SHPËRNDAJE

28 Nëntori, Dita e Flamurit, ka qenë subjekt përjetësisht frymëzues për penën e rilindësve, atdhetarëve dhe dëshmorëve të të gjitha kohrave.

Dëshmori i Kombit, Bahri Fazliu (1971-1998) kishte sprovuar penën e tij me çështjet më të mbrehta të kohës, pikërisht atëherë kur Kosova po nxirrte shkëndijat e para të kryengritjes së armatosur kundër Serbisë.

Si kryeredaktor i gazetës «Çlirimi», që shprëndahej në ilegalitet të thellë, i riu nga Llapi do të bëhej një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për rezistencë të armatosur.

Një shpirt i mbruajtur në dashurinë e madhe për Shqipërinë, një gueril urban si Bahriu, ose Gzimi siç njihej me nom de guerre, do t’i kushtonte lexuesve të kohës një sërë shkrimesh, pamfletesh e poezish me vlerë të gjithëkohshme.

Portali Konica.al sjell një shkrim të veçantë të Bahriut për 28 nëntorin e vitit 1995, atëherë kur ende ishte 24 vjeçar.

Shkrimin po e botojmë pa kurrfarë ndërhyrje, ashtu siç e kemi marrë nga nga libri «Kundër mistifikimit për të vërtetën», (Çlirimi, Prishtinë, 2000, fq.84-85):

 T’ia kthejmë Nëntorin Nëntorit!

Sa herë vjen nëntori një kënaqësi e lehtë përshkon zemrat e njerëzve. Koka ngrihet lart, sepse përmbajtja në kujtesë është e madhërishme.

Askush s’mund të ëndërrojë indiferent para historisë. Sa herë vjen nëntori në njerëz regëtinë shpresa. Nëntori është aq i madh sa t’i çojë peshë shpirtërat e vdekur.

Sa herë vjen nëntori hapen faqet e librit të të madhit popull. Sa kohë që ky libër i përket historisë nëntorët janë lavdia, në çastin kur fillon aktualiteti, nëntorët janë mjerimi.

Në bilancin e bërë turpi i së sotmes mbulohet me lavdinë e së djeshmes.

Në nëntorët 1443, 1912, 1944, 1989 yjet i gjeje në tokë. Nata e shekujve vdiste para shkreptimës së një muaji.

Nëntori është populli. Populli i lindi Nëntorët për popullin.

Kur nocioni popull u nëpërkëmbë, Nëntori mbeti vetëm në histori. Ta zësh sot në gojë Nëntorin do të thotë ta bësh më të dukshëm mjerimin tënd.

Madhështia e heronjve verbon mjerimin e sotëm. Xhuxhma-xhuxhët shkrihen para heronjve. S’mund të maten ndërtuesit e lirisë me rrënuesit e kombit, të rënët për liri me banorët e robërisë, të pagjumët e çdo stine me arinjtë dimërorë.

Në nëntorët e kujtesës qielli, toka, varret s’kishin natë, në nëntorët e aktualitetit vetëm varret kanë dritë. Sa herë vjen nëntori pyetet: Pse s’erdhi NËNTORI?

Nëntorin e vrau nëntori. Nëntori s’mund të vritej ndryshe veçse me madhështinë e një nëntori të gënjeshtërt.

Që të gdhihemi në Nëntor duhet që të sotmen ta bëjmë të shndritshme sa kujtesën, të djeshmen ta bëjmë udhëzuese të së sotmes. T’i kthejmë vitet në Nëntor, te brohorasë çdo gjë N-ë-n-t-o-r! – kjo kërkohet për çdo nëntor. Nëntorin s’bën ta lëmë pa Nëntor.

nëntor 1995

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here