SHPËRNDAJE

Dokumentet e vjetra arbëreshe: Motra e Skënderbeut, Mamica në vitin 1445 u martua me Karl Muzak Topinë. Arsyeja pse Esat Pashë Toptani dhe Zogu synuan fronin e mbretit të Shqipërisë

Në Pemën Gjenealogjike të Kastriotëve gjendet dhe ajo e Topiajve, në emër të islamizuar ajo e Toptanëve. Dhe kjo e ka një arsye. Motra e Skënderbeut, Mamica në vitin 1445 u martua me Karl Muzak Topinë, dhe pati tre djem:Gjonin, Gjergjin dhe një tjetër që i islamizuar pati marrë emrin Ali Bej Toptani. Sipas shënimeve gjenealogjike që vjen nga arbëreshët familja e Toptanasve e kanë prejardhjen nga Ali bej Toptani, djali i motrës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Dera e Toptanëve ka qenë shekullore dhe rrjedha nga i pari Karl Topija, Princ i Arbërisë(i Shqipërisë së Mesme) i cili për të përballuar kërcënimin e Balshës së II-të dhe venedikasve iu drejtua për ndihmë ushtrisë turke që kishte mbërritur deri në Maqedoni. Më 1385, ushtrija turke nën komandën e Hajredin Pashës mundi ushtritë e Balshës në jug të Lushnjës ku u vra dhe vetë Balsha i II-të.

Rreth familjes Toptani ekziston në literaturë një legjendë që e ka përhapur konsulli frëng A. Degrand. Kjo legjendë thotë: “Më 1478, kur pas rrethimit të gjatë, turqit e pushtuan më së fundi Krujën, dy jeniçerë, njëri nga Anadolli tjetri nga Rajca e Domosdovës, ndërsa po kontrollonin pallatin e Topiajve ku kishte banuar edhe Skënderbeu, dëgjuan një zë foshnje në tavanin e njërës dhomë. Kur jeniçerët hipën mbi tavan, panë dy gra që qanin rreth një djepi.

Ndërsa jeniçeri anadollak filloi të kontrollonte qoshet e servanisë me shpresë se mund të gjente ndonjë thesar të fshehur, jeniçeri shqiptar iu afrua djepit dhe i rrëmbeu gruas që rrinte mbi foshnjën gjerdanin e artë, që ajo mbante në qafë.

Kjo grua ishte sipas tregimit, motra e Skënderbeut, Mamica, e shoqja e Tanush Topisë, kurse foshnja djali i tyre i tretë. Jeni çeri anadollak, i inatosur pasi nuk gjeti gjë në servani, iu vërsul Mamicës, të cilën e vrau aty për aty. Ai deshi të vriste dhe foshnjën, por jeniçeri shqiptar e ndaloi, duke i dhënë gjerdanin e tij.

Fëmijën e mori në Rajcë, ku e paraqiti si birin e vet. Biri i Tanush Topisë u rrit në Rrajcë, i kthyer në mysliman me emrin Ali. Kur u rrit u fut në rradhët e jeniçerëve dhe pasi u shqua për trimëri e shkathtësi, fitoi titullin bej. Ai zuri poste të ndryshme deri sa u bë qeveritar i Krujës.

Këtu ai mësoi se i biri i kujt ishte. Ai mori mbiemrin Toptan që ishte një turqizim i emrit Topia. Ali beu iu lut disa herë sulltanit që t’i kthente zotërimet e Topiajve, meqënëse sulltani nuk ia plotësoi dëshirën, ai shpalli pavarësinë e vet. Tërë shqiptarët e Krujës, miqtë e të atit dhe familja e fuqishme e Dukagjinëve u bashkuan me të.

I shqetësuar nga kjo lëvizje sulltani u detyrua t’ia plotësonte dëshirën, me kusht që të mos hiqte dorë nga feja myslimane. Ai i dërgoi një ferman, me të cilin e njihte si sundimtar duke i dhënë në zotërim Krujën dhe tokat që i kishin dhënë gjyshërit në Krujë derisa vdiq.

Në vitin 1614 në Tiranë sundonte Sulejman Pasha dhe pas tij sundimtarë të Tiranës u bënë i biri, nipi dhe stërnipi. Në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XIX për herë të parë në historinë e Tiranës sundimtar u bë një toptanas nga Kruja, e pikërisht Abdurrahman Toptani.

Përpara se të merrte sundimin e Tiranës, Abdurahman Beu Toptanasi ishin në luftë të ashpër me Bargjinasit, luftë që vazhdoi për 60 vjet. Kjo ishte një luftë që bëhej për fitime pasurore se kush t’i merrte frenat e qytetit në dorë. Këto luftëra u zhvilluan deri në vitin 1830, duke tërhequr pas dhe popullsinë qytetare, e cila i pagoi shtrenjtë ato grindje me jetën dhe pasurinë e saj.

Puna e parë që bëri Abdurrahman Toptani ishte të ndalonte luftën njëherë e përgjithmonë e të bëhej pajtimi midis Bargjinasve dhe Toptanasve.

Por ajo vazhdoi dhe gjatë shumë vjetëve të sundimit të tij, duke shkaktuar mjaft armiqësi, dhimbje dhe shkatërrime. Në sajë të punës këmbëngulëse të sundimtarit të qytetit, mjegulla e luftës erdhi duke rënë. Abdurrahman Toptani ishte një njeri i mençur dhe i urtë. Ai pati katër djem dhe mbas vdekjes së tij, sundimin e mori Ahmet Toptani.

Toptanasit u shquan si një prej familjeve çifligare më të madhe në zonën e Tiranës dhe në gjithë Europën qëndrore ishin me influencë. Ato patën pinjollë shumë të rëndësishëm që bënë shumë për Shqipërinë. Ndër më të famshmit ishin:

lGani Bej Toptani

Saga e familjes së Toptanëve nis që me krijimin e shtetit shqiptar. Në qeverinë e parë të drejtuar në Ismail Qemali, nuk kish si të mungonte një figurë e familjes së njohur tiranase. Gani bej Toptani është dhe ministri i parë i Financave në historinë e shtetit Shqiptar.

Vëllai i madh i Esat Pashë Toptanit  do të kish një karrierë dhe një fund tragjik, si vetë Esati. Një personazh që i solli jo pak shqetësime portës së lartë, por e pagoi shtrenjtë. Në vitet e fund të jetës, Gani Toptani shkoi në Kostandinopojë, ku u fut të truprojat e Sulltani Abdyl Hamitit. Pas një rivaliteti me një tjetër oficer të gardës, Gani Beu u gjend i vrarë nga një person i quajtur Hafiz Pasha.

Esat Pashë Toptani
Kur përmendet Esat Pashë Toptani, emri i tij krijon një konotacion negativ. Një ministër Lufte në qeverinë e Ismail Qemalit dhe kryeministër në qeverinë e Durrësit, ai njihet si një personazh kundër rrjedhës që e çonte Shqipërinë në krijimin e shtetit.

Por damka më e madhe ndaj tij është ajo që shumë kundërshtarë e kanë akuzuar për shitje të trojeve për llogari të Malit të Zi. Kjo solli ekzekutimin e tij nga Avni Rustemi në Paris. Ndërkohë, së fundi disa studiues kanë hedhur tezën se nuk janë të vërteta faktet që e bëjnë tradhtar Esat Pashë Toptani. Gjithsesi në historinë zyrtare asgjë nuk ka ndryshuar.

Sadije Toptani
Në fakt përveç emrit “Nënë Mbretëreshë” dhe bijë e një familje shumë të madhe autoktone tiranase, Sadije Toptani nuk njihet se ka pasur ndonjë aktivitet politik dhe shtetëror. Por fakti që ajo ishte nënë e mbretit Zog, padyshim që ka emrin e saj në historinë e Tiranës dhe të gjithë vendit.

Sadije Toptani ishte një grua shumë e pasur dhe fakti që burri i vdiq shpejt i dha asaj të drejtën për të menaxhuar vetë të gjitha punët, pronat, por edhe ambiciet për të drejtuar shpirtërisht Ahmetin në drejtimin dhe në karrierën e tij. Sadije Toptani ka një fund tragjik jo thjesht me vdekjen saj, por pas vdekjes. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, varri i saj në kodrat e Liqenit u hodh në erë me një vendim të veçantë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here