SHPËRNDAJE

Regjistrimi i fundit në Kosovë, i kryer gjashtë vite më parë, rezultoi se vendi kishte një popullatë prej 1,739,825 banorë rezidentë.

Ky regjistrim befasoi shumëkë për numrin aktual të popullatës në Kosovë që ishte besuar të ishte mbi 2 milionë, ndërkohë që ekspertë të demografisë patën tërhequr vërejtjen për standardet e rënda të vendosura nga agjencitë statistikore ndërkombëtare, shkruan Konica.al.

Regjistrimi i bërë në vitin 1981 kishte rezultuar me një popullatë prej 1,584,558 banorë, prej të cilëve 77.42 për qind ishin shqiptarë.

Në ndërkohë, të gjitha raportet demografike kanë hetuar një rritje të ndjeshme të popullatës shqiptare në dekadat pasuese.

Kështu Zyra Federale e Statistikave në kuadër të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë kishte bërë një vlerësim të përafërt të popullatës së gjithëmbarshme në Kosovë për vitin 1991, duke u bazuar në trendet e lindshmërisë, vdekshmërisë dhe migrimit nga viti 1981.

Sipas vlerësimit jugosllav, Kosova në vitin 1991 duhej të kishte 1,956,00 banorë, prej të cilëve 82 për qind ishin shqiptarë etnikë.

Duke qenë se gjatë viteve ’90 nuk pati asnjë regjistrim për shkak të gjendjes së rënduar nga regjimi i Millosheviçit, ekzistojnë dy vlerësime projektuese për popullatën e Kosovës para luftës së vitit 1999.

Vlerësimi i parë, i bërë për vitin 1997 nga Zyra Federale e Statistikave të Jugosllavisë, ishte se popullata de jure e Kosovës ishte 2,188,000 banorë, kurse ajo de facto ishte 2.166.000. Nga institucionet statistikore jugosllave vlerësohej se popullata de jure kah mesi i vitit 1998 ishte 2.222.000 banorë.

Vlerësimi i dytë, i bërë nga një grup demografësh francezë nga Universiteti i Montesquieu-Bordeaux, hamendësonte se popullata de facto e Kosovës më 1 tetor 1998 ishte midis 2,044,000 dhe 2,131,000 banorë.

Kjo përllogaritje ishte bërë duke u mbështetur në një hulumtim të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullatën, Organizatës Ndërkombëtare për Migrim dhe Zyrës Statistikore të Kosovës.

Ndërkohë, Ministria e Diasporës në Qeverinë e Kosovës, pas një regjistrimi elektronik, doli me shifrën prej 400 mijë kosovarësh që jetojnë në mërgatë, numër ky që mund të shkojë deri në 700 mijë.

Në qoftë se do t’i besohej vlerësimit ‘maksimalist’ të Zyrës së Statistikave të Jugosllavisë që Kosova në vitin 1998 kishte 2.2 milionë banorë, duke e përfshirë edhe shifrën e njerëzve që kanë emigruar gjatë tri dekadave të fundit, atëherë rezulton që Kosova do të duhej të kishte 2.9 milionë banorë. Ndërkaq, po të procedohej me vlerësimin minimalist të popullatës rezidente dhe kosovarëve në mërgim, Kosova do të duhej sot t’i kishte 2.5 milionë banorë. /konica.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here