SHPËRNDAJE

Folklori i sllavëve të jugut është i rrëmbushur me rivalitetin shekullor me shqiptarët.

Zotërit shqiptarë të shekullit të katërmbëdhjetë do të bëheshin antagonistët kryesorë në poemat epike serbe, bullgare dhe maqedone, shkruan Konica.al.

Musa Arbanasi (i quajtur alternativisht edhe Musa Kesexhija), Gjemo Bërgjanini, Korun Kesexhija dhe Leka kapedani janë personazhet negative që shfaqen si armiq të përbetuar të feudalit serb të Maqedonisë Marko Kraleviçit (1335-1395).

Megjithë trajtësimet demoniake që marrin fatosat shqiptarë, folklori sllav ka përjetësuar edhe thërrime ku dëshmohet respekti për pathyeshmërinë e Musa Arbanasit, ndershmërinë dhe kodin e tij kalorsiak.

Nga mbiemrat Arbanas, Albanec që i ndajmbathen personazhit të Musës, jepet të kuptohet se kemi të bëjmë me një fisnik shqiptar.

Me interes për t’u përmendur është edhe një afresk i pikturuar diku ka mesi i shekullit XIX në kishën e Shën Mërisë, në fshatin Lopaticë të Manastirit.

Në të është vijëzuar përleshja dyluftuese mes kralit Marko dhe Musa Arbanasit, i cili dallohet qartazi me fustanellën e tij të palëzuar.

Së këndejmi, Musa Arbanasi përmendet si pjesëmarrës në Betejën e zhvilluar në fushën e Kosovës, në qershor të vitit 1389, në krye të luftëtarëve shqiptarë.

“Ljutog Arnauta” (shqiptari i sertë) është përshkrimi fjalëpak që i rezervon atij rapsodi sllav në këngën për betejën e Kosovës.

Në folklorin sllav, Musa Arbanasi rivalizon rreptësisht me udhëheqësin serb të Prilepit Marko Kraleviçin, duke zhvilluar edhe dyluftime fytafyt. Në një këngë sllave, Musa përmend të kaluarën e tij:

A meneje ljuta Arnautka
Kod ovaca na ploci studenoj

Më ka lindur shqiptarka e rreptë,
Mes dhënsh, atje në një rrasë të ftohtë…

Po kush duhet të jetë prototipi historik i Musa Arbanasit?

Sipas një artikulli të thuktë të Kristo Frashërit, rivaliteti i përbetuar mes Musa Arbanasit dhe mbretit Marko është pasqyrim i vërtetësishëm historik i përplasjes mes Muzakajve të Beratit dhe Mërnjavçeviçve të Prilepit (Maqedoni).

Armiqësia e thellë mes bujarëve shqiptarë të derës së Muzakajve dhe feudalëve serbë të Maqedonisë kishte filluar me Vukashinin, për të vazhduar më vendimtarisht se kurrë me birin e tij Marko Kraleviç (1371-1396).

I pari i kësaj famillje Vukashin Mërnjasheviçi, që i pëlqente ta konsideronte vetën si pasues të car Dushanit, lakmonte tokat e Muzakajve për të siguruar dalje në Adriatik. Për këtë qëllim, ushtritë e tij do të pushtonin zotërimet shqiptare në Kostur si dhe fushën e Korçës.

Por, Andrea Muzaka në krye të ushtrisë shqiptare theu keqazi feudalin serb, duke e zënë rob.

Mëria kundër Muzakajve do të vazhdohej egërisht edhe nga i biri i tij mbreti Marko, i cili sulmonte pandërprerë Kosturin dhe Ohrin.

Sipas historianit të shekullit XVII, Teodor Spanduxhino, qëllimi i sundimtarit serb ishte që t’i dëbonte shqiptarët nga trevat e tyre në Maqedoni dhe t’i degdiste në More.

Me këto të dhëna historike si mbështetje, Kristo Frashëri zbardh identitetin historik të personazheve shqiptare në epikën sllave.

Sipas tij, Musa Arbanasi duhet të jetë dora vetë Teodori II Muzaka, Gjino Kesexhija nuk është tjetër veçse Gjin Muzaka, vëllai i Teodorit, Gjemo Bërgjanini është shëmbëllimi i Stojo Muzakës, Korona Kesexhija identifikohet me Teodor Korona Muzakën, ndërkaq Lekë Kapetani është Leka I Dukagjini (gjyshi i Lekës së kohës së Skënderbeut), që për disa kohë ishte zot i Prizrenit.

© Salih Mehmeti | Konica.al
Prishtinë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here