SHPËRNDAJE

Shkruan: Bajram PEÇI

Arkeologu, shkrimtari e publicisti Moikom Zeqo po jep përmes publikimeve të tij në shtypin e përditshëm një ndihmesë të vyer në çështjet e kulturës kombëtare e atë të trashëgimisë kulturore.
Një e tillë u botua këto ditë në Shqiptarja.com në formën e intervistës, ku mes të tjerash, vendosur nën vështrimin kritik, ngrihet me shqetësim të dukshëm gjëndja e arkeologjisë shqiptare. Për të mos humbur në përsiatjet që do vijojnë le ta themi që në krye se udha që të shpie në më të mirin arsyetim është kthimi i kokës mbrapa për të parë në të shkuarën tonë, pasojat e të cilës ende i vuajmë.

I pari tipar që ndesh, padyshim fatkeq për shqiptarët, është hapësira boshe shumë shekullore e historisë tonë të mesjetës së hershme.
Do kërkonte shumë kohë e vend në gazetë për të shpjeguar psenë, por do mjaftonte të dinim se pas rulit pesë shekullor otoman, që shtypi çdo kujtesë kombëtare, shfarosi çdo gjë të shkruar nga të parët dhe deri në grahmën e fundit të vdekjes nuk ja lejoi kombit shkrimin shqip, për të kuptuar e shpjeguar shumë faqe të bardha të historisë tonë.
Duke lexuar këto ditë një libërth shkruar prej J. G. von Hahn për fjalorin pellazgjik, i përkthyer e botuar në vitin 1910 prej djaloshit 24 vjeçar, Eqerem bej Vlorës, ndesh në parathënje pezmin e tij për ndodhjen në errësirë, prapambetjes në lëmë të gjuhës e shkrimit dhe nivelit të ulët të qytetërimit, ndonëse kombi të cilit i përket ndodhet fizikisht mes vendeve me qytetërim të lashtë e të përparuar.

Është gjuha dhe shkrimi që shfaq më mirë se çdo gjë tjetër nivelin mendor e atë të ruajtjes e përcjelljes së ideve e prej gjëndjes së saj, deri një shekull përpara, vjen dhe mungesave e dokumenteve dhe dorëshkrimeve për vise e troje, fise të moçme, qyteza të lashtësisë e gjithçka tjetër që ka humbur në mugëtirën e kohërve të shkuara. Te mungesa e gjuhës së shkruar dhe karakteri i ashpër e armiqësor i pushtimit turk ndodhet çelësi i krejt mjerimit të historisë tonë ende të pashpjeguar, ndaj nuk do habitesha që jo gjashtë qytete ilire por dhe gjashtëmbëdhjetë të tilla të ishin ende të papërcaktuara si vendndodhje, s’kemi as pse habitemi dhe as pse të turpërohemi për arkeologjinë tonë. Historia përbëhet nga letra e shkresa.

“E shkruara qëndron-fjalët i merr era!”-shpreheshin latinët.

Qyteti i “humbur” i Albanëve (Arbërve)

Hulumtimet për lashtësinë dhe ato çka janë shkruar për ne është e njohur se mbështeten kryesisht në arkivat e dokumentet e fqinjëve grekë, romakëve e bizantinëve dhe më pas sllavët, ndaj dhe qytezës së lashtësisë ilire, Albanopolit, mëdyshja e stepja i ka qëndruar pranë parreshtur.

E mirëkuptoj të nderuarin Moikom pse e fut në mesin e të panjohurave, por nuk jam i një mendje me të se mungesa e një qëndrimi të prerë për qenësinë fizike të tij përbën dështim të arkeologjisë tonë.
Dyshimet që kanë shoqëruar vëndndodhjen e Albanopolit nuk përcaktohen vetëm nga arkeologjia dhe s’mund të jesh dakort me thënjen se kjo përbën dështim të arkeologjisë. Në gjysmën e parë të shek. XIX, kohë kur ende vetëdija dhe ndërgjegja kombëtare ishin në formim e sipër, kjo racë e kjo njollë e bardhë gjeografike në Europë, kish tërhequr vëmendjen e studiuesve të historisë, të filologëve e linguistëve, të antropologëve e të etnografëve, madje dhe të gjeologëve e piktorëve peisazhist.
Ishin ata që shkruan të parët, që vunë piketa e përcaktuan grupin gjuhësor që flisnim, lidhjet e kësaj gjuhe me trakishten e ilirishten e që s’kishte asnjë lidhje filacioni me greqishten.

I ndoqën gjurmët e këtij kombi e kësaj gjuhe deri në origjinën ilire dhe shkelën në shumicën e rrënojave të Ilirisë së Jugut, ku kishin lulëzuar qytete e qytetërime. Një prej tyre ka qenë pareshtur në qëndër të vëmendjes, jo se ishte më i madhi, as se kishte famë historike apo pse kish lulëzuar ekonomikisht, por se i kish dhënë emrin kombit, gjuhës, trevës e më pas shtetit. Ishte Albanopoli.

Po orvatem të shpjegoj ato çka dimë për qytetin e Albanëve:

Të gjithë pranojnë se i pari që hamendëson të vendosi qytetin e Albanëve te rrënojat afër katundishtes Zgërdhesh, në këmbët jugore të qytetit të Krujës, ka qënë diplomati, konsull perandorak e mbretëror i Austrisë në Greqinë Lindore, J. G. von Hahn. Ishte vetë J.G von Hahn ai që nxiti dyshimin mbi vendndodhjen. Nëntë vjet pas botimit “Studime shqiptare”, Hahn vjen në Shqipëri dhe hyn për herë të parë në brendësinë e tokave pas Durrësit.

Përshkon prej andej rrugën në drejtim të Ndroqit, Ura e Beshirit, Tiranë e niset drejt veriut. Hahn, pa e njohur brendinë e tokave, me përfytyrim të paqartë për zonat e brendëshme, kish supozuar më parë se Albanopoli duhej të përkonte me Arbanën (Arbonën), një fshat ky në bregun e majtë të lumit Erzen, në rrjedhën poshtë Petrelës. Siç ai vetë rrëfen te “Udhëtim nëpër viset e Drinit e Vardarit-1863”, dyshimi që i rrinte pezull merr formë.

Në Arbanë s’gjen e s’sheh kurrfarë rrënojash të lashta. Heq dorë nga sa kish supozuar më parë, pranon se “…në anën tjetër unë nuk qeshë në gjendje të përcaktoj saktësisht në Shqipërinë e sotme Albaninë dhe kryeqyetin e saj Albanopolin, të përmendur nga Ptolomeu” dhe pasi merr dieni më të qarta për rrënojat e Zgërdheshit shprehet se “…dëshiroj t’u rekomandoj pasardhësve të mi, që për këtë qëllim të studiojnë në mënyrë të hollësishme rrënojat e qytetit antik të Shkurteshës, të cilat ndodhen 1 orë e gjysëm në jug të Krujës …Këto mbetje i afrohen shumë më tepër të dhënave të Ptolomeut mbi Albanopolin”. Dijetarit të shquar dhe veprës së tij, “Studime Shqiptare”, të botuar në vitin 1854 i referohen për çështjen edhe Kamilo Prashniker e Arnold Shober, dy studiues që kryen për llogari të Perandorisë Austro-Hungareze “Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi” e që në vitin 1916 e vizituan dhe skicuan shtrirjen e rrënojave në Zgërdhesh.

Por ata bien një emër të ri që ka hamendësuar për vendndodhjen e Albanopolit, Dezdevizes, dhe përmendin veprën ku flitet: Geogr. anc. de Macedoine S. 228. Ja çfarë kanë shkruar ata: ‘’Kruja ndodhet në atë zonë së cilës që në lashtësi i ishte ngjitur emri që sot mban i gjithë vendi. Ptolemeu (HI 12, 17) vendos në zonën malore në juglindje të Lissos, fisin ilir të shqiptarëve me qytetin e tyre Albanopolis.

Emri Albanopolis i mbeti edhe dioqezës mesjetare-greke Arbanum (Albanon) e cila deri në shekullin e 13-të pranohet të jetë e njëjtë me dioqezën e Krujës. Dezdevizes (Geogr. Anc. Faqja 228) donte ta identifikonte Krujën me Albanopolis-in e Ptolemeus pa patur prova”. (Kruja liegt in der Landschaft, an der schon seit dem Altertum der heutige Name des ganzen Landes haftet. In das Bergland südöstlich von Lissos verlegt Ptolemaeus HI 12, 17 den illyrischen Stamm der Albaner mit ihrem Vorort Albanopolis. Der Name Albanopolis ist auch ëeithin dem mittelalterlich-griechischen Bistum Arbanum (Albanon) verblieben, das bis ins dreizehnte Jahrhundert als mit dem von Kruja identisch angenommen ëird^^). Dezdevizes (Geogr. anc. de Macedoine S. 228) ëollte daher Kruja mit dem Albanopolis des Ptolemaeus identifizieren, ohne tatsächliche Anhalts- punkte dafür zu haben. Ëien 1919).

Të gjithë ata arkeologë e studiues që janë marrë me Albanopolin, edhe kur pranojnë apriori si vendbanim Zgërdheshin, me të drejtë vendosin brenda hapësirave të kllapave një pikëpyetje [(?)] që përdoret sipas rregullave të pikësimit për të shprehur mosbesim për vërtetësinë e asaj që është thënë përpara.

Hamendjet e vendndodhjes kanë përfshirë, me studime, përpos Zgërdheshit, tre vendbanime të tjera: Elbasanin (Skampis), Persqopin dhe rrënojat te Kalaja e Tiranës. Askund nuk kam hasur ndonjë studim për këto vendbanime me shpjegime bindëse e që përmbushin normat për t’u bërë të besueshme se mund të jenë qyteti i Albanëve.

Me keqardhje dua të vë në dukje se nuk kam gjetur gjithashtu ndonjë reference dokumentare apo citim, siç i ndeshim për Albanopolin ngjitur me Krujën, qofshin ato të hasura si mite e legjenda. Pra, janë thjesht hamendje. Përcaktimi i Hahn-it nuk besoj se është lëkundur ndopak nga këto sjellje hipotezash, pavarësisht këmbënguljes të përkrahësve të versioneve të tjera se “Hahn ka gabuar”, sa kohë prej tyre nuk i janë sjellë shkencës së arkeologjisë argumente bindëse.

Një heshtje e gjatë që e fshiu qytezën nga kujtesa

Historia e Albanopolit në dokumenta s’është përpos se ajo ç’na ka lënë gjeografi aleksandrin. libri III, Ptolemaei, Geographia, kap.12, “Vendi që zë Maqedonia”, 20. Në tokën e Albanëve (Albanoi), Albanopolis, 46.0, 41.0 5’, e shoqëruar kjo me hartën që përmban bregun Jonian me shkrimet për vendbanimet, ku dallohet dhe emri i qytezës që Ptolemeu e ka përdorur në shumë- sin gjinore (gr. Ἀλβανῶν).

Është ky rresht e kjo hartë gjithë ajo çka kemi ditur për Albanopolin, pra, që ekziston dhe që ndodhet në këto gjerësi gjeografike ptolemjane, që s’është e thënë të përputhen me shtrirjen e kordinatave të sotme. Vetëm kaq dimë për këtë vendbanim të hershëm ilir, për të cilin historiani Pëllumb Xhufi te “Arbëria mesjetare”, beson se ndodhej në vendbanimin e fisit Parthin.

Nga po ky studiues mësojmë se emërtimi Alban (Alb=i bardhë) është rrjedhojë e përkthimit të emrit Parthin (të Bardhët) që mbante fisi ilir. Shtrirja gjeografike e këtij fisi përkon me atë të Albanëve dhënë nga Ptolemeu, e që e gjejmë të rishkruar në shek. XI nga Ana Komnena, e bija e perandorit bizantin, Aleksi I, e cila, në historinë e saj të njohur shkruante se popullsia që ndodhet pas Durrësit, (atje ku Ptolomeu vendoste Albanët) e quante veten “Arbanez”. Kanë kaluar kështu afërsisht dhjetë shekuj që emri i tij të gjendet i përmendur në një kronikë të kohës. Po në këtë shekull, kronisti i Kostandinopojës, i quajtur Mikael Ataliates, përdor emërtimet albanos dhe Arbanites si pjesëmarrës në vitin 1043 në kryengritjen e strategut të Durrësit, Gjergj Maniakës.

Në fund të shek. XII, një document i zhupanit të madh serb, Stefan Nemanja, flet për “dy Pilotët në Raban” (Pulti i Epërm dhe i Ulët). Siç shihet, të dhënat janë kaq të vagullta sa interpretimi i tyre dhe hapësirës arbëre nuk ka kaluar pa dyshime e debate. “Emëri i fisit ilir Albanoi dhe qytetit Albanopolis humbi në periudhën e të ashtuquajturave shekuj të errët, të migrimit sllav në hapësirën arbëre…”-shkruan O.J.Schmitt në “Arbëria venedike”.

Atje ku afërsisht në hartë Ptolomeu vendos Albanopolin, të vetmet rrënoja të lashta që gjenden janë ato që ndodhen në afërsi të fshatit Zgërdhesh, nga ku morën dhe emrin. Kohërave më pas, pasi qyteza e lashtë e braktisur si vendbanim dhe e rrënuar ka humbur identitet, ka të ngjarë që emrin e fshatit Zgërdhesh ta marrë nga gurët e spikatur kuadratikë, të njejtë në teknikë ndërtimi si të mureve të jashtëm të Lisusit apo Persqopit. E shkruar nga Hahn si Shkurteshë, me gjasa e folur në formën Sgurdhesh, shqiptimi i emërit të sotëm Zgërdhesh bëhet më i plotë. Kështu merr kuptim edhe etimologjia e fjalës së fshatit, ndërsa Zgërdheshi për shqipfolësit nuk shpjegon tjetër përpos një shtrembërim fytyre me dhëmbët jashtë.

Studiues dhe arkeologë pranojnë se mund të mos ketë patur qytet me emër Alban, se mund edhe të ketë pasur qytet me emrin Alban, por kurrësesi Albanopolis. Gjeografia e Ptolomeut u shkrua në gjuhën dhe kulturën helenike dhe shkruesit e saj, në këtë rast Ptolomeu, i helenizoi emërtimet.

Kështu ngjau të ketë ndodhur me gjithë hartat e kësaj gjeografie, përderisa dhe qyteti Parse i persëve të lashtë edhe sot gjendet në harta me emrin grek Persepolis. Qytetin që i takonte fisit Albanoi, ai e emërtoi Albanopoli – Qyteti i Albanëve.

Hahn shkruan se gërmadhat e Albanopolit gjenden në qytezën apo rrënojat që ai i quan Shkurteshë (Udhëtime nëpër viset e Drinit e Vardarit-botime Geer 2001, përkthyes Pjetër Radiqi). “Hylli i Dritës” shkruan në vitin 1943 se gjënden në lagjen Kakariqe të Zgërdheshit.

Në vend të këtyre dy emrave referues sot atje ndesh vetëm emrin e fshatit Halilaj, por dhe një krua me emrin Alban, që siç ndodh rëndom tek ne, as ëshë përfillur si argument për praninë e një emri në këmbët e atyre rrënojave që po orvatemi të shpjegojmë se i përkasin qytetit Alban. Kërkimet e para i bënë shkarazi austriakët dhe italianët, që rilevuan sistemin fortifikues, me muret karakteristike rrethuese të ndërtuar me blloqe gurësh kuadratikë shumë të mëdhenj.

Kohë pas kohe këta gurë janë marrë dhe muret rrethues e ngrehinat e brendëshme kanë ardhur duke u pakësuar. Në vitet pas Luftës së II Botërore, filluan intensivisht gërmime në vendet prehistorike dhe antike, të cilat u ndërmorën udhëhequr nga kërkesa për të ndihmuar në përcaktimin e etnogjenezës. Ky project përfshiu dhe Zgërdheshin.

Në vitin 1950 atje punoi në ekip arkeologu i njohur Selim Islami, prej të cilit vijnë të vetmet lëndë arkeologjike artefaktesh dhe pranimin e tij në mënyrë të kushtëzuar se kemi të bëjmë me qytetin e Albanëve. Dhjetë hektarët ku shtrihet qyteza antike janë sot pothuaj të papërshkueshme nga shkurret e pyllëzimi dhe nuk mendoj se janë të gërmuara, përfundim të cilin e nxjerr ngase e kam përshkuar dy herë në këmbë në gjatësinë veri-jug e gjerësinë lindje-përëndim.

Ekspedita e S.Islamit nxorri në dritë muret rrethues, (diku thuhet 70 metra, diku tjetër përmenden 90 metra, por me sy të lirë shihet se janë shumë e shumë më tepër) disa shkallare e pak rrënoja ndërtimesh.

Më në thellësi, siç është gërmuar në Butrint, Apoloni e Bylis, ka pak gjasa të jenë bërë. Nga ajo periudhë askush më ska shkelur me ndonjë site arkeologjik në Albanopoli, pra mbetet i paeksploruar.

Edhe kështu si Albanopoli është sot, ndjehesh se gjëndesh në gjurmët e një qytetërimi të lashtë të Mesdheut e ke përpara një vlerë e pasuri të madhe të trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

Albanopoli dhe Kruja në dokumentet kishtare

Të ishte vallë vetëm intuita që e bënte J.G. von Hahn të këshillonte pasardhësit që të merreshin me rrënojat e Zgërdheshit për të gjetur Albanoplin? Në të vërtetë ky studiues i shquar kish filluar të besonte se kish rënë plotësisht në gjurmë, pasi ishte njohur me të dhënat nga kisha katolike, të cilat, siç shkruan, shërbyen si “pikëmbështetje të sigurta”.

Ai njihet me kronikat që kryepeshkopi i Tivarit, monsinjor Karl Pooten, kish mbajtur në vazhdim të veprës së Farlatit, “Ilyricum Sacrum”, për historinë e kishës shqiptare.

Hirësia e tij kish kërkuar në dokumentet e kishës dhe kish gjetur se Episcopatus Arbanensis i dikurshëm kufizohej me peshkopatën e Krujës, pasi në rastet kur posti i klerikut mbetej bosh, administrimi i saj merrej përsipër nga ana e peshkopit të Arbanos (Albanos). “A mund të provohet eventualisht emri Arbanum në dioqezën tuaj?”. Kjo ishte pyetja që Monsinjor Karl Poten i drejtoi kryepeshkopit të Durrësit.

Monsinjor D’Ambrozio u përgjigj: Edhe sot e kësaj dite e gjithë fusha bregdetare që shtrihet mes derdhjes së lumenjve Mat dhe Erzen, krahas luginës së Tiranës, quhet prej banorëve të atyshëm Arbëni. Më tej, J.G VON. /revistaRrënjët/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here