SHPËRNDAJE

Rruga historike e Arbërisë së dikurshme drejt Shqipërisë së sotme, ka kaluar në disa pushtime, ku i fundit dhe më shkatërrimtari ka qenë ai osman. Gjatë këtij pushtimi, një pjesë e popullsisë së krishterë shqiptare u konvertua dhe u bashkua me atë islame, ndërsa një pjesë tjetër e saj e ruajti besimin e vet. Në veri të trojeve arbërore, banorët u larguan nga qytetet e mëdha për të shkuar drejt maleve ku mund t’i luteshin Zotit në mënyrën që donin, pa u gjykuar dhe luftuar nga askush.

Ndërkohë, një pjesë tjetër vendosi që të luftonte, për të ruajtur besimin e vet. Por ku të luftonin? Përkrah kujt të luftonin? Po të mos gjenin një ushtri mike me interesin e njëjtë, largimin e osmanëve, ato do të shpërndaheshin dhe, me shumë mundësi do të luftonin kundër njëri – tjetrit.

E në fakt kështu ndodhi! Besimtarët e krishterë u ndanë në kampe, hera – herës kundërshtarë me njëri – tjetrin. Disa shkuan e luftuan jashtë atdheut përkrah vendeve të huaja, ndërsa të tjerë qëndruan brenda atdheut dhe vendosën t’i bindeshin Sulltanit.

I pari që hedh dritë mbi këto lëvizje dhe luftime është historiani dhe romancieri më i hershëm shqiptar, Dom Ndoc Nikaj i cili në dy vëllime të botuara, i pari në vitin 1907 dhe i dyti pas 10 vitesh me titull “Historija e Shqypnis”  tregon gjithë historinë e Shqipërisë, që nga koha e ilirëve e deri në ditët e tij.

Mes të tjerash, për shqiptarët që luftuan jashtë shtetit, ai shkruan (në gegërishten e vjetër, prandaj po e përshtas):

Thuajse të gjith Shqiptarët e ikur jashtë, luftuan përkrah ushtrive të vendeve pritëse dhe gjithnjë aty  u pritën me plot nderime.

Në shekullin XVI shumë shqiptarë u futën në shërbimet ushtarake të Anglisë, Gjermanisë e të Francës ku u pritën me nderime të posaçme nga ushtritë e Enrikut VII, të Masimilianit të Austrisë dhe Françeskut I.

Gjithashtu, ai flet edhe për kushërinjtë dhe fisin e Gjergj Kastriotit dhe ushtritë e huaja ku ato aderuan:

Kushërinjt e fatosit të Shqipërisë, Skënderbeut shërbyen ndër degë të huaja ushtarake ku shfaqën zemër luftarake të një fisi ku kishte zënë vend burrnia. Ecën nën emrin e Skënderbeut deri kur, me kalimin e kohës, u harruan.

Ndërkohë për shqiptarët e krishterë që luftuan përkrah osmanëve, ai shkruan:

Nuk ishin vetëm shqiptarët e kthyer në Muhamedan që i jepshin ndihmë ushtrive osmane, pasi edhe të Krishterët që me qëndresë të madhe e mbajtën besimin e tyre, të mërzitun prej ligshtisë së Evropës Kristiane që nuk i ndihmonte me asgjë përveç se me fjalë të mira, të gjithë së bashku vendosën të luftonin përkrah ushtrisë osmane.

E shpesh ushtritë e jashtme ku shqiptarët luftonin, përballeshin me ushtritë osmane, çka shkaktonte një luftë mes shqiptarëve. E gjitha kjo vazhdoi deri në fundin e luftrave mes osmanëve dhe evropianëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here