SHPËRNDAJE

Me pasurimin e madh mes tregtisë dhe zejtarisë voskopojarët menduan të ecin përpara dhe me dituri. Kështu përveç disa shkollave të ulëta që ka pasur qyteti i Voskopojës, një grup intelektualësh vendas me ndihmën dhe të rufetëve, më 1744, ngritën shkollën kryesore të këtij qyteti në nivelin e një shkolle të mesme.

Më 1750 ajo u quajt “Akademia e Re” dhe brenda një kohe të shkurtër mori famë në të gjithë vendin dhe Ballkanin.

Në librin e tij “Voskopoja dhe monumentet e saj”, shkruar nga Stiljan Petro Adhami, një historian i njohur që në karrierën e tij ka punuar në Ministrinë e Kulturës dhe në Institutin e Monumenteve të Kulturës, ai shkruan se programi mësimor i Akademisë ishte i barabartë me atë të shkollave të mesme të përparuara të Evropës, dhe disa shkollave të larta.

Sipas Adhamit pedagogët ishin personalitete të shquara në lëmin e arsimit, të kulturës dhe shkencave dhe në një kohë të shkurtër do e çonin Voskopojën në një vatër të mirëfilltë të shkencës, kulturës dhe arsimit në Ballkan e më gjerë.

Shumica e këtyre profesorëve ishin dhe autorë të teksteve mësimore të Akademisë. Në të dhanë mësim njerëz të ditur si Sevast Leontiadhi, Gjon Bakërxhiu që kishin studiuar në universitetet më të dëgjuara evropiane e shumë të tjerë.

Lëndët kryesore ishin gjuhësia dhe studimet klasike. Edhe pse në kolegj mësimet zhvilloheshin në gjuhën greke nga nevojat e përditshme në Voskopojë u shtrua kërkesa e gjuhës shqipe e vllahishte jo vetëm në shkollë por dhe në kishë, për të lidhur më shumë popullin me shërbimet fetare.

Drejtori i parë ishte Sevant Lontiadhi,  i laureuar në filozofi e teologji në Universitetin e Padovas. Më pas ka qenë drejtor dhe dijetari i njohur voskopojar Teodor Kavalioti që u bë me të vërtet zemra e kësaj shkolle, duke shërbyer në Voskopojë si arsimtar të paktën nga viti 1743. Mësime në këtë kolegj kanë dhënë dhe Grigor Voskopojari.

Godina trikatëshe e tij ka pasur rreth 40 salla e dhoma mësimi.  Dhe shtrihej përballë kishës së Shën Janit Theollogut, tek “Luadhi i Skolive”, zona e ndërtimeve kulturore-arsimore.

Ngritja e Akademisë zgjati dhjetë vjet dhe për ngritjen e saj u shfrytëzua një fushatë e madhe ndihmash ku veçanërisht kontribuan voskopojarët si dhe disa korçarë arsimdashës por dhe ndihma rufetëve të Voskopojës

Me emërimin e Kavaliotit në krye të Akademisë së Re programi mësimor u modernizua. Lëndët kryesore në fillim ishin greqishtja e vjetër, teologjia dhe filozofia por Kavalioti futi dhe programet e lëndëve të tjera që bëheshin në Evropë

Kolegji “Akademia e Re” përveç shtypshkronjës kishte dhe një bibliotekë të pasur.

Në institucion mësonin  nxënës nga vise të ndryshme të Shqipërisë së Jugut dhe të Mesme si nga Korça, Përmeti, Gjirokastra, Elbasani, Berati etj.

Por kishte dhe maqedonas e grekë. Nxënësit i kryenin studimet në  gjuhën greke të traditës, si një gjuhë mbarë ballkanase për ortodoksët,  që përdorej gjerësisht dhe në marrëdhëniet tregtare etj.

Lëndët që mësoheshin ishin greqishtja e vjetër dhe e re, gramatika, letërsia, logjika, filozofia, teologjia, fizika, mercologjia, matematika,  etj dhe pajiseshin me njohuri të vlefshme të krahasueshme me gjithë shkollat bashkëkohore.

Shumë prej nxënësve të kësaj akademie u shquan më vonë në fushën e arsimit kulturës dhe shkencës.

Sistemi arsimor dhe lëvizja mendore e Voskopojës patën jehonë dhe ndikuan në disa nga qytetet e Shqipërisë së Jugut sidomos Korçës, Gjirokastrës, Përmetit, Beratit, Elbasanit,  të cilat kishin lidhje ekonomiko-kulturore me Voskopojën.

Nga gjysma e dytë e shekullit XVIII,  në Përmet u hap një shkollë me 7 klasë sipas shembullit të shkollës së Voskopojës.

Në shkollën e Voskopojës kanë mësuar shumë nxënës vithkuqarë ku dallohen Jani Strati, Dhaskal Cepi, Dhaskal Todri etj.

Kjo tregon ndikimin e madh që ushtroi vatra kulturore e Voskopojës në mbarë vendin dhe në vendet fqinje duke kaluar kufijtë e legjendës.

Ajo pati një rëndësi të madh për shkollimin e shqiptarëve dhe vllehëve si dhe për hapjen e shkollave në vende të ndryshme, Voskopoja u bë qendra më e përparuar kulturore-arsimore e Ballkanit e gjithë shekullit XVIII-të.

Po cilët ishin armiqtë e Akademisë dhe  Voskopojës?

Sipas studiuesit Adhami, Patriarkana e Stambollit luftonte me të gjitha mjetet zhvillimin e çdo kulture kombëtare. Sigurisht që ajo luftohej edhe nga fanariotët shovinistë të cilët kishin për qëllim përhapjen e fesë së tyre.

Pedagogët patriotë shumë herë  u dëbuan dhe u zëvëndësuan me të tjerë që zbatonin urdhrat e shovinistëve fanariotë. Pas tre shkatërrimeve të njëpasnjëshme Voskopoja u rrudh në dimensione të mëdha dhe u kthye në fshat dhe Akademia nuk vazhdoi veprimtarinë e vet.

Godina e Akademisë u dogj që në shkatërrimin e parë të 1769 dhe pjesa më e madhe e banorëve u shpërndanë në vise të ndryshme të Shqipërisë si dhe në vende të huaja.

Po çfarë qëllimesh fshihnin këto shkolla që u bënë objekti i armiqësisë së Portës së Lartë?

Sipas mendimit të Ilo Mitkë Qafëzezit arrihet në përfundimin  se shkollat heleno-latine përveç arsimit kishin për qëllim dhe idealin e fshehtë të shporrjes së osmanëve prej mëmëdheut.

Ajo që mund të thuhet është se në Akademinë e re të Voskopojës u vu re një frymë përparimtare borgjeze, me elemente të theksuar patriotikë dhe me simptoma demokratike, me ndikime të theksuara të huaja, me ndikim illuminist por dhe me goxha ndikim për greqizim të arsimit.

Pikërisht me një rrymë të tillë ishin instruktuar veçanërisht emrat e tre pedagogëve si Mentod Antrakidi, Teodor Kavalioti dhe Dhanil Haxhiu.

Fakt është që ata u përpoqën dhe patën iniciativa serioze dhe për hartimin e librave në shqip. /konica.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here