SHPËRNDAJE

Në librin e tij, “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, botuar nga shtëpia Toena profesor Pëllumbi përmes ditarit politik shprehet se Fatos Nano u tregua naiv se duke dulmuar ambasadorët amerikanë do të shpëtonte nga burgosja që i kishte përgatitur PD-ja në 1993.

Pasi i kishin hequr imunitetin, Nano ka sulmuar diplomatët e huaj, Rajerson dhe Hill të cilët deri në atë kohë nuk e kishin lejuar Berishën ta arrestonte.

Profesor Pëllumbi tregon momentet kur ai dhe drejtues të tjerë të PS-së ishin munduar të mbanin turmën para selisë së PS-së për të mos sulmuar burgun ku ishte dërguar Fatos Nano pas arrestimit, duke shmangur një konfrontim që sipas Pëllumbit ishte i mirëpritur nga pushteti i asaj kohe për të dëmtuar opozitën.

E PREMTE, 30 KORRIK 1993

Mbase si reaksion ndaj rritjes së rolit opozitar të PSsë, e trembur sidomos nga mitingjet ku u pa qartë mbështetja masive ndaj PSsë, alternativës së saj dhe Fatos Nanos që ishte në formë shumë të mirë si oratori kryesor i mitingjeve, PD kishte nisur në fshehtësi përgatitjen e dosjes për të akuzuar kryetarin e PS-së Fatos Nano, për vjedhje në përmasa të mëdha të ndihmave italiane kur ishte Kryeministër.

Blerim Çela mbajti “pretencën” (lexoi raportin voluminoz) në seancën e Kuvendit për heqjen e imunitetit të Fatos Nanos tri ditë më parë. Grupi ynë Parlamentar nuk e bojkotoi këtë seancë, zhvilloi një luftë të ashpër që t’i jepej fjala Fatosit për t’u mbrojtur, por Pjetri deklaronte se nuk e lejon rregullorja.

Për herë të parë gjatë dy viteve si deputet jam ngjitur e kam shkuar te kryetari për protestë, madje dhe duke i rrëmbyer mikrofonin.

Tek e fundit gjithçka u bë si kishte vendosur “kupola e PD-së”! Po atë ditë, duke kaluar bashkë me Fatosin për të pirë një kafe nëpër hollin e selisë së PS-së ku ishin mbledhur shumë militantë, të cilët po brohorisnin për kryetarin, u ngjita mbi disa shkallë dhe deklarova me zë të lartë:

Regjimi Berisha i hoqi imunitetin Fatos Nanos, por imunitetin që i ka dhënë Partia Socialiste nuk mund t’ia heqë kush!

Dhe ja ku jemi sot më 30 korrik…

Mbrëmë Fatosi më telefonon në shtëpi dhe më thotë:

– Nesër më ka thirrur përsëri hetuesia, por jam dhe i deleguar në Konferencën e Tiranës. Nuk shkoj dot, prandaj “sajo” ndonjë gjë për të thënë dhe shko vetë. Rashë dakord.

Sot kur po bëhesha gati për të shkuar tek Akademia e Arteve ku do të zhvillohej Konferenca, më merr përsëri në telefon dhe më thotë:

– Mora leje për të vajtur nga dreka në hetuesi, prandaj po shkoj në Konferencë. Shihemi më vonë. Pandeha se do të ketë menduar për të dhënë ndonjë mesazh për zhvillimet aktuale në funksion edhe të mitingut të madh që kemi sot te fusha para “Dinamo”-s.

Nga ora 11 vjen Gaqua nga Konferenca dhe më thotë:

– Kryetari e bëri forra, u dha një goditje brinjë më brinjë amerikanëve. Rajersoni dhe Hilli, tha Fatosi, i janë sulur Shqipërisë me thikë në gojë…

– Mos! E ndërpreva Gaqon. Ç’ka bërë, firmosi arrestimin!

Panorama/ a.k

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here