SHPËRNDAJE

Pashko Vasa

Përveç riteve të shumta fetare, që kanë lidhje me kultin e vjetër të pellazgëve, që as Krishti, as Muhameti nuk arritën t’i zhduknin nga shpirti i popullit shqiptar, ekziston betimi për gurin, që akoma edhe sot përdoret në malet e Shqipërisë. 

Ky betim ka gjithashtu të njëjtën peshë dhe shoqërohet me të njëjtat rite, si në lashtësi.

Të gjithë historianët pohojnë të njëjtën gjë dhe  Zh. Amperi tregon për faktin në vijim me të gjitha hollësitë. Përpara se Sula të largohej nga Roma, për të luftuar kundër Mitridatit, kërkoi nga Cina, drejtuesi i partisë së Mariusit, një betim solemn,nëpërmjet të cilit ai të zotohej solemnisht se nuk do të ndryshonte qeverisjen në Romë,  gjatë mungesës së tij.

Sula dëshironte që këtë betim, Cina, të mos ta bënte për perënditë romake, por sipas ritit të vjetër etrusk, të cilët e kishin trashëguar, këtërit, nga pellazgët, dhe që bëhej mbi gurin e shenjtë. Cina e kreu betimin,  duke vënë një gur, në fillim, mbi shpatullat e tij, e duke e hedhur pastaj menjëherë prapa dhe njëkohësisht duke mallkuar veten, nëse ai do të shkelte betimin.

Në raste të rëndësishme, kur ishte fjala për të bërë një betim të një rëndësie të madhe, u kërkohej pleqve të klaneve shqiptare, pa dallim myslimanë apo katolikë, që të bënin betimin te guri.

Ky betim ekziston akoma, madje, edhe në kohët tona, në lartësitë dhe në vendet e ulëta të Shqipërisë. Ai shoqërohet nga të njëjtat formalitete dhe nga të njëjtat rite dhe betime që përmbajnë shkrimet e vjetra. Ne vetë kemi qenë të pranishëm në malet e Shqipërisë, kur ishte fjala për të zgjidhur një sherr, që kishte lindur për punë kufijsh tokash midis dy fiseve.

Më të moshuarit e dy fiseve fqinj, qenë zgjedhur nga Kuvendi ; për të vendosur për sherrin, ata do të duhej që në fillim të bënin betimin mbi gur. Midis personave që ndanin kanun kishte myslimanë dhe katolikë. Banorët e malësisë së Epirit, Maqedonisë, Ilirisë, domethënë banorët e trungut pellazg ose shqiptar, e kanë edhe sot e kësaj dite zakon të betohen për gurin,sikurse të tjerët betohen për Zotin, për Krishtin, për nderin.

Gjithashtu banorët e maleve të Shqipërisë, kanë traditë që kur janë të mbledhur për të kuvenduar –marrin një gur, ose tregojnë në drejtim të një guri – dhe përdorin shprehjen:’ për kët peshë’ dhe banorët e luginave të Shqipërisë, ose Epirit shprehen kështu: ‘për të randët të këtij guri!’.

Ne nuk besojmë dhe nuk kemi asnjë shenjë për këtë, që ky rit dhe kjo formë betimi të jetë futur ndonjëherë në ritet fetare të Greqisë.

Ky është një rit primitiv, të cilin e kanë ruajtur dhe marrë me vete, gjatë shtegtimeve të tyre, vetëm pasardhësite pellazgëve, të cilët e përdornin në vendet, që ata popullojnë sot.

Pellazgët, që nuk dalloheshin për artet e bukura, dhe që nuk kishin ndonjë arsimim veçanërisht të shkëlqyer, nderonin thjesht natyrën në shfaqjet e saj në forma të dukshme, në paraqitjen e saj më të thjeshtë bamirëse.

Zotat e tyre ishin: toka, qielli, fusha, mali,uji, guri, dielli, hëna, yjet etj. Populli shqiptar, dhe në mënyrë të veçantë banorët e maleve, betohen edhe sot akoma për tokë e për qiell e për dhé: për qiell e përdhé; për zjarrin dhe për ujin: për kët zjarr e për kët ujë; për malin e për fushën: për mal e për fushë; për hënën e për diellin: për kët diell e për kët hanë, në vend që tëbetohen për Zotin dhe shenjtorët e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here