SHPËRNDAJE

Një raport konfidencial amerikan (shih: Department of State, PPS Files: Lot 67 D 548, Europe East. Confidential. – Foreign relations of the United States, 1958-1960. Eastern Europe; 1958-1960, fq. 71-104) i datës 19 maj 1958, sugjeron në lidhje me një tematikë pak të rrahur më parë nga studiues, historianë e gazetarë: afinitetin mental, kulturor, historik, mes shqiptarëve dhe bullgarëve.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Bullgarinë në atë kohë, dihet se ishin mëse miqësore në fakt, çka e vërteton përveç të tjerave, edhe një intervistë e ish-liderit komunist bullgar, Todor Zhivkov në vitin 1996 (shih: “Nga Gorbaçovi tek Ramiz Alia”, Pavllo Gjidede, “Botimet Erik”, 2000, fq. 254-256), ku ai shprehet se: Udhëheqja shqiptare, Enver Hoxha, deklaronte jo rrallë, lidhjen, miqësinë e pathyeshme me Bashkimin Sovjetik, me vendin e sovjetëve dhe Bullgarinë”.

Më poshtë DITA boton gjetjet më të rëndësishme të raportit amerikan në fjalë, hartuar në 1958:

* *

“… Shqipëria dhe Bullgaria, përtej diferencave të konsiderueshme mes tyre, kanë disa karakteristika të përbashkëta të cilat i dallojnë ata prej vendeve të tjera satelite sovjetike:  Gjeografikisht, asnjëra prej tyre nuk ndan kufi të përbashkët me Bashkimin Sovjetik – një pozitë që në vendet e tjera të Bllokut e gëzon vetëm Gjermania Lindore, dhe në këtë rast, ajo është kompensuar në mënyrën më të madhe me prezencë trupash pushtuese ushtarake sovjetike.

Asnjëra nga të dyja vendet fqinje me Shqipërinë, dhe vetëm njëri nga katër vendet që e rrethojnë Bullgarinë, janë nën dominimin sovjetik. Për më shumë, atje nuk ka njësi ushtarake sovjetike, megjithëse hasen shumë “këshilltarë” sovjetikë. Çekosllovakia ndan privilegjin e përmendur së fundmi, por në kontrast me to, rrethohet gjerësisht nga pushteti sovjetik.

Ekonomikisht, kulturalisht dhe në terma të popullsisë, këto vende janë më të voglat dhe më të prapambeturat e Bllokut, ku Shqipëria ka rreth 80% të popullsisë së saj fshatare dhe Bullgaria, rreth dy të tretat. Ekonomitë e tyre varen në një bazë të madhe nga kreditë që marrin nga BRSS. Të dyja vendet kanë një rekord të gjatë, që shtrihet në kohë, në marrëdhëniet e tendosura politike që kanë me fqinjët e tyre josatelitë sovjetikë.

Në të dyja vendet, regjimet respektive komuniste ngjajnë të jenë  ngulitur në mënyrë jashtëzakonisht vendimtare. Shqipëria i kushtoi pak më shumë se një makiazh me buzëkuq procesit të destalinizimit që pasoi Kongresin e 20-të të PK të BRSS. Bullgaria ka shkuar më tej në hapat e saj përsa i përket kolektivizimit agrikulturor se sa çdo vend tjetër satelit sovjetik.

Nga pikëpamja e marrëdhënieve me SHBA, Shqipëria dhe Bullgaria janë të vetmet shtete integrale në Europë (duke përjashtuar Gjermaninë Lindore) me të cilat ata nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Shtetet e Bashkuara kanë pasur një mision diplomatik jozyrtar në Shqipëri për një periudhë prej një viti e gjysmë, dhe legata në Bullgari ka funksionuar vetëm për dy vjet e gjysëm, duke mos futur këtu 19 vitet e e fundit para tyre.

Shumica e karakteristikave të përbashkëta të listuara më lart, ushtrohen me një këmbëngulje e forcë më të madhe nga ana e Shqipërisë,  se sa nga ajo e Bullgarisë. Shqipëria është një dorë të mirë më e vogël dhe më pak e populluar, më e prapambetur në çdo pikëpamje, më e izoluar gjeografikisht nga Moska, më staliniste dhe në marrëdhënie më të acaruara me fqinjët e vet.

Etnikisht, populli shqiptar është i ndryshëm nga fqinjët e vet grekë dhe sllavë, ndërsa bullgarët në shumicën e vet, janë sllavë. Si pasojë ka një paragjykim antirus ndër shqiptarët, i cili është thuajse inekzistent tek bullgarët. Shqiptarët janë në 70% të tyre muslimanë, 20% orthodoksë dhe 10% katolikë. Religjioni për këtë arsye është një potencial më me peshë në Bullgari, megjithëse Kisha atje është e kontrolluar gjerësisht nga shteti.

Promovimi aktiv i objektivave (amerikanë) do të jetë një handikap vendimtar përsa kohë që nuk do të ketë marrëdhënie diplomatike. Një farë ndikimi ndoshta do mund të ushtrohej nëpërmjet medias, në veçanti nga transmetimet radiofonike, apo në mënyrë indirekte nëpërmjet përfaqësive diplomatike në vendet mike. Por kjo do të jetë minimale.

Ndërsa është e vërtetë se prezenca e misioneve diplomatike amerikane ka pak gjasë të ushtrojë një ndikim vendimtar në zhvillimet shqiptare apo bullgare, duket qartazi se ky mbetet i vetmi kanal, i cili mund të ishte vlefshmërisht efektiv. Një legatë amerikane në Sofie apo Tiranë do të prodhonte informacione të nevojshme, të cilat ne, për momentin nuk i kemi…” / Dita /

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here