SHPËRNDAJE

Lleshani në Elbasan është një nga vendbanimet më të hershme ilire. Jeta aty daton në periudhën e bronzit të vonë dhe ka vazhduar pa ndërprerje për 1000 vjet nga shekulli i XII para erës sonë deri në shekullin II të erës sonë.

Fakte të periudhës së hekurit vërtetohen nga gjetja e elementëve të kulturës materiale e përbashkët me të gjitha fiset ilire që popullonin territorin e vendit tonë. Lleshani ndodhet në zonën e Shpatit në Elbasan.

Materialet qeramike janë mjaft të larmishme dhe mishërojnë, si elementë nga jugu, ashtu edhe nga veriu, çfarë dëshmon se vendbanimi i Lleshanit në Elbasan ishte një qendër e rëndësishme e cila ndërlidhte këto dy kultura.

Por zhvillimin më të lartë Lleshani e njeh në periudhën qytetare ilire. Ndonëse nuk u kthye në një qendër e mirëfilltë urbane, materiali i gjetur arkeologjik dëshmon se Lleshani ishte një qendër e rëndësishme tregtare dhe qendër kulti.

lleshan-ok

Si dëshmi për këtë shërbejnë një numër i madh monedhash dhe terrakotash të gjetura në këtë vend e që imitojnë kokën e lopës.

Por mjaft i rëndësishëm është zbulimi i një thesari me 3000 copë monedha të cilat ishin vendosur në dy enë bronzi në formë kanash të ruajtura mirë e që, veç aspektit historik, kanë edhe vlera artistike.  Datën e fshehjes së thesarit e përcakton një monedhë romake që i përket vitit 61 para erës sonë.

Sa i përket fshehjes së thesarit ekzistojnë mendime të ndryshme. Sipas një versioni ato u fshehën pikërisht në kohën kur po zhvillohej luftë e ashpër për pushtet mes Çezarit dhe Pompeut për të kapur postin e Perandorit të Romës. Siç dihet historikisht, përleshjet e përgjakshme mes rivalëve u zhvilluan në tokat ilire dhe për këtë motiv mendohet se u fsheh edhe thesari.

Sipas versionit të dytë fshehja e thesarit lidhen me kryengritjen e fisit ilir të Parthinëve i cili e ushtronte aktivitetin e tij pikërisht në trevën mes Elbasanit, Shpatit, Dumresë dhe Beratit.

artemisa-kulti

Por autorë të tjerë mendojnë se nuk përjashtohet mundësia që thesari të jetë fshehur edhe për motive fetare.

Vendbanimi i Lleshanit mund të konsiderohet edhe si vendbanim në natyrë për kultet dhe që lidhet me atë të perëndive të cilat ishin karakteristikë për fiset ilire.

640px-Luna_statue

Pikërisht në këtë vend mendohet se kryhej riti i kultit të respektimit të blektorisë ngaqë zona ka qenë shumë e begatë në këtë drejtim dhe kjo shpjegohet edhe me portretin e lopës në monedhat e gjetura. Ky kult lidhet me nderimin që i bëhej Perëndeshës Dianë (Artemisës) për blektorinë. Burimi historik citon “Dianën e Kandavëve”, e cila e kishte marrë këtë prapashtesë për shkak të rrugës Kandavi që kalonte në malet e Polisit në drejtim të Maqedonisë. Lleshani ishte pika perëndimore e Kandavisë nga ku lidhej jugu, veriu, lindja dhe perëndimi njëkohësisht./infoelbasani.al

Fatos Salihu

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here