SHPËRNDAJE

Këto dy motra të varfra kishin ecur 40 kilometra nga një fshat malor për të arritur në Tiranë. Në kryeqytet pjesa më e madhe e fshatarëve vinin për të gjetur derman. Vajza në të majtë vuante nga një infeksion i rëndë në sy dhe, për të shpëtuar nga verbimi i plotë, kishte nevojë për një ilaç që shpërndahej nga farmacia e Kryqit të Kuq Amerikan në Tiranë. Motrat kishin sjellë me vete dy pula dhe gjashtë vezë për t’ia dhënë mjekut amerikan si shpërblim për vizitën dhe për ilaçin.

Ishte koha kur në Shqipëri ekzistonte një krizë e rëndë ekonomike. Njerëzit vdisnin rëndom nga varfëria dhe kriza  kishte pllakosur gjithë Shqipërinë. Luftërat e gjata, tranzicioni  i vështirë politik dhe grindjet e një pasnjëshme të qeverive shqiptare, jostabiliteti dhe ndërhyrja e vazhdueshme e fuqive të huaja thuajse e kishte kthyer në kolaps situatën shqiptare. Në qytet gjendja ishte tragjike. Në fshat ishte pak më ndryshe.

Me gjithë prapambetjen që ekzistonte në fshatin shqiptar, duke u marrë me ekonominë e tyre familjare gjendja ishte disi më ndryshe. Dhe siç ka qenë gjithnjë zakon në Shqipëri që mjeku është konsideruar si perëndi dhe është stimuluar, vajzat e varfra fshatare kishin marrë ca gjëra të pakta me vete.  Kur mjeku i tha se ilaçi ishte falas, ato refuzuan dhe nuk donin të largoheshin pa lënë pulat dhe vezët që kishin sjellë.

Kjo histori e vërtetë  shqiptare që flet shumë për karakterin dhe moralin, së bashku me fotografinë ruhet në Bibliotekën e Kongresit në Uashington. Një histori e vërtetë prekëse që gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, kontribuues jo vetëm në gazetari por dhe në historinë shqiptare, me kujdesin e veçantë i boton herë pas here në faqen e tij në rrjetet sociale.

Ishte një histori e vërtetë shqiptare, e atyre viteve të vështira që menduam t’a ndajmë me lexuesit e Konicës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here