SHPËRNDAJE

Ne jemi një popull që ndjesitë kemi dashur në një mënyrë a në një tjetër t’i shprehim nëpërmjet këngës e poezisë dhe të dashurën ta krahasojmë me natyrën, diellin hënën, e tillë është edhe historia e një poeme të vitit 1889.

Poema e vjetër është shkruar në Pire nga një shqiptar i Greqisë, arvanitas, e cila për shumë arsye duhet të cilësohet si shumë e rëndësishme, duke qenë se mban brenda vetes jo vetëm shpirtin e një të dashuruari, po edhe disa fakte gati të pakundërshtueshme.

Edhe pse duhet thënë se deri më sot nuk ka qenë asnjë studiues që të ketë botuar ndonjë studim, ose historik për letërsinë e vjetër të shqiptarëve që jetojnë në Greqi.

Ai që quhet krijimi i madh vjershëtor, gjendet i botuar për herë të parë në numrin e muajit maj të vitit 1889 në revistën “ΑΠΟΛΛΩΝ” që  në shqip do të thotë “APOLLON”, të cilën e botonte Sakelaropulos në Pire të Athinës.

Në këtë revistë, bashkëpunonin shkrimtarë dhe dijetarë të kohës në Greqi. Poema është ribotuar për herë të dytë në gjuhën greke me komente nga studiuesi arvanitas Jani Gjika në vitin 1995 në revistën “ΜΠΕΣΑ” që përkthehet “BESA”, të cilën e botonte “Lidhja e Arvanitasve të Greqisë”.

Poema është shkruar më 26 mars të vitit 1889 nga një arvanitas, i mbetur ende i panjohur.

Ai këtë poemë ia kushton fejesës së princeshës Aleksandra të Greqisë me dukën e madh të Rusisë, Pavlo Aleksandroviç, djali i perandorit të Rusisë Aleksandrit të Dytë dhe vëlla i perandorit Aleksandër i Tretë.

Poema, ka titullin origjinal “NTE EPARA VASILOPOVA GIONE LEKSANDRA” -Për të parën peinceshën tonë Leksandra. Vëllimi dhe numri i revistës, në të cilin është botuar poema i dedikohet D. Mesallës me shënimin:

“Mbrojtësin tepër fisnik të letrave dhe muzëdashës me respekt të thellë dhe mirënjohje i kushtojmë vëllimin e pestë të Apolonit. Drejtori.”

Më 1889 erdhi Pavlo Aleksandroviç në Greqi për të marrë nusen e tij, princeshën Aleksandra e për të organizuar dasmën e tyre në Rusi. Kjo ngjarje i jep shkas një arvanitasi, të shprehë në mënyrë poetike ndjenjat e tij për princeshën e bukur duke e filluar poemën me vargjet e njohura:

Të këndoj në shqip,

në gjuhën heroike,

që foli admiral Miauli

Boçari dhe gjithë Suli.

Me fillimin e këtyre rreshtave, poeti na tregon se gjuha që flitnin shumica e heronjve të revolucionit grek të vitit 1821, ishte shqipja. Në këto vargje përmendet admirali i madh Andrea Miauli. Andrea Miauli, lindi më 20.5.1769 në ishullin e Hidrës.

Në vitin 1822 Andrea u zgjodh komandant i flotës detare të ishullit Hidra. Revolucionit të 1821 Andrea Miauli i dhuroi 250.000 franga floriri dhe tri anije luftarake. Miauli ishte një njeri i thjeshtë dhe trim. Dinte të fliste gjuhën e mëmës shqipen dhe anglishten.

Gjuhën greke nuk e dinte dhe mësoi të shkruante greqisht vetëm emrin e tij, kur u bë admiral. Ai nuk pranoi shumë dekorata dhe privilegje.

Në vargjet e mësipërme përmendet Boçari dhe bëhet fjalë për fisin e madh trim të Boçarëve të Sulit, të cilët kishin ardhur në Sul të Çamërisë pas vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut me rreth 200 luftëtarë arbër dhe familjet e tyre.

Pra, me këto rreshta, poeti, nis poemën e tij kushtuar princeshës Aleksandra që ai në poemë e quan Leksandra.

Poema e vitit 1889, është shkruar në gjuhën shqipe apo arbërishte si e quajnë në Greqi këtë gjuhë dhe ka 430 rreshta. Duhet thënë se në shekullin XIX, gjuha shqipe kishte një shtrirje të gjerë në Ballkan.

Në Greqi, në fund të shekullit XIX, gjuha shqipe flitej nga pjesa më e madhe e popullatës e deri brenda në oborrin mbretëror. Madje, në flotën detare, ushtarake dhe tregtare greke flitej shqip.

Për të shkruar poemën në gjuhën shqipe ose arbërishte, autori në mungesë të një alfabeti të njësuar të gjuhës shqipe në ato kohë ka përdorur shkronja greke dhe mendoj se mund të ketë përdorur alfabetin e mëposhtëm që unë e kam ndërtuar në bazë të fjalëve të shprehura në vargje.

Për, plotësimin e alfabetit shqip me 36 shkronja, poeti duhet të ketë përdorur disa lidhje midis 24 shkronjave të alfabetit grek.

Leksandra Leksandra

Të këndonnë ndë arbërishte,

Të këndojmë në shqip,

Ç’ ishtë gluhë trimmërishte,

që është gjuhë trimërie,

Ç’eflit nafarhu Miauli,

që e fliste admiral Miauli,

Bocari, dhe gjithë Suli.

Boçari, dhe gjithë Suli.

I

Duav diev ndë mal,

Doli dielli në mal,

si të pa siprë ndë kal,

si të pa sipër në kalë,

ufsheh bërdha ndë në re,

u fsheh brenda në re,

të ndritonjësh ti ndë dhe.

të ndriçohesh ti në dhe.

***

Kur ti vinje ka Tatojë,

Kur ti vije nga Tatoi,*

Hëna dil ka Jmitojë,

Hëna dilte nga Imitos,*

tuke shtif sit’ e te pa,

duke hedhur sytë e të pa,

ndrito për mua ti të tha.

ndriço për mua ty të tha.

***

Drita je çë sperëndon,

Drita je që s’perëndon,

lulea e lulevet çë mblon

lulja e luleve që mbulon,

vendetë ka merudhi,

vendet nga kundërmimi,

kado vete e kado rri.

nga do vete e nga do rrish.

***

Parnithi një krino nxuar,

Parnis* një zambak nxori,

e ka marudhia e hovë,

e nga aroma e hollë,

erdh një Dhuk’ e na emuar,

erdhi një duk dhe na e mori,

e ekev ndë Peterhovë.

dhe e çoi në Petërburg.

***

Lulea e lulevet me fletë

Lule e luleve me fletë

bërdha ndë pallat jë vetë,

brenda në pallat je vetë,

kur hin bërdha ndë një gardh,

kur hyn brenda në një gardh,

ka gjithë luletë ti sbardh.

nga gjithë lulet t’i zbardh.

***

Drita luan ndë diamant,

Drita luan në diamant,

çel e shqep ndë një perlandë,

çel e shqep në një perlandë,

bërdha ndë si tënd çë luan;

brenda në sy tënd që luan?

edi vetëm’ aj çë ruan,

E di vetëm ai që ruan,

të sglidh më të mirën’ vajzë

të zgjedhë më të mirën vajzë

për ti shkon ndë glisht’ unazë.

për ty shkon në gisht unazë.

VII

Ju të parëtë e Moresë

Ju të parët e Moresë

‘dhe Kaptandë të Steresë

dhe kapedanë të Steres,

Nikoqirët’ të Nisivet!

Zotët e Ishujve!

ngruni shihni se çë sivet!

Ngrehuni, shihni se ç’ndodh!

djemt e Basilesë tënë,

djemtë e mbretërisë tonë,

nuse ‘dhe gabre u bënë,

nuse dhe dhëndër bënë,

Kostandinoa Gjermanisë,

Kostandini i Gjermanisë,

‘Aleksandra e ‘Rusisë

Aleksandra e Rusisë

gruni gjithë e uroni,

ngrihuni të gjithë e uroni,

e gëzonuni se throni

e gëzohuni se Fronti

ethnosit, çë bëtë juve

kombi që bëtë juve

rrënjë shtif e ncier lule,

rrënjë hodhi dhe nxjerrë lule.

Shkruajta ndë 26

E shkruajta në

Marsit 1889 ndë Pire.

26 Mars 1889 në Pire.

* Marrë nga Libri “Gjurmë të letërsisë së vjetër të shqiptarëve të Greqisë 1860-1889”, autor Arben P. Llalla, botuar Tetovë, 2006.

* Mal në Atikë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here