SHPËRNDAJE

Komuniteti shqiptar i Rumanisë ka qenë gjithnjë në ballë të çështjes kombëtare shqiptare. I shquar veçanërisht në kohën e Rilindjes dhe në shpalljen e Pavarësisë, ky komunitet ka dhënë kontribute të pallogaritshme në militimin e çështjes kombëtare, në çështjen e gjuhës shqipe, të librave shqip, të çështjes së flamurit shqiptar, të himnit kombëtar etj. Janë të shumta kontributet e këtij komuniteti në të mirë të Shqipërisë, të patriotizmit dhe të emrit të mirë të shqiptarëve në mërgatë, duke nxjerrë disa prej patriotëve më në zë dhe më të shquar shqiptarë. Po cila është historia e këtij komuniteti?

Sipas të dhënave të vitit 2002, 520 shtetas të Rumanisë janë deklaruar shqiptarë dhe nga ato 484 deklaruan gjuhën shqipe si gjuhë amtare. Por mendohet në fakt se numri i shqiptarëve sot  në Rumani mund të kapë shifrën 10.000 shqiptarë.

Shumica e tyre jeton në Bukuresht, ndërsa pjesa tjetër në qendra të njohura urbane si në Temishvar, Jash, Kostancë dhe Kluzh Napovkë. Pjesa më e madhe e familjeve me besim ortodoks e kanë prejardhejen nga Korça por ka dhe të tjerë me prejardhje nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë.

Ngulmimet e para të shqiptarëve në Vllahi u shënuan gjatë sundimit të princ Mihalit II, ku në një raport nga autoritetet hasburgase u shkrua se 15.000 shqiptarë u lejuan të kalojnë në veri të Danubit në vitin 1595. Këlineshti ishte vendi që u vendosën shqiptarët dhe kjo dëshmohet nga të dhënat e studiuesit rumun Simion Movila.

Komuniteti shqiptar në Rumani u forcua shumë gjatë fanariotëve, kur mërgimtarët shqiptarë hapën bizneset e tyre të para në një numër të madh qytetesh dhe u punësuan edhe si truproja të princërve vllahë. Mërgimtarët u shënuan me emërtimet arbanas dhe arnautë. Në vitin 1820, studimet e kryera treguan se kishte rreth 90 tregtarë që ishin vendosur në kryeqytetin e Vllahisë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë por kishte dhe vllehë.

Shkëlqimin e tij të madh ky komunitet do ta kishte gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Rumania u bë qendra e nismave të mëdha kulturore të filluara nga Elena Gjika, Naim Frashëri, Jani Vreto dhe Naum Veqilharxhi dhe thuhet se në atë kohë numri i tyre arriti në 30 mijë.

Në fund të 1800-ës dhe në fillim të viteve 1900-t,  lëvizja për pavarësi  në këtë komunitet arriti kulmin. U ngritën klube të fuqishme shqiptarësh, u hapën revista dhe shoqata të shumta që militonin për çështjen shqiptare.

Në vitin 1905 në qytetin e Kostancës u hap një shkollë shqipe dhe një ndër nxënësit më të famshëm ishte dhe Asdreni. Në Bukuresht gëlonte si askund lëvizja për gjuhën shqipe, për arsim, për pavarësi, shtypeshin libra shqip, kërkoheshin mënyrë dhe mjete për të çuar libra në Shqipëri dhe shqiptarët e Rumanisë  me të drejtë mund të quhen ndër patriotët më të famshëm shqiptarë që milituan për pavarësimin e Shqipërisë.

Tashmë e dëshmon historia që idenë e pavarësimit të Shqipërisë e kanë pasur patriotët e mëdhenj të Rumanisë. Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë rilindas synonin të krijonin autonominë e Shqipërisë, ndërkohë që patriotët e Rumanisë duke parë shpërbërjen e Perandorisë Otomane  i ndryshuan mendimin Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit që Shqipëria të shpallte pavarësinë.

I shoqëruar nga Luigji Gurakuqi dhe Dr. Ibrahim Themo nga Mexhidia në sallën e hotelit “Kontinental” në hotelin “Viktoria” u mor vendimi historik i shpalljes së Pavarësisë dhe ku delegacionit shqiptar iu dha një shumë fiorintash të dhuruara nga mbreti dhe të mbledhura nga shqiptarët e Rumanisë për të arritur në aktin e madh, më të shquarin e historisë shqiptare, në Shpalljen e Pavarësisë.

Ja çfarë u arrit në Bukuresht:

… U desht fare pak kohë, që Ismail Qemali dhe delegacioni i tij, ta kuptonin se Turqia ishte përfundimisht e humbur dhe se pavarësia e plotë nga Turqia ishte e vetmja zgjidhje. Për më tepër, komuniteti shqiptar i Bukureshtit, kishte filluar ta konsideronte këtë akt si të kryer tashmë.

Patriotët shqiptarë në Bukuresht me kohë kishin përgatitur flamurin kombëtar, i cili do të ishte simboli i shtetit shqiptar si dhe një bandë (korë) muzikore, që do të këndonte himnin kombëtar.

Pas disa konsultimesh më 5 nëntor në Hotelin “Kontinental” të Bukureshtit, u mbajt mbledhja e përfaqësuesve të komunitetit shqiptarë dhe të delegacionit në krye me Ismail Qemalin që kishte ardhur nga Stambolli. Në kujtimet e pjesëmarrësve të kësaj mbledhjeje, që jetuan deri vonë, thuhet se: mbledhja vendosi njëzëri për pavarësinë e Shqipërisë dhe ngarkoi Ismail Qemalin dhe delegacionin e tij të kontaktonte përfaqësuesit diplomatikë të Fuqive të Mëdha dhe të merrte aprovimin e tyre për këtë vendim. Në kujtimet e tij Sejfi Vllamasi, tregon se në momentin e largimit nga Bukureshti, Kristo Meksi i la në dorë Ismail Qemalit një çek prej 500 mijë frangash ari, dhuratë e Kryeministrit Rumun Taqe Junesku…

 

(U shfrytëzuan të dhëna nga Enciklopedia shqiptare)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here