SHPËRNDAJE

“S’lidhet Floqi, hyqymet!”

– Kryengritja antiosmane në Floq të Çermenikës –

Nga Avni ALCANI

Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit të shek. të 19-të krahina Çermenikës ka qenë objekt i vazhdueshëm i reprezaljeve dhe i sulmeve të njëpasnjëshme të ushtrisë pushtuese osmane, që kërkonte t’i nënshtronte çermenikasit, të cilët, për shkak të varfërisë dhe të prapambetjes së tyre, nuk u bindeshin dhe nuk e përfillnin reformën shtrënguese, shtypëse, shtrytëzuese dhe poshtëruese të Tanzimatit. Sa më shumë që krahina sulmohej për ta nënështruar, aq më e pabindur bëhej ajo.

Ngjarja për të cilën do të bëjmë fjalë në këtë shkrim, ka ndodhur në fshatin Floq të Çermenikës. Ngjarja e Floqit na vjen e ruajtur nëpërmjet disa tregimeve popullore që ruhen ende në fshatrat e Çermenikës dhe nëpërmjet këngës “Vinë taborët e Turqisë”. Disa taksambledhës të administradës turke të Elbasanit, që vinin të shoqëruar nga një tabor i ushtrisë turke, kishin shkuar në fshatin Floq të Çermenikës, për të mbledhur taksat. Komandanti turk i taborit kishte lajmëruar fshatin, të cilët ishin grumbulluar në sheshin e xhamisë së fshatit të tyre dhe u kishte kërkua të dorëzonin taksat për qeverinë turke. Flojanët e kundërshtuan dorëzimin e tyre, duke u thënë se ata ishin të varfër dhe nuk kishin se çfarë t’u jepnin. Taksambledhësit, nëpërmjet Plakut të Balës, një renegati nga një fshat fqinj, u kërkojnë flojanëve që të dorëzojnë menjëherë taksat për qeverinë turke, ndryshe do t’iu merrnin peng pasuritë e tyre. Fshatarët ishin revoltuar. Ata qenë të vendosur për të mos i dorëzuar taksat dhe për t’iu bërë ballë ushtarëve turq. Komandanti turk u çudit nga ky qëndrimi i flojanëve, duke thënë, sipas vargjeve të këngës: “Ç’asht ky popull si s’do Hyrjet?!/ S’lidhet Floqi, hyqymet!”.

Halil Ruçi, një prej flojanëve të rebeluar, i drejtohet Plakut të Balës, siç thotë kënga: “Plaku i Balës, m’re mjekër kuq,/ ku i ke nis gjith k’ta llukë?”. Plaku i Balës i përgjigjet: “Deri te Koçi kam nji punë,/ do marr kalin me përdhunë”. Fjalëve kërcënuese të Balës, Ruçi ia kthen me zemërim në vargun pasardhës të këngës,: “Martaneshas, mor pishaxhi,/ kalin tem s’ma merr ti!”. Pas këtij dialogu të nxehtë, ushtarët turq përgatiten të ndëshkojnë fshatarët e rebeluar. Halil Ruçi zuri pozicion “mes frashnit” gati për të luftuar. Në krah të Halilit mblidhen bashkëfshatarë të tjerë, të cilët, edhe ata, zënë pozicione luftimi. Pas këtij momenti nis luftimi mes Ruçit, i mbështetur nga bashkëfshatarët e tij, dhe ushtarëve turq. Flojanët luftojnë me një trimëri të rrallë kundër turqve, ku dallohen dy më trimat, dy pinjollë të fisit Koçi, Hajdari dhe Limani, për të cilët kënga thotë: “Ç’thotë Hajdari, ja pret Limani:/ Nuk m’shkon kali na Elbasani! Këta flojanët sira-sira,/ m’u ke Koçi paskan qanë dy trima…”.

Ngjarja pati edhe episode të tjera. Gjatë luftimit, Murat Baboçi, një fshatar po nga Floqi, nuk kishte qitur pushkë kundër turqve, pasi, thotë kënga, ai kishte “ngatërruar” pushkën me furkën. Por bashëfshatarët e tij e ironizojnë këtë veprim të tij, për të cilin kënga thotë: “Murat Baboçi, m’re qime tel,/ kape furkën si me tjerr…”.

Për shkak të mungesës së dokumentave për këtë ngjarje, nuk kemi asnjë të dhënë se kur ka ndodhur ngjarja e Floqit. Për të përcaktuar afërsisht kohën e zhvillimit të saj ndofta do të na duhet të hetojmë disa elemente të këngës, siç janë emrat e njerëzve dhe emrat e fiseve.

Proçesi i myslimanizimit të krahinës së Çermenikës kishte përfundur rreth mesit të shek. të 19-të. Emrat e personazheve të përfshirë në ngjarjen e mësipërme janë të gjithë myslimanë, pra janë të një kohe kur ishin konsolodiuar mirë si feja por dhe emrat myslimanë të banorëve çermenikas. Emrat e familjeve të përmendura në këngë, si Ruçi, Koçi, Baboçi etj., ekzistojnë edhe sot të pandryshuara në fshatrat Floq, Orenjë dhe Gurakuq. Ndaj mendojmë se ngjarja e përshkruar në këngën “Vinë taborët e Turqisë”mund  dhe duhet të ketë ndodhur në dhjetëvjeçarin e fundit të shek. të 19-të.

Kënga “Vinë taborët e Turqisë” është regjistruar në fshatin Orenjë në vitin 1987 nga koreografi Sadi Halili (1941-2012), Artist i Merituar, dhe u botua prej tij në librin “Librazhdi në këngë” (Tiranë 2006). Kënga “Vinë taborët e Turqisë” ishte krijua për të përjetësuar trimërinë e flojanëve, të Halil Ruçit, Hajdar Koçit, Limon Koçit etj., të cilët luftuan me heroizëm kundër ushtarëve turq. Kënga hedh dritë mbi një ngjarje të rëndësishme historike, atë të kryengritjes së çermenikasve kundër Tanzimatit dhe taborreve të Turqisë që kishin mësyer krahinën e tyre.

Kënga ka një strukturë të thjeshtë. Ajo është ndërtuar në formën e një rrëfimi dhe e ndërthurur me dialogje. Kënga ka gjithsej 20 vargje. Vargjet janë monokolonë, kanë rimë të puthitur dhe çdo varg ka 8 rrokje.

Kënga ka gjithsej gjashtë personazhe: Halil Ruci, Plaku i Balës, nipi i Bylykbashit, Hajdar Koci, Liman Koci dhe Murat Baboçi, të cilat janë gati të gjithë banorë të fshatrave të Çermenikës, si Floqi, Orenja, Gurakuqi dhe Martaneshi.

Në një shënim që botuesi i këngës ka vënë në fund të këngës, shkruhet: “Dukuria e shtegtimit të këngëve është e njohur ngado. Edhe kjo këngë duket se është e tillë, e ardhur nga hapsira të tjera shqiptare” (faqe 49), duke lënë të nënkuptohet se kënga “Vijnë taborrët e Turqisë” nuk është një këngë lokale, por  e huazuar. Nuk jemi dakort me këtë konstatim, pasi kemi mendimin se kënga është një krijim origjinal dhe lokal vendas. Ajo i ka të gjitha elementet për të qenë një këngë çermenikase, pasi ka toponiminë e fshatrave të krahinës, si Floq, Martanesh, apo Elbasan, emërtime banorësh sipas fshatit (flojanë, martaneshas), ka emra fisesh nga fshatrat Floq, Orenjë, Martanesh dhe Gurakuq (Ruçi, Kolli, Bala, Baboçi), si dhe emra konkretë të banorëve të këtyre fshatrave (Halil Ruçi, Hajdar dhe Limon Koçi, Plaku i Balës, Murat Baboçi) etj.

Më poshtë po japim tekstin e plotë të këngës “Vinë taborët e Turqisë”, e cila është nxjerrë nga libri i sipërpërmendur të autorit Sadi Halili.

VIJNË TABORËT E TURQISË*)

Vijnë taborët e Turqisë,

Mbledhin xhephane te sheshi xhamisë.

Ç’asht ky popull si s’do Hyrjet?

S’lidhet Floqi , hyqymet!

Halil Ruçi zu ven mas frashnit,

Me vra t’nipin e bylykbashit.

– Plaku i Balës, mre mjekërkuq,

ku i ke nisë gjithë k’ta lluk?

– Deri ke Koçi kam pak punë,

do mar kalin me përdhunë.

– Martaneshas, mor pishaxhi,

kalin tem s’ma merr ti!

Ç’thotë Hajdari, ja pret Limani:

– Nuk shkon kali ke Elbasani!

Kta flonjanët sira-sira,

M’u ke Koçi paskan qanë dy trima.

– Murat Baboçi, mre qime tel,

kape furkën si me tjerr’.

Këta Baboçajt soj çifuti,

trim kish qenë Halil Ruçi.

_________________________

*) Mbledhur nga Sadi Halili, Orenjë 1987, dhe botuar prej tij në librin “Librazhdi në këngë” (Tiranë 2006).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here