bëhej fjalë për të formuar një organizatë të përbashkët politiko-ushtarake me pjesëmarrje të gjerë ku mund të arrihej lehtë kalimi në minorancë i PKSH, në Mukje rrymat kryesore politike vinin si forca politike të organizuara dhe kërkonin realizimin e një aleance midis tyre.

Duke ndjekur zhvillimet politike dhe ushtarake, si brenda edhe jashtë Shqipërisë, Balli Kombëtar e kuptoi që qëndrimi i mënjanuar e dëmtonte atë, prandaj duhej të bënte një përpjekje bashkimi, ose të paktën të krijohej përshtypja se ata, tashmë ishin gati që për të mirën e vendit, të bashkëpunonin edhe me komunistët.

Është e vështirë të besohet që Balli Kombëtar besonte vërtet se komunistët do të miratonin vendime kaq diskriminuese ndaj tyre. Gjithsesi, nëse marrëveshja do të prishej, ishin komunistët ata që do ishin shkaktarët.

Aq më tepër kur kjo prishje do të bëhej duke refuzuar një aspiratë madhore, siç ishte bashkimi etnik i shqiptarëve. Kështu që, më tepër se një dëshirë e vërtetë për bashkim, të krijohet përshtypja e një loje të hollë politike.

Nëse marrëveshja funksiononte, Balli merrte drejtimin e luftës. Nëse jo, ata ishin të justifikuar – ashtu edhe siç vazhdohet të interpretohet ende sot.

Pra, për të përfituar politikisht, Balli Kombëtar duhet që ti jepte luftës në Mukje një karakter më të gjerë, më mbarëkombëtar. Bashkimi kombëtar duhej të bënte dallimin e Mukjes.

Në këtë mënyrë ata shpresonin të fitonin një përkrahje më të gjerë në popull se PKSH-ja. Vetëm thirrja për të luftuar nuk mjaftonte. Një pjesë e mirë e shqiptarëve kishte kohë që e kishte filluar luftën.

Kësisoj, duke vlerësuar problematikën e kohës, situatën që po kalonte vendi si edhe pafuqinë që kishin shqiptarët për të ndikuar në vendimet e më të mëdhenjve, vendosja e theksit nga Balli Kombëtar te bashkimi i menjëhershëm me Kosovën, me shumë gjasa kishte më tepër karakter propagandistik dhe demagogjik.

Delegatët e Ballit Kombëtar këmbëngulnin që bashkimi me Kosovën të përfshihej si detyrë e ditës. Sipas tyre, detyra kryesore e shqiptarëve ishte të luftonin për mbrojtjen e Kosovës që gjatë luftës. Pas debatesh të zjarrta për çështjen etnike, u arrit që fjala «të luftojmë» që propozonte Balli, të zëvendësohej me «të përpiqemi» për çlirimin e Kosovës.

Çarja e Mukjes ishte e destinuar qysh në fillimet e saj. Nuk ishte Çështja Etnike ajo që prishi marrëveshjen,– madje të pretendosh se nacionalistët shqiptarë u sakrifikuan për çështjen e Kosovës është naivitet. Edhe sikur ajo të mos ishte trajtuar në Mukje, me gjasat më të shumta ky bashkëpunim nuk do të kishte funksionuar.

Nëse FNÇ-ja ishte nën dominimin komunist, Komiteti i Përkohshëm i dalë nga Mukja mbizotërohej nga ballistët.

Të dyja palët nuk ishin të gatshme të pranonin rolin drejtues të palës tjetër, kështu që është absurde të mendohet që Partia Komuniste mund të pranonte një strukturë drejtuese të luftës që nuk drejtohej prej saj, e sidomos në një kohë kur kishte afro dy vjet që luftonte.

Pas pushtimit gjerman, antagonizmi në rritje ndërmjet Ballit Kombëtar dhe FNÇ-së u bë një nga faktorët kyç për politikën e jashtme gjermane në Shqipëri.

Premtimet e tyre, që pushtimi ishte një pasojë e pastër e nevojave ushtarake, lidhur me garancinë e një Shqipërie të pavarur, zgjonte te nacionalistët shqiptarë shpresën për realizimin e një politike të brendshme dhe të jashtme relativisht të pavarur.

Mesa duket edhe për ballistët pavarësia e pretenduar mjaftoi për të shmangur konfrontimin me trupat gjermane dhe si fillim të pranonin realitetin e vendit të pushtuar.

Argumenti i gjermanëve, që në vend duhej të mbizotëronte rendi dhe qetësia u pranua nga gjithë forcat nacionaliste, me përjashtim të Lëvizjes Nacionalçlirimtare partizane.

Është e pakundërshtueshme që E. Hoxha ishte i interesuar të sundonte i vetëm pas luftës, por që t´ia hedhësh vetëm atij fajin e dështimit të një bashkëpunimi mes këtyre dy grupeve nuk përkon plotësisht me realitetin.

Supozimi që Balli Kombëtar ishte i detyruar të bashkëpunonte me gjermanët, si pasojë e fillimit të luftës civile pas prishjes në Mukje, është tepër i dyshimtë dhe i diskutueshëm.

Deri në fund të tetorit 1943, ndërmjet partizanëve dhe ballistëve kishin ndodhur vetëm përplasje ushtarake sporadike dhe nuk ekzistonte akoma asnjë direktivë e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ për të luftuar kundër Ballit Kombëtar apo grupimeve të tjera jokomuniste.

Si Balli Kombëtar, ashtu edhe Partia Komuniste, kishin të njëjtin shqetësim, sigurimin e drejtimit të vendit pas largimit, tashmë të parashikueshëm, të gjermanëve nga Shqipëria.

Këtë e dëshmon edhe fakti që, gjatë Operacionit të Dimrit, kur lëvizja partizane thuajse u likuidua plotësisht, Balli Kombëtar e intensifikoi bashkëpunimin me gjermanët, sepse e shikonte më pranë karrigen e pushtetit, pas largimit të gjermanëve.

Edhe pretendimi që artikulohet sot, se Balli Kombëtar ishte i interesuar në formën e qeverisjes dhe jo të vinte në qeveri – është po ashtu i pasaktë dhe krejtësisht jo logjik. Një forcë politike punon për të ardhur në pushtet, prandaj përse duhet që Balli Kombëtar të mendonte e vepronte ndryshe?

Sigurisht që pushteti nuk mund dhe nuk duhej të merrej me dhunë, por Balli Kombëtar tashmë ishte diskretituar në sytë e shqiptarëve si bashkëpunëtor i pushtuesve. Fajtori kryesor për këtë gjë ishte ai vetë, e jo komunistët.

Pavarësisht se Marrëveshja e Mukjes nuk u pranua nga PKSH–ja, për Ballin Kombëtar opsioni i luftës kundër pushtuesve gjermanë, pa bashkëpunuar me LNÇ, por me grupimet e tjera nacionaliste dhe me mbështetjen e anglezëve, mbeti gjithnjë i hapur.

Balli Kombëtar ishte e vetmja forcë politike shqiptare, në të cilën nuk u atashua zyrtarisht asnjë mision aleat gjatë luftës.

E para, sepse ai konsiderohej nga aleatët si bashkëpunëtori gjermanëve dhe së dyti dhe më kryesorja, Balli Kombëtar nuk arriti asnjëherë të formatohej si një organizatë kompakte politiko-ushtarake.

Edhe nëse aleatët do të tentonin të dërgonin ndonjë oficer ndërlidhës pranë tij, do t’u duheshin shumë të tillë – një për kokë –, sepse mungonte drejtimi i unifikuar e aq më pak prania e një shtabi të mirëfilltë ushtarak.

Bashkëpunimi, si mjet për të asgjësuar partinë rivale, në fund të vitit 1943, ndonëse u paralajmëruan nga anglezët për konsekuencat politike të kësaj strategjie, u dukej ballistëve si rruga më e sigurtë dhe, me sa duket edhe më komode, për të ndaluar rritjen e lëvizjes komuniste.

Kjo gjë e ndihmoi Partinë Komuniste që si fillim, ta demaskonte atë në popull dhe më vonë ta godiste përfundimisht.

* Dr. Marenglen KASMI, Studiues i Shkencave Historike

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here