SHPËRNDAJE

Fieri, i quajtur në të kaluarën edhe si “qyteti i luleve”, ka një histori për të treguar. I konceptuar si një nyje tregtare, tashmë ai ka një rol të rëndësishëm

Historiani dhe studiuesi i njohur fierak, Ilirjan Gjika tregon për Konica.al fillesat, zhvillimin dhe projeksionin e vazhdimësisë së këtij qyteti.

“Fieri është një nga qytetet kryesore dhe të rëndësishme të Shqipërisë. Pavarësisht se është më i ri se simotrat apo sivëllezërit e tij fqinj, të Beratit, Vlorës, Lushnjës dhe Elbasanit, rëndësia e tij u rrit pas viteve të çlirimit, kur u bë bazë e zhvillimit të industrisë dhe bujqësisë. Këtë pozitë, pavarësisht një rënie të viteve të fundit, e ka ruajtur edhe në kohët tona, jo vetëm për shkak të resurseve natyrore, por edhe të pozitës gjeografike, si një nyjë e rëndësishme e transportit.

Përgjatë territorit të tij kalojnë disa nga arteriet kryesore të komunikimit të vendit. Një nga arsyet e zhvillimit shihet edhe tek numri i konsiderueshëm i popullsisë dhe mosha relativisht e re e saj”, pohon historiani Gjika, i cili ndalet në fillesat e këtij qyteti. “Për herë të parë emri i Fierit ndeshet në dokumentet osmane të vitit 1737. Atëherë quhej Fierza dhe nuk ishte tjetër veçse një fshat i vogël me disa shtëpi. Zhvillimin e tij, Fieri ja dedikon ndërtimit të urës mbi lumin Gjanica në vitin 1777 nga Ahmet Kurt Pasha i Beratit. Ura u ndërtua si rrjedhojë e vënies në shfrytëzim të rrugës fushore Vlorë-Berat. E diskutueshme ka mbetur edhe origjina e emrit Fier për të cilin sot ekzistojnë dy hipoteza. E para është ajo e studiuesit Hysen Emiri, i cili mendon se emri Fier rrjedh nga italishtja ‘’Fiera’’, që do të thotë panair. Sipas tij, këtë emër ja vendosën këtij vendi tregtarët venedikas që merreshin me blerjen e produkteve bujqësore-blegtorale në panairin që zhvillohej pranë kishës së Shën Gjergjit, ndoshta që nga koha e Mesjetës, kohë prej nga ka nisur të përdoret ky emërtim.

Hipoteza e dytë mbi origjinën e emrit Fier është ajo e studiuesit Toli Shabani. Ai thekson se ky emër ka origjinë bimore, pra vjen nga bima e fierit. Pika më e fortë e kësaj teze është se, në të gjithë zonën e Myzeqesë së Vogël mbizotërojnë toponimet me origjinë bimore si: Sheq, Marinas, Marinëz, Frashër, Sheqishtë, Qarr, Pishë, Fikth, Kallm(kallam), Shkozë, Drizë, etj.

Statusin qytet Fieri e fitoi pas viteve ’60-të të shekullit të XIX, kur pronari i këtij fshati, Kahreman Pash Vrioni thirri disa urbanistë francezë, të cilët projektuan një plan për ngritjen e një qyteti të ardhshëm tregtar dhe zejtar. Sipas qëllimeve të Kahreman Pashës, qyteti do të ngrihej duke pasur si bërthamë fshatin e Fierit mbi lumin Gjanica, ku kryqëzoheshin rrugët Lushnjë-Vlorë-Mallakastër-Berat-Skela e Semanit. Veprimtaria kryesore ekonomike do të ishte tregtimi i prodhimeve bujqësore të Myzeqesë, Mallakastrës dhe krahinave përreth. Për këtë arsye u ndërtua tregu buzë Gjanicës në vitet 1864-1865.

Qyteti kishte 122 dyqane të cilat menjëherë nisën veprimtarinë e përditshme tregtare. Banorët e parë të Fierit ishin familjet myzeqare të bujqve të Kahreman Pash Vrionit, si edhe disa familje vllehe që kishin ardhur këtu rreth viteve 1800. Pas themelimit filloi rritja demografie e qytetit. Më vonë e vendosën edhe mallakastriotë, fillimisht nga Mallakastra e Poshtme dhe më pas nga zonat më të largëta si Hekali e Kuta. Menjëherë, Fieri përcaktoi shumë shpejt edhe statusin e tij ekonomik, si qytet i tregtarëve, zanatçinjve dhe shërbimeve.

Interesante ishte edhe fizionomia e tij, të cilën e përcaktuan urbanistët francezë. Ata e projektuan qytetin të shtrirë në fushë, sipas një plani me një rrjet rrugor, ku kombinohej sistemi radial me atë kuadratik. Në të dy anët e rrugës kryesore ngriheshin ndërtesa një dhe dy-katëshe me një arkitekturë të tillë që ishte vijim i traditës së vjetër apoloniate. Pranë kësaj rruge ndodhej edhe tregu si dhe ndërtesat kryesore administrative. Këtu zhvillohej veprimtaria ekonomike dhe shoqërore e qytetit.

Një fizionomi më të plotë për Fierin na e jep dëshmia e udhëtares angleze Edit Durham, e cila e vizitoi qytetin në vitin 1903. ‘’Fieri është një fshat i vogël, pronë e një beu me shume iniciativë i cili ka ndërmend ta kthejë në qendër tregtare.

Ai ka ndërtuar pazarin, ka ngritur godina solide prej guri, me një arkitekturë çuditërisht moderne’’, shkruante atëherë Durham. Por, rritja dhe zhvillimi i vërtetë u shënua në vitet ’20-’30-të”, thekson historiani Ilirjan Gjika i cili përshkruan një panoramë të kësaj periudhe.

“Në këtë periudhë Fieri krijoi profilin e një qyteti të ri dhe me perspektivë. Të kësaj kohe janë zhvillimet e para industriale dhe arritjet kulturore, arsimore dhe sportive.

Për shembull, në vitet 1934-1935, AIPA, kompania italiane e nxjerrjes së naftës në Shqipëri, ndërtoi naftësjellësin Kuçovë-Vlorë, 74 kilometra i gjatë, që është edhe vepra e parë industriale në Fier. Ndërsa një vit më vonë u ndërtua me kapital vendas, objekti i parë industrial, ‘Fabrika e Miellit’. Ajo edhe sot është në këmbë dhe ka një histori interesante për tu treguar.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kjo ndërtesë shpëtoi pa u hedhur në erë nga gjermanët vetëm për shkak të teknologjisë gjermane.  ‘Kjo është e vetmja vepër që përfaqëson teknikën gjermane në Fier’, -i tha kryemekaniku i fabrikës komandantit të njësisë xheniere që kishte shkuar ta hidhte në erë. Kaq u desh dhe gjermanët, me respekt të çdo gjëje të ndërtuar prej tyre u larguan.

Pas shumë vitesh, u desh vetëm kjo legjendë urbane që, autoritetet e sotme vendore, jo vetëm ta ruanin, por ta rikonceptonin si objekt të veçantë brenda planit të rregullimit të qendrës së qytetit.

Sot ajo është një ndër të paktat objekte që dëshmon shkëlqimin e asaj periudhe”, pohon Historiani Gjika, i cili shton se zhvillimet e vrullshme të këtij qyteti ndodhën me revolucionin industrial në vend duke pasuar me zhvillimin e gjithë fushave të tjera.

“Ndërkohë, pas lufte, koha rezervoi për Fierin zhvillime të vrullshme, ku në vitet ’50-të nisi revolucioni industrial. Ai e shndërroi Fierin në qendër të industrive të naftës dhe atyre kimike, energjitike dhe mekanikës bujqësore. Paralelisht me bujqësinë u zhvilluan edhe fushat e tjera.

Fierakët si njerëz arsimdashës dhe me kulturë, kanë lënë gjurmët e tyre në të gjithë zhvillimet në shkallë vendi. Nga Fieri është romancieri i njohur Jakov Xoxa, kryevepra e të cilit, “Lumi i vdekur” konsiderohet si një sagë reale e Myzeqesë.

Të tjerë personalitete mund të përmendim: antropologun Jakov Milaj, balerinën e parë e TOB-it, Zoica Haxho; arkitektin Sokrat Mosko, gjuhëtarët Xhevat Lloshi dhe Jani Thomai, piktorin Vilson Kilica, shkrimtarin Nasho Jorgaqi, aktorët Albert Vërria dhe Luftar Paja, sportistët si Bardhyl Angjeli e Kujtim Majaci, apo Miço, Vlashi dhe Marika Kallamata etj.

Jo rastësisht këtu u zhvillua arkeologjia që nisi me misionin arkeologjik francez të Leon Reit. Zbulimet e tij bënë që Apollonia të shndërrohej në një nga shkollat e mirëfillta të arkeologjisë shqiptare. Ndërkohë që arsimi, shkenca, kultura dhe sporti do të shënonin të tjera arritje në këtë qytet.

Pa u ndalur në këto tema të mirëfillta mund të themi se, Fieri ka edhe një veçanti që nuk e kanë qytetet e tjera të Shqipërisë si bashkëjetesën dhe tolerancën model midis komuniteteve që jetojnë aty.

Të vendosur që nga themelimi i tij e deri në mesin e shekullit të kaluar aty jetojnë; myzeqarë, vllehë, mallakastriotë, lebër, kosovarë, çamë, si dhe banorë nga të gjitha trevat e Shqipërisë.

Fierakët shquhen si njerëz tolerantë, të dashur, të sjellshëm e punëtorë. Kushdo që vjen në Fier e ndien këtë gjë, thekson historiani Gjika i cili ndalet edhe tek të veçantat e këtij qyteti. “Dikur Fieri është quajtur edhe qyteti i luleve për shkak të shtëpive me kopshte të mëdha dhe pasionit të veçantë të banorëve. Kjo traditë ruhet me fanatizëm edhe sot.

Ekzistenca e lumit Gjanica që përshkon qytetin ka bërë që Fierit t’i rezervohet edhe një emër i dytë: ‘qyteti i urave’. Mbi këtë lumë dhe Semanin pranë, ngrihen 12 të tilla, ku secila mbart një histori të veçantë. Megjithatë ka një tendencë që Fierit të mos i jepen një sërë meritash që ka në historinë kombëtare.

Duke e krahasuar me simotrat e Vlorës dhe Beratit këto vlera përpiqen që ti zbehin. Fieri është qyteti që më 12 Gusht të vitit 1912, nën drejtimin e Ismail Qemalit, organizoi “Mbledhjen e Fierit”, e cila shërben si prelud i Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Po aq e rëndësishme sa edhe Kuvendi i Jonikut dhe ai i Sinjës.

Në Luftën e Vlorës, në vitin 1920, Fieri shërbeu si bazë ë prapavijës dhe e mbështetjes së luftëtarëve të saj.

Po kështu, Kryengritja e Fierit e vitit 1935 ishte përpjekja më e madhe dhe serioze që e detyroi Mbretin Zog të ndërmerrte reformat liberale dhe të ndryshonte kursin e qeverisjes”, shpjegon historiani Gjika i cili kujdeset që të evidentojë disa etiketime për qytetin e Fierit, të cilat i konsideron si jo të drejta.

“Diku në fillim të viteve ’90-të, në një nga të përditshmet tona të asaj kohe, një gazetare e re dhe pa përvojë shkroi një reportazh për Beratin, duke e quajtur ‘qyteti i një mijë dritareve’.

U desh një dekadë e tërë përpjekjesh që media ta konsideronte këtë lapsus dhe ta quante përsëri qytetin historik si “qyteti i një mbi një dritareve”.

Edhe me Fierin mendoj se duhet korrigjuar etiketimi si ‘Metropoli i Jugut të Shqipërisë’, apo më keq akoma, ‘Metropoli i Jugut’. Së pari, Fieri ndodhet në pjesën perëndimore të Shqipërisë dhe së dyti; nuk e dimë nëse Fieri do të shndërrohet ose jo në një metropol.

Të tilla janë qytetet me më mbi një milionë banorë”, sqaron Gjika i cili ndihet optimist për të ardhmen e Fierit. “Vlerat, traditat, ambienti i ngrohtë shoqëror, puna, ambicia dhe përkushtimi, do të bëjnë që Fieri të ruajë jo vetëm profilin e spikatur në shumë fusha, por dhe të vijojë me këtë profil.

I lindur nga puna dhe vlerat e saj, Fieri do të shënojë të tjerë hapa arritjesh”,  përfundon historiani Gjika./konica/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here