SHPËRNDAJE

Nga John Kennedy, Marilyn Monroe, deri tek shqiptarët Gjergj Fishta, Faik Konica, Petro Marko e Teodor Keko

Gazeta “Tirana Observer” në suplementin e sotëm po boton frazat, fjalët dhe testamentet personaliteteve shqiptarë dhe të huaj përpara vdekjes. Që nga Ismail Qemali, Ali Pashë Tepelena që i prenë kokën në pabesi, tek vëllezërit Frashëri, Nënë Tereza deri tek shkrimtarët e famshëm Gjergj Fishta, Petro Marko e Teodor Keko. Në këtë suplement përfshihen edhe disa nga personalitetet më të mëdhenj të historisë së njerëzimit. Nga John Kennedy, Marilyn Monroe deri tek Ledi Diana. Para se të vdiste presidenti amerikan e kishte diskutuar vdekjen e tij. E fjalët e tij të fundit ishin, “Nëse dikush do të më vrasë, do të më vrasë”. Një mënyrë për të thënë që vdekja është e pashmangshme e nëse ka për të ardhur do vijë. Fjalët e fundit të njerëzve të famshëm përbëjnë një fond të artë të momentit të fundit edhe për arsyen se reflektojnë mendimet finale në prag të ndërrimit jetë.

Ali Pashë Tepelena
Pashai i Janinës
1741-24 janar 1822

Ali pashë Tepelena, i quajtur ndryshe “Luani i Janinës”, është një nga figurat më të spikatura në historinë shqiptare. Drejtues i pjesës perëndimore të Rumelisë në Perandorinë Osmane, ai  krijoi një nga pashallëqet më të mëdha nën këtë perandori dhe më të pavarura. Epërsia e tij do të krijonte përplasje me Portën e Lartë që ndihej e kërcënuar nga Ali Pasha. Për këtë arsye, sulltani Mahmudi II urdhëron vrasjen e tij. Në librin e Aleksandër Dumas, i cili ka shkruar librin “Ali Pasha”, ai  përshkruan momentin e vdekjes dhe fjalët e fundit të pashait. Ndërsa i dërguari i sulltanit i thotë Ali Pashës t’i nënshtrohej fatit, t’i lutej zotit dhe profetit. Pashai i Janinës nuk e lë të mbarojë fjalën, por i thotë: “Koka ime nuk ulet si kokë skllavi”, dhe fillon e lufton. Pasi ishte dëmtuar nga plagë të shumta, duke e parë që fundin e kishte të afërt,  Aliu i thotë një prej njerëzve të tij: “Vrap, shko, miku im, there Vasiliqinë, që të mos fëlliqet nga poshtërsitë e tyre”. Këto ishin fjalët e fundit të Ali Pashës. Më pas xhelatët i mbështetën kokën në një shkallare dhe e goditën dy herë me satër, duke ia ndarë nga trupi.

Sulejman Vokshi
Luftëtar, kryekomandanti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
(1815 – 1890)

Kryekomandanti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një prej luftëtarëve më të mëdhenj shqiptarë, është një nga personalitetet e Rilindjes Kombëtare, i cili shkriu jo vetëm jetën, por edhe pasurinë e vetë personale për çështjen kombëtare. Në procesverbalet e gjyqit të zhvilluar pas arrestimit të tij dhe Abdyl Frashërit, gjyq, i cili u zhvillua në Kalanë e Prizrenit, dallohet papërkulshmëria e tij ndaj çështjes kombëtare. Ndonëse e dinte se do të dënohej me vdekje, ai qëndroi dinjitoz përballë trupit gjykues, i cili i dha verdiktet sipas porosive që erdhën nga Porta e Lartë. Në fjalët e tij të fundit, pas dhënies së vendimit për dënimin me vdekje, me varje në litar, vihet re një karakter i pathyeshëm dhe i padiskutueshëm. Para trupit gjykues, Sulejman Vokshi deklaroi fjalët e fundit të jetës së  tij: “Sikur tri jetë të kisha, të tria do t’i shkrija për lirinë e atdheut” Kjo frazë ka qenë edhe lajtmotivi i shumë ushtarëve të UCK-së.

Naim Frashëri 
1900

Si mund të kishte një vdekje ndryshe poeti i Rilindjes, Naim Frashëri? Po aq lirike, romantike dhe padyshim e lidhur me Shqipërinë. I vdekur në vitin 1900, të dhënat na tregojnë se ka vdekur me fjalë në gojë. Dhe mbetet lapidar fraza e tij e fundit përpara se të mbyllte sytë: “Jetoni dhe vdisni për Shqipëri”. Dhe poeti ynë kombëtar u shua si qiriri për Shqipërinë. Ishin poezitë, poemat dhe skicat e  tij që zgjuan popullin shqiptar nga letargjia ku e kishte zhytur perandoria osmane. Por poeti rilindës gërthiti tërë jetën e tij, “zgjohu”. Dhe kjo fjalë që ishte refren i jetës së tij nuk iu nda nga goja edhe në grahmat e fundit të jetës. Naimi foli po për Shqipërinë, një këshillë që edhe sot e kësaj dite tingëllon interesante dhe mjaft patriotike. Të gjitha dëshmitë vijnë në kohën e sotme nga vëllezërit dhe familja e tij dhe janë shkruar e botuar në shqip.

Ismail Qemali
Kryeministri i parë i Shqipërisë
16 janar 1844-24 janar 1919

“Me varrosni në teqenë e Kaninës”. Ky ishte amaneti i fundit i Ismail Qemalit, që i kishte lënë të birit pak para se të vdiste, më 24 janar 1919. Ai ndodhej në Itali, ku kishte shkuar për të folur me autoritetet italiane për Konferencën e Paqes që do të zhvillohej në Paris. Por kur mbërriti në Itali e njoftuan se këto autoritete ishin nisur për Paris. I akomoduar në hotelin e përcaktuar, Qemali njoftohet për dëshirën e gazetarëve për një konferencë për shtyp. Pak kohë para se të fillonte konferenca e shtypit, Ismail Qemalit iu servir fillimisht buka, me pretekstin se duhet të hante para konferencës. Pasi hëngri, ai hyri në sallën e rekomanduar, ku e prisnin dhjetëra gazetarë e fotoreporterë të ndryshëm. Sipas rrëfimeve, që djali i Ismail Qemalit, Et’hemi, i ka bërë më vonë kryetarit të bashkisë së Vlorës, Ali Asllanit, mësohet se sapo hyri në sallë, kreut shqiptar i kaloi një çehre e verdhë në fytyrë. Pas kësaj situate, ai arriti të kërkonte ta shoqëronin për në banjë. Kur arriti aty, e mbyti shkuma që nxirrte nga goja dhe të vjellët. Në pak çaste pulsi i tij pushoi së rrahuri.

Gjergj Fishta
Shkrimtar, klerik, përkthyes
23 tetor 1871- 30 dhjetor 1940

Shkrimtari i madh shqiptar i “Lahutës së Malcisë” vdiq më 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës. Revista “MAPO” botoi disa vitesh  detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij. Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”. Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi  i fundit”. Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit,  shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vetë me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për Fe, Atdhe e për Provincën tonë”. Ndërkohë Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit. “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”. Ndërsa italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “jo për tjetër, por, sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.


Fan Noli
6 janar 1882 -13 mars 1965
Politikan, klerik (kryeministër i Shqipërisë 1924)

Një nga figurat më të mëdha të historisë së Shqipërisë, Fan Noli u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare në Fort Lauderdale, Florida, larg vendit të cilit i kushtoi jetën e tij.  Më 13 mars të vitit 1965, në ditën e fundit të jetës, Noli kishte në dorë një libër me poezi të poetit francez, Alfred Devinji (Afred de Vigny) dhe po lexonte poemën “Vdekja e ujkut”. Sipas studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, Noli dha frymë në kopshtin e shtëpisë ku po lexonte poemën. Libri i Devinjit i kishte rënë nga dora, dhe ai kishte nënvizuar këto vargje:
“Rënkimi, vaji dhe lutjet janë të gjitha dobësi!
Detyrën bëj si burrë pa u epur kurrsesi
Në rrugën vetë fati që deshi të caktojë
Pastaj si unë, vuaj dhe vdis pa hapur gojë”.
Të gjithë studiuesit që janë marrë me fundin e jetës së Nolit, i mbajnë si testament këto vargje, të cilat nënvizoi Noli. Sipas Nolit, njeriu duhet të përballej në këtë mënyrë me vdekjen. Të vuante, të vdiste pa hapur gojë, gjë të cilën e dëshmoi edhe vetë në fundin e tij.

Bahri Omari
1888- 1945
Ish-ministri i Jashtëm i qeverisë së Rexhep Mitrovicës në vitin 1943, dhe një nga intelektualët më të mëdhenj të Shqipërisë, mbajti një qëndrim prej heroi në momentin kur ishte para togës së pushkatimit. “Kur të dënuarit nga Gjyqi Special u gjendën të rreshtuar me shpinë nga skuadra e pushkatimit, Bahri Omari u thirri me një ton urdhërues: “Ktheni fytyrën nga pushkët, se nga shpina vriten vetëm armiqtë. Ne s’jemi armiq, dhe këtë do ta vërtetojë historia”! Këto ishin fjalët e fundit që tha Bahri Omari  para vdekjes, shkruante në kujtimet e tij ish-prokurori Bedri Spahiu, që merrte pjesë në ekzekutimin e ish-ministrit të Jashtëm. i lindur në Gjirokastër, Bahri Omari diplomohet në Stamboll në vitin 1910, në shkencat administrative. Ai është shumë aktiv në Shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912, dhe është përkrahës i Nolit gjatë Revolucionit të Qershorit të vitit 1924. Në vitin 1943 ai emërohet ministër i Jashtëm në qeverinë shqiptare  të Rexhep Mitrovicës. Pas çlirimit të vendit, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, ai u arrestua me akuzën si bashkëpunëtor i pushtuesve dhe dënohet me vdekje nga prokurori i atëhershëm, Bedri Spahiu.

Mehmet Shehu
Janar 1913 – dhjetor 1981
Kryeministër

Fjalët e fundit Mehmet Shehu para se të vriste veten nuk do t’ia thoshte njeriu, por do t’i linte shënim në një letër të cilën ia adresonte ish-diktatorit komunist, Enver Hoxha. “Amanet familjen time, Fiqiretin, djemtë (përfshi dhe Skënderin dhe Bashkimin), fëmijët e nuset e djemve! Po të shihni se është interesi i Partisë thoni se “Mehmeti vdiq aksidentalisht, duke manipuluar armët!” ose si të doni. Edhe armik po më quajtët, kam besim se asgjë s’mbetet pa u zbuluar nga koha, e vërteta s’vdes kurrë. Po vdes i pafajshëm, (më vrau Jagua i Shqipërisë!)”, këto ishin fjalët e fundit të shkuara në letrën e gjatë të ish-kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë. I lindur më 10 janar 1913 në Çorrush të Mallakastrës, Mehmet Shehu është cilësuar si një nga figurat kryesore të regjimit komunist. Ai ka qenë kryeministër i vendit për gati 30 vjet, nga viti 1951 deri sa vdiq në vitin 1981. Pas fejesës së djalit të tij, Bashkimit, me Silva Turdiun, ish-kryeministri u sulmua nga diktatori Hoxha si armik dhe agjent i shërbimeve të huaja. Kështu më 18 dhjetor 1981 Mehmet Shehu vrau veten në dhomën e tij.

Kadri Hazbiu
15 korrik 1922- 10 shtator 1983

“E dua jetën, kam familje, kam fëmijë, vëllazëri, dua deri në vdekje Shqipërinë, por i dua i ndershëm, besnik, se i tillë kam qenë dhe i tillë do të mbetem deri në fund…” Këto ishin fjalët e fundit të ish-ministrit të Brendshëm më jetëgjatë në historinë e shtetit shqiptar. Kadri Hazbiu ishte vetëm 23 vjeç kur u emërua shef i Sigurimit të Ushtrisë. Por, studimet pas çlirimit në Shkollën e Lartë të Sigurimit në Moskë e profilizuan në fushën e agjenturës dhe të çështjeve të policisë. Pas kthimit nga Moska ai fillon punë si nëpunës në Ministrinë e Brendshme, por shumë shpejt emërohet zëvendësministër, detyrë që e mban deri në vitin 1954. Më pas emërohet ministër i Brendshëm, një detyrë që do ta mbante për gati një çerek shekulli. Në vitin 1979 ai u emërua ministër i Mbrojtjes, post të cilin e mban deri në vitin 1982, kur pas  përjashtimit me shumë bujë nga Partia në Plenumin e Komitetit Qendror të vitit 1982, ai akuzohet si armik i popullit dhe i partisë. Me akuzën e përmbysjes me dhunë të pushtetit popullor dhe si autor i një tentative për të eliminuar Enver Hoxhën, Hazbiu dënohet me vdekje dhe ekzekutohet më 10 shtator të vitit 1983.

Lasgush Poradeci 
Poet, përkthyes
27 dhjetor 1899- 12 nëntor 1987

“Shtërgu i fundit” iku nga kjo jetë në orën 3 pasdite të 12 nëntorit të vitit 1987. Një nga lirikët më të mëdhenj të letërsisë shqiptare, që i dhuroi Shqipërisë “Vallen e yjeve”, “Yllin e Zemrës”, e më tej bëri të flasin shqip “Eugjen Onjegin” i Pushkinit, lirikat e Lermontovit, poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miskieviçit, lirikat e Gëtes dhe poezi të Lanaut, Brehtit, Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj., u la në harresë dhe në mjerim të plotë pas vitit ’44. I diplomuari në Grac të Austrisë, ishte një përkthyes me normë, që po vdiste dalë e nga dalë nga indiferentizmi i shtetit. I ballafaquar çdo ditë me rrezikun e ndonjë internimi të mundshëm që kishte kapur shumë shokë të tij të letrave, ai stërmundohej për gjëra nga më të voglat. Një jetë e vështirë, që e kaloi në shtëpinë e tij me lagështirë, të papërfunduar, në Tiranë, e pjesërisht në shtëpinë e rrënuar të tij në Pogradec, i solli edhe sëmundjen që e çoi drejt vdekjes. “Kostandinë, bijë e babait, trupin tim edhe të vdekur ta shpiesh në Pogradec”, i thotë ai vajzës së tij të dashur që i qëndron tek koka. Pasi heshti pak e pyet: “Po a ke lekë ti, bijë e babkës, të më varrosësh mua atje?”. Këto janë fjalët e fundit të poetit të madh shqiptar që vdiq padrejtësisht si i vogël.

Petro Marko
Shkrimtar
25 nëntor 1915- dhjetor 1991

“Cila do të ishte fjala e fundit kur do të jepja shpirt? Tani mendoj si i gjallë dhe do të dëshiroja të isha i gjallë deri në çastin e fundit kur të thosha: Jetova kohën si një aktor që nuk e shprehu mirë pjesën e caktuar nga regjisori jetë…”, shkruan në një nga shënimet e tij të pabotuara më parë, gjeniu i Brezit të Humbur. Kjo është fjala e fundit që kishte dëshirë të thoshte ai. Një “Hasta la vista” vetëm prej Petro Markoje. E menduar deri në detaj dhe e trishtë, si subjektet e romaneve të tij. Apo ashtu si jeta e tij, që ishte e vetmja vepër e pashprehur mirë. Dhe kjo, jo për faj të tij. Një nga shkrimtarët më të vuajtur gjatë regjimit diktatorial, i mbylli sytë në dhjetor të vitit 1991, atëherë kur sapo po hapeshin perdet e një Shqipërie të lirë.


Teodor Keko 

Shkrimtar
Shtator 1958 – gusht 2002
Dhe në fjalët e fundit Teodor Keko do bënte letërsi. “Në këtë botë nuk ka njerëz të përjetshëm, por kalimtarë. Është e vështirë ta pranosh vdekjen tënde, por ja që ajo është prezente dhe një ditë vjen, dhe atëherë pavdekësinë, pikërisht atë që lakmojmë, na e dhuron nëse e meritojmë ajo vdekje. Filozofi e komplikuar apo jo!”, këto ishin fjalët që shkrimtari njohur kishte thënë pak kohë para se të vdiste. I lindur më 2 shtator 1958, në një familje të shquar kineastësh, Teodor Keko që i vogël shquhet për humorin e hollë dhe shpirtin e rebeluar, cilësi këto që do të ridimensionoheshin me kalimin e viteve. Në vitin 1979, në moshën 19-vjeçare boton të parat poezi në gazetën letrare “Drita”, përcjellë me mjaft dashuri nga personaliteti i letrave shqipe Fatmir Gjata. Shkrimtari i njohur është shumë aktiv gjatë lëvizjeve demokratike në Shqipëri dhe zgjidhet deputet i Partisë Demokratike për dy mandate rresht. Në vitin 1996, i zhgënjyer largohet përfundimisht nga politika e drejtpërdrejtë dhe vendos të kontribuojë në demokratizimin e jetës si intelektual përmes fjalës në shtypin e shkruar. Pas një sëmundjeje të rëndë Teodor Keko vdes më 20 gusht 2002 nga një sëmundje e rëndë.

Dhimitër Shuteriqi
26 korrik 1915-21 korrik 2003
Shkrimtari i madh Dhimitër Shuteriqi lindi dhe vdiq ditën e hënë. Jetoi në tri periudha mbretërinë, socializmin dhe demokracinë. Ai  mbi të gjitha i ka dhënë letërsisë kombëtare duke shkruar dhe historinë e saj. Por edhe më mbresëlënëse janë momentet e fundit të jetës së vetë. Bashkëshortja e tij, Myneveri, tregon se në një moment kur po i rrinin tek koka e gjithë familja, ai u shpreh se “ç’bukuri ish, që aty ishin të gjithë”. Por edhe më kuptimplotë se kjo, ishte ajo që tha shumë më gjerë dhe me brengë. “Ti, Mynever, e di si e kam shkruar historinë e letërsisë, me një brengë për tërë jetën”. Një fjali që nënkupton se shumë poetë dhe shkrimtarë  që nuk iu lejuan t’i përmendte në atë libër, do të mbetet një brengë që do ta merrte me vete në varr. Por në të njëjtën kohë edhe një thirrje për letrarët shkrimtarët e historianët për të shkruar një vepër të plotë dhe të saktë të letërsisë. Për të gjitha këto, Dhimitër Shuteriqi punoi tërë jetën. Por nuk arriti që të plotësonte atë që mbante thellë në vete. Megjithatë, ato fjalë jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë mbeten si një këshillë e thënë me zë të ulët në vesh.

John Kennedy
Data e vdekjes: 1963
Presidenti i 35-të amerikan më i ri në moshë konsiderohet si një prej folësve më frymëzues në histori.
Fjalët e fundit: Nëse dikush do të më vrasë, do të më vrasë.

Elvis Presley
Data e vdekjes: 16 gusht 1977
Presley ka qenë një prej yjeve të spektaklit më të famshëm të kohës së tij dhe vazhdon të mbetet një ikonë.
Fjalët e fundit: Shpresoj të mos ju kem mërzitur (duke i dhënë fund konferencës së tij të fundit për shtyp).


Marilyn Monroe

Data e vdekjes: 4 gusht 1962
Ajo ishte një seks-simbol dhe ikonë e Hollivudit. Thuhet se ajo kishte një marrëdhënie me presidentin Kennedy dhe vëllain e tij.
Fjalët e fundit: Thojini lamtumirë Patit, thojini lamtumirë Jack-ut dhe lamtumirë dhe ty sepse je një djalë i mirë.

Frank Sinatra
Data e vdekjes: 14 maj, 1998
Ai ishte një prej këngëtarëve më të famshëm të viteve ’40, aktor dhe gjithashtu një sipërmarrës i suksesshëm.
Fjalët e fundi: Po humbas. Burime të tjera thonë se ai ka thënë, “Po e humbas”.

Virginia Woolf
Data: 28 mars 1941
Një prej shkrimtareve më të rëndësishme të shekullit të kaluar, e cila ka revolucionarizuar letërsinë.
Fjalët e fundit: Jam e sigurt se po çmendem sërish. Besoj se nuk mund të kalojmë sërish nëpër ato kohë të tmerrshme. Dhe kësaj radhe nuk do e rimarr veten. Kam nisur të dëgjoj zëra.

Pablo Picasso
Data e vdekjes: 8 prill 1973
Disa e konsiderojnë piktorin, skulptorin dhe themeluesin e formës së tij të artit si artisti më i famshëm i shekullit të 20-të.
Fjalët e fundit: Pini për mua. Pini për shëndetin tim. Ju e dini se unë s’pi dot më.

John Lennon
Data e vdekjes: 8 dhjetor 1980
Lennon është një prej themeluesve të grupit dhe Beatles, i cili më pas u shfaq për publikun si vokalist e njëkohësisht figurë e përfolur.
Fjalët e fundit: Po, unë jam (Në një makinë policie gjatë rrugës për në spital, kur policët e pyetën nëse ishte John Lennon).

Bob Marley
Data e vdekjes: 11 maj 1981
Këngëtari dhe tekstshkruesi xhamajkan konsiderohet si babai i muzikës “reggae” dhe ambasador i kësaj lëvizjeje shpirtërore që predikonte paqen.
Fjalët e fundit: Paratë nuk e blejnë dot jetën.

Malcolm X
Data e vdekjes: 21 shkurt 1956
Malcolm X ishte një aktivist dhe një prej liderëve me ngjyrë më me influencë e gjithashtu një ndër më të diskutuarit.
Fjalët e fundit: Qetësohuni vëllezër, ju lutem! Kjo është një strehë e paqes.

Robert F. Kennedy
Data e vdekjes: 5 qershor 1968
Vëllai i presidentit John Kennedy në kohën, kur u vra ishte Prokuror i Përgjithshëm dhe po përgatitej të kandidonte për president.
Fjalët e fundit: A janë të gjithë të tjerët mirë (bashkëshortes së tij).

Nënë Tereza
Data e vdekjes: 5 shtator 1997
Nënë Tereza është një prej njerëzve më të famshëm në botë, e njohur për bamirësinë e saj në Indi, ku kaluar më shumë se 45 vjet duke ndihmuar të varfrit e jetimit.
Fjalët e fundit: Jezus të dua. Jezus të dua.

Indira Gandhi
Data e vdekjes: 31 tetor 1984
Indira Gandhi ishte kryeministra e vetme femër e Indisë dhe qëndroi në atë post për 15 vjet, duke u përpjekur t’i sjellë progresin vendit të saj.
Fjalët e fundit: Nuk më vjen keq nëse jeta ime shkon në shërbim të kombit. Nëse vdes sot, çdo pikë e gjakut tim do forcojë kombin.

Winston Churchill
Data e vdekjes: 24 janar 1965
Winston Churchill është konsideruar si një prej liderëve më të mëdhenj në histori pasi drejtoi Britaninë e Madhe gjatë Luftës II Botërore.
Fjalët e fundit: Më ka ardhur në majë të hundës me të gjitha.


Princesha Diana

Data e vdekjes: 31 gusht 1997
Princesha Diana është një prej figurave mbretërore që ka shkaktuar më shumë bujë në botë dhe është bërë fokus i gjithë medias globale.
Fjalët e fundit: Oh zot! Çfarë ndodhi?

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here