SHPËRNDAJE

Nga Gjergj Thanasi

Në vitin e mbrapshtë 1997 u vu re një fenomen i panjohur për shqiptarët: plaçkitja e bankave, rrëmbimi i bankierëve dhe plaçkitja e parave dhe sendeve me vlerë të pasagjerëve të autobusëve ndërqytetas.

Veprimet e bandave të armatosura kryesisht me inspirim apo edhe me urdhër të së majtës shqiptare në v. 1997 ngjanin si dy pika uji me veprimet e njësiteve guerrile dhe formacioneve partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Duke u mbështetur në dokumente nga burimet arkivore zyrtare italiane e gjermane do të ofrojmë një tablo të pjesshme të vjedhjes, grabitjes së floririt, sendeve me vlerë parave letër nga formacionet guerrilje komuniste në periudhën pranverë-verë 1943 dhe vjeshtë 1944. Burimet tona të informacionit janë dokumente zyrtare të forcave të pushtimit italian, të Karabinierisë mbretërore, të GAF-it (Roja e Kufirit), të Milicisë fashiste apo edhe kuesturave të ndryshme në territoret e banuara nga shqiptarët në Ballkan.

Korçë 4 prill 1943

Banda partizane e komanduar nga Shefqet Mulka ndaloi rrugës për në Leskovik një kamion të Shoqërisë SASTEB dhe grabiti ushqimet dhe një sasi frangash ar, që transportoheshin me të. Banda la një dëftesë për sendet e grabitura. (Komanda e lartë e forcave italiane në Shqipëri).

Lexuesve besojmë se u kujtohet dëftesa të ngjashme që lëshonin komitetet e kryesuara nga kol. Kocia apo gjen. Gozhita në Sarandë e Gjirokastër, kur grabisnin mjete të ndryshme transporti ne pranverën e v. 1997.

Gjirokastër 15 prill 1943

Banda Dume (Baki) ndaloi autobusin, që vinte nga Leskoviku, pasi kontrolluan pasagjerët dhe morën një sasi sendesh me vlerë dhe parash në kartmonedhë e lejuan autobuzin të vazhdonte udhëtimin drejt Gjirokastrës. (Komanda e lartë e forcave italiane në Shqipëri)

Korçë 16 prill

Persona të armatosur të bandës së Rahman Zvarishtit morën një sasi barnash mjekësore dhe frangash letër nga depoja e minierës së Xhardes 4 Km nga Qafë Thana. (Komanda e lartë e forcave italiane në Shqipëri)

Vlorë 5 maj 1943

Natën e pesë majit disa rebelë të armatosur me shenjën komuniste në kapele hynë në kapanonin, ku flinin punëtorët italianë në Crionero (Ujë i Ftohtë). Ata u grabitën 20 punëtorëve italianë veshmbathje dhe të gjitha të hollat, që kishin me vete. (Komanda e Milicisë fashiste)

Gjirokastër 8 maj

Rreth 20 persona të armatosur me 2 mitralozë ndaluan disa automjete civilë në Rrugën Ersekë- (Përmet)-Leskovik duke grabitur mallra, pako postare për karabinierët e tenencës (nënrepartit) të Leskovikut si edhe të hollat e udhëtarëve. (komanda e lartë e forcave italiane në Shqipëri)

Gjirokastër 8 maj

Njëzet persona të armatosur ndaluan autobusin civil të Linjës Llongo (Pogon)- Gjirokastër dhe u grabitën udhëtarëve 25 napolona flori dhe 100 napolona letër. Banditët flisnin  greqisht dhe shqip dhe mbanin në kapele shenjën dalluese komuniste. (Komanda e lartë e forcave italiane në Shqipëri)

Prizren 23 maj

Në lokalitetin Qafarat të Pukës një bandë komuniste grabiti 7 udhëtarë, që udhëtonin me një makinë me targa Shkodre në pronësi të Medo Dervishit. Udhëtarëve ju grabitën sende me vlerë dhe të holla në shumën 200 napolona. (Komanda e karabinierisë mbretërore në Shqipëri)

Gjirokastër 24 maj

Disa rebelë të armatosur komunistë sulmuan disa vetura civile në lokalitetin Llongo-Kakavijë duke u grabitur 9240 napolona monedha floriri turke dhe rreth 300 napolona letër. Personat e grabitur shqiptarë  të ish Mbretërisë së Greqisë del se kishin ardhur ilegalisht në Gjirokastër për të blerë mallra në tregun e Gjirokastrës për t’i shitur më pas në tokat e Camërisë. (karabinieria Gjirokastër)

Elbasan 4 qershor

Natën e 4 qershorit 50 persona të armatosur me shenja komuniste në kapele 2 Km.larg Elbasanit sulmuan furgonin e Shoqërisë elektrike SITA. Shoferi pasi ju grabitën 4 000 franga ar (faktikisht letër), u la i lirë të vazhdonte rrugën. (garnizoni Elbansan)

Berat 7 qershor

Bashkëpunëtorë në vrasjen e Drejtorit të Bankës së Shqipëirsë, Dega Berat dhe llogaritarit të bankës Primo Mecchini thuhet se kanë qenë prefekti i tanishëm Lutfi Shehu dhe kuestori Sherif Zevani.

I pari ka bashkëpunuar me banditët komunistë për organizimin e vrasjes dhe fshehjen e motivit të grabitjes si gjoja vrasje politkie me profil anit italian, ndërsa i dyti ka strehuar në shtëpinë e tij për 4 netë rresht një nga atentatorët,që kishte mbetur i plagosur gjatë sulmit gjakësor. Shehu dhe Zevani janë që të dy me ndjenja nacionaliste anti italiane dhe ka prova se  po bashkëpunojnë me komunistë si të arratisurit Radovicka, Ujaniku apo Staravecka. (Komanda e Armatës IX)

Vlorë 23 qershor

Katër komunistë të armatosur me pistoleta hynë në zyrën e postës civile Vlorë dhe grabitën 24 000 franga në para të thata si edhe kutinë e sendeve me vlerë, që kishte ardhur nga Fieri dhe do dorëzohej Banca di Napoli, Dega Vlorë. (Karabinieria Vlorë)

Korçë 15 qershor

E njëjta bandë komuniste, që sulmoi eskortën e gjen/major Triccoli (gjenerali u plagos) sulmoi në orën 8 të mëngjesit të 15 qershorit Mario Alfredo Mancini-n,33 vjec, banues në Strugë me punë  llogaritar i ndërmarrjes AMMI. Mancini u vra, ndërsa ju grabit canta me franga shqiptare dhe lira italiane.  Motorcikleta, me të cilën udhëtonte Mancini, u dogj nga banditët. (Komanda e Korparmatës IX)

Në këto informacione të ofruara nga dokumentet zyrtare italiane d.m.th. nga burime informacioni me besueshmëri të lartë vërehet se grabitja me armë e parave në kartmonedhë apo monedha floriri si edhe sendeve me vlerë  nga formacionet guerrilje komuniste ishte  një gjë e zakonshme gjatë viteve të luftës.

Historiografia zyrtare komuniste në botimezyrtare si Historia e Shqipërisë, Historia e Lëvizjes Nacionalclirimtare, Historia e PPSH-së, historikët e Luftës Nacionalclirimtare në qarqe të ndryshme etj. në asnjë rast nuk përmend grabitje parash apo sendesh mevlerë nga njësitet guerrile e formacionet partizane.

Shumë, shumë flitet për marrje ushqimesh, veshmbathjesh, materialesh farmaceutike apo propagandistikepër nevojat e luftës. Vrasja e bankierëve, llogaritarëve e kasierëve italianë nëa to raste,që përmendet, justifikohet si vrasje spiunësh apo elementësh të rrezikshëm fashistë. Tipik është rasti i grabitjes me armë të Bankës së Shqipërisë, Dega Durrës në korrik 1943 nga njësiti guerril Durrës.

Në Historiën e Luftës Nacionalclirimtare dhe në pllakën përkujtimore në murin e Bankës flitet vetëm për marrje kaq e aq kuintalësh sheqeri, orizi e letre cigareje për nevojat e partizanëve të Grupit të Pezës dhe nuk përmenden sasi të konsiderueshme të frangave letër, lirave italiane dhe markave gjermane të okupacionit për Greqinë të vjedhura në Bankën në fjalë.

Po ashtu nuk përmendet fakti, që nëpunësve dhe klientëve, që ndodheshin në bankë në momentin e grabitjes, ju vodhën 4 orë dore dhe një sahat xhepi si dhe disa bizhu personale dy klienteve italiane të bankës. (Informacion i hollësishëm i karabinierisë Durrës për Kol. Gamucci-n e Karabinierisë mbretërore Tiranë).

Pra guerrilasit trima për nevojat e luftës u kishin marrë burrave e grave sahatët, vathët, byzylykët dhe unazat e arta. Veprimetë tilla të nacionalçlirimtares të kujtojnë foton e pa retushuar të kapterrit bolshevik,që ngre flamurin e fitores mbi ndërtesën e Raishtagut në Berlin.

Ushtari ka në të dyja duart 6 orë dore grabitur gjermanëve, që po i clironte nga nazizmi. Grabitje të tilla me armë si ajo e korrikut 1943 në bankën e Durrësit ngjajnë si dy pika uji me grabitjet me armë për motive ordinere të bankave kudo në botë.

Hajdutëria e komunistëve shqiptar në prag të fitores mbi kundërshtaret e tyre dhe sidomos pas fitores morri përmasa të jashtëzakonshme. Në nëntor 1944 nëpunësit shqiptarë të Bankës së Shqipërisë, dega Prizren u dorëzuan brigadave partizane shqiptare 4 milion franga ar (letër) të mbetura në bankë pas shpërbërjes së administratës shqiptare dhe tërheqjes nga Prizreni të në repartit të Divizionit SS Prince Eugene.

Procesverbali i dorëzimit mban firmat e dy komisarëve shqiptarë: Komisar Sali Verdha (për Brigadën XIII partizane)dhe Komisar Ramiz Alia (për Divizionin V).

Këto 4 milion franga ar nuk u kthyen kurrë në arkën e Bankës së Shqipërisë, as kur ishte drejtor Dhimitër Pasko, as kur u bë drejtor Kostë Boshnjaku.

Në këtë përvjetor të 29 nëntorit, mbas fakteve të lartpërmendura mund të themi se partizanët tanë trima e çliruan Shqipërinë edhe duke plaçkitur me armë vetura, furgonë, kamionë, banka, franga e lira italiane letër, napolona e lira turke ar, ora dore e sahatë xhepi e sigurisht bizhuteri ari e gjithfarë sendesh me vlerë.

/Citynews

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here