SHPËRNDAJE

Një nga familjet më të dëgjuara voskopojare është dhe familja Sina. Fama e të cilëve i kaloi kufijtë ndërkombëtarë. Sipas studiuesit Stilian Adhami në librin e tij “Voskopoja dhe monumentet e saj”, familja Sina që ishin tregtarë dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e Voskopojës. Ishte një nga familjet më të njohura në kohën e lulëzimit të qytetit, në shekullin e zhvillimit të tij.

Pas shkatërrimit të Voskopojës, Simon Sina do të emigronte në Vjenë. Aty do të merrrej me importin e pambukut me shumicë nga Maqedonia, të pëlhurave dhe punimeve prej metali dhe qelqi. Ai ishte tregtari i parë që futi në kufijtë e perandorisë osmane si mjet këmbimi monedhën Taler me figurën e Maria Therezës, që ishte mjeti kryesor i shkëmbimit tregtar në perandorinë austro-hungareze. Kishte një pasuri të jashtëzakonshme dhe prona në të gjithë skajet e Ballkanit.

Gjergj Simon Sina, i biri,  lindi në Nicë më 1783 në familjen e dëgjuar voskopojare të Sinave, me prejardhje të hershme vithkuqare. (Në disa burime të tjera thuhet se ato ishin arumunë). Po kjo nuk është dhe aq e rëndësishme. Ata quheshin voskopojarë gjatë gjithë jetës së tyre dhe këtë e kishin krenari.

Në moshën 8 vjeçare i ati e futi në shkollë në Vjenë për të mësuar aq sa e lejonin kushtet  për të marrë mësimet e para ekonomike në mënyrë që ta ndihmonte për fushën e tregtisë që ai zhvillonte.

Duke ndjekur rrugët e të atit, Gjergji u mor me profesionin e tij në mënyrë të tillë sa habiti gjithë botën tregtare me gjallërinë dhe inteligjencën që e karakterizonte me anën e të cilave ndikoi shumë në zhvillimin e tregtisë midis Austrisë dhe Perandorisë Otomane. Nuk kishte asnjë instucion tregtar në Vjenë që të mos kishte për themelues Sinën.

Dhe nuk shkëlqeu vetëm në fushën e tregtisë por dhe të investimeve madhore që u bënë në atdheun ku ai jetoi dhe më gjerë.  Ndërtimi i urës së varur në Budapest, për të cilën u investuan 500 mijë stërlina angleze, me iniciativën e tij u bë. Por dhe shumë investime të tjera madhore duke hyrë në histori përgjithmonë.

Nga shërbimet e shumta që i bëri shtetit austriak u ngrit më shpejt se i ati dhe mori titullin fisnik baron. Duke zbatuar programin tregtar të të atit, e zgjeroi kaq shumë rrethin e marrëdhënieve tregtare dhe bankare sa çdo vit paguante 1.000.000 fiorinta si taksë për importin dhe eksportin.

Themelues i fabrikës së penjve dhe stofrave të pambukta, Sinat kontribuan për zhvillimin ekonomik të shtetit, në themelimin e Bankës Kombëtare, drejtor i së cilës u bë Gjergj Sina, në themelin e shumë arkave të kursimit, shumë shoqërive të sigurimit nga zjarri dhe së fundi të Politeknikumit të Vjenës, për funksionimin e të cilës ndihmonin me dhurata të majme.

Më 1834 Gjergji emërohet konsull i përgjithshëm i qeverisë greke për gjithë Austrinë. Më 1872 i bëri dhurata të shumta Stacionit për Studime Astronautike të Athinës.

Tituj dhe dekorata iu dhanë Gjergjit edhe nga qeveria ruse, turke, greke dhe nga disa qytete hungareze ku u shpall qytetar nderi. Ishte nënpresident i Bankës Austriake, president i shoqërisë së privilegjuar të hekurudhave austriake dhe urës së varur të Budapestit, pronar tokash në Austri, Bohemi, Moravi, Serbi, Rumani, etj. Vdiq në kulmin e aktivitetit të tij më 18 maj 1856.

Simon (i biri)i i ndriçoi më shumë gjurmët e paraardhësve të shquar. Duke trashëguar pasuri të mëdha  ai u shtoi dhe të tjera, ku mund të përmendim dhe vepra të mëdha bamirësie. Ai akordoi shumë bursa universitare për bij shqiptarësh dhe veçanërisht ndihmoi familjet e voskopojarëve. Hodhi themelet e Akademisë së Athinës më 2 gusht 1852 dhe prej kësaj familjeje mori emrin Sinaia.

Më 15 prill 1876 vdiq dhe trashëgimtari i fundit djalë i familjes Sina, që çuditi botën me zgjuarsinë dhe veprimtarinë e saj dhe asnjëherë nuk i ndërpreu lidhjet më vendlindjen, nga e cila ata u detyruan të shpërngulen për t’i shpëtuar regjimit prapanik Osman, i cili pengonte zhvillimin e lirë të jetës ekonomike dhe prodhuese të vendit. Ky la vetëm dy vajza.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here