SHPËRNDAJE

 

Historia e jashtëzakonshme e princit që hartoi kushtetutën e parë shqiptare, bashkohës i Skëndërbeut dhe aventurat e tij në mbrojtje të çështjes kombëtare

“Po kush ka qenë ky (Lekë) Dukagjini? Ai ka qenë sundimtari i këtij vendi

dhe në të njëjtën kohë ligjbërësi i tij, mbasi ai ka hartuar Kanunin e
Dukagjinit, domethënë dispozitat, në bazë të të cilave jetojnë deri në ditët e
sotme, jo vetëm dukagjinasit, por edhe të gjithë malësorët që banojnë në
veri të Drinit… të cilët këtë emër ia atribuojnë heroit të tyre kombëtar”
J.G. von Hahn
Lekë Dukagjini “duhet të ketë pasur një personalitet imponues që ka
ndikuar kaq shumë te njerëzit, aq sa shprehja “Kështu ka thënë Leka”, ka
më tepër forcë detyruese se sa të Dhjetë Porositë e Biblës, mësimet e Islamit
e të Krishterimit, Ligji i Sheriatit dhe i Kishës, të gjitha duhet t’i
nënshtroheshin Kanunit të Lekës… Fama e tij midis fiseve që ende ruajnë
emrin e tij, ia ka kaluar edhe famës së Skënderbeut.”
Edith Durham
Lekë Dukagjini është një figurë historike mjaft komplekse. Madje është një
figurë edhe e legjendarizuar, nëse e pranojmë këtë term, ashtu siç e kemi
pranuar për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriot-Skënderbeun.
Lekë Dukagjini (1410-1481) ishte bashkëkohës i Gjergj Kastriotit
(1405-1468). Historia i njeh të dy si princër trashëgimtarë, që u lartësuan,
kur morën në sundim dy principatat që mbanin mbiemrat e tyre: Leka – të
Dukagjinëve, pas vdekjes së të atit, Pal Dukagjini (1446) dhe Gjergji – të
Kastriotëve më 1443, tetë vjet pas vdekjes së të atit, Gjon Kastriotit.
Principata e Dukagjinëve kishte si kryeqendër qytetin e Lezhës, përfshinte
Zadrimën, zonat në veri dhe në verilindje të Shkodrës dhe shtrihej deri
thellë trojeve të Serbisë së sotme me kryeqendër të dytë qytetin e Ulpianës
afër Prizrenit; ndërsa Principata e Kastriotëve me kryeqendër Krujën,
përfshinte Matin dhe krahinën e Dibrës, duke u shtrirë nga kështjella e
Rodonit në bregdetin e Adriatikut.
Deri në kohën kur vihen në krye të principatave të tyre, Lekë Dukagjini
kishte marrë një kulturë të gjithanshme me frymë humaniste të Rilindjes
Evropiane, në qytete të tilla si Venecia, Raguza apo Shkodra; ndërkohë që
Skënderbeu kishte bërë një karrierë të shpejtë dhe të shkëlqyer prej
ushtaraku në oborrin e sulltan Muratit II.
Në udhëheqje të Besëlidhjes Shqiptare (themeluar në Lezhë më 1444)
Skënderbeu e ndien përherë pranë vetës Lekën (fillimisht të atin e tij Pal
Dukagjinin), sepse të dy luftuan krah për krah (apo edhe iu kundërvunë
njëri-tjetrit) deri sa vdiq (1468), ndërsa Lekë Dukagjini e pasoi veprën e tij,
duke u prirë shqiptarëve në fazën më të vështirë të rezistencës së tyre
antiosmane, deri në fund të jetës së vet (1481).
Me të drejtë kronistë e historianë, duke filluar nga Tivarasi, Frëngu, Barleti
e Muzaka, bashkëkohës të tyre, e deri te Gegaj e Noli të shek.XX, kanë
ndriçuar bëmat e Gjergj Kastriotit dhe nëpër to kanë përmendur edhe Lekë
Dukagjinin, ashtu sikundër disa princër të tjerë të kohës. Por nuk do të
mund të thuhet se, po me të drejtë, ata, historianë e kronistë, e kanë përfolur
vend e pa vend Lekë Dukagjinin, vetëm e vetëm se ishin të magjepsur prej
heroit të veprës së tyre, Skënderbeu. Më me barazpeshë se historianët kanë
vepruar “legjendarizuesit” anonimë të figurave të tilla. Nga anonimati,
Skënderbeu u identifikua me princin dragua, që guxon të matet dhe fiton në
çdo rast me kuçedrën; ndërsa te Lekë Dukagjini u pa princi engjëll, që u
shfaq me guxim dhe urtësi për të ruajtur në vazhdimësi shqiptarizmën.
Historianët e kanë përfolur që në krye Lekë Dukagjinin, sepse kërkuan te ai
një personazh antagonist të Skëndebeut për ta intriguar jetëshkrimin e heroit
të vetëm shqiptar, që njohu Evropa në përballjen e suksesshme
shqiptaro-turke, por edhe sepse nuk donin të fajësonin Evropën
perëndimore, që nuk arriti të krijonte një koalicion antiosman në Ballkan.
Ata nuk guxuan të gjykonin, veçanërisht, Republikën e Venedikut, që jo
vetëm nuk u qëndroi aleate shqiptarëve kur mbanin mbi supet e tyre një
perandori të tërë të egërsuar kundër Evropës, por e shrytëzoi rezistencën e
tyre për interesat e veta komercialiste, duke i përçarë princërit shqiptarë me
intriga, duke i kundërvënë ata njëri me tjetrin edhe me armë dhe, kur nuk ia
arrinte kësaj, duke i shpallur armiq të Republikës dhe të Krishtërimit Lekë
Dukagjini ishte princi më i fuqishëm shqiptar pas Skënderbeut dhe më me
autoritet, prandaj u bë pre e intrigave të politikës veneciane (dhe të
historianëve) derisa Sinjoria e ndjeu rrezikun e Portës së Lartë, krejt afër
pragut të shtëpisë së vet dhe u bashkua realisht me rezistencën e
shqiptarëve, duke i shpallur luftë Perandorisë Osmane (1463). Pas këtij viti
venecianët pushuan së përfoluri Lekë Dukagjnin. Ndërsa historianët kanë
shkruar për disa prej bëmave të Lekë Dukagjinit përkrah Skënderbeut, deri
në vdekjen e tij (1468) dhe më pas në krye të trupave shqiptare përkrah
forcave veneciane, derisa Sinjoria nënshkroi paqen me Portën e Lartë
(1479). Pas kësaj historianët heshtin. Gojëdhëna na bën me dije se Lekë
Dukagjini e vazhdoi rezistencën në krye të trimave të principatës së tij
derisa qe gjallë.
Në fund të viteve ’50 të shek.XV Principata e Dukagjinëve nuk ka më asnjë
nga qendrat e veta të zhvilluara: Lezha u është dorëzuar venedikasve (1393),
Ulpiana, kryeqytei i principatës, është shkatërruar me themele nga turqit më
parë se të binte në dorën e tyre Prizreni (1458), një qendër tjetër e zhvilluar
e Principatës së Dukagjinëve. Në këto kushte, Lekë Dukagjini ka pushtuar
kështjellën e Shatit në Zadrimë për ta pasur si rezidencë princërore, por u
sulmua nga Skënderbeu, i cili ua ktheu menjëherë venedikasve. Pa një
rezidencë princërore dhe, për një farë kohe, në mes të tri zjarreve (turqit,
venedikasit dhe Skënderbeu), Lekë Dukagjini gjeti strehim në thellësi të
maleve të principatës së tij, ku ndërtoi saraje e kështjella së bashku me
banorët e lirë të atyre anëve, të cilët kryezotin e tyre të derës së Dukagjinëve
me gruan e tij, Teodorën e Muzakajve të Beratit dhe të gjithë oborrtarët që i
shkonin pas, i rrethuan me mikpritje e respekt. Me malësorët e Principatës
së Dukagjinëve, të njohur për trimëritë e tyre (M.Barleti:98), Leka, jo vetëm
ringriti qytezë-kështjellat e veta, por siguroi në mënyrë të pandërprerë një
ushtri të mjaftueshme që luajti rol të rëndësishim në kuadrin e trupave të
Lidhjes së Lezhës nën komandën e Skënderbut dhe më pas. Në këmbim të
kësaj gatishmërie, Lekë Dukagjini u siguroi malësorëve të principatës së tij
dhe të gjithë atyre që u bashkuan me të për të gjetur mbrojtje, veçanërisht,
pas vdekjes së Skënderbeut, lirinë brenda organizimit të tyre fisnor, të cilën
në kushtet e krijuara e institucionalizoi me rioarganizimin e pleqësive mbi
bazë fshati e krahine. Gjatë kësaj periudhe (1458-1481), kur ai udhëhiqte të
gjitha kuvendet dhe pleqësitë e malësorëve, u ngjiz Kanuni, që u trashëgua
brez pas brezi, si praktikë gjykimi dhe përmes fjalëve të urta të formuluara
apo të rithëna prej tij rast pas rasti, si sentenca juridike. Ai Kanun mbeti i
pashkruar, por veproi ndër shekuj si “Commom law” anglez, deri sa u
mblodh dhe u kodifikua prej Shtjefën Gjeçovit, në kapërcyell të shekujve
XIX-XX.
Në kohën kur Gjeçovi punonte mbi materialet e mbledhura kanunore,
Kanuni, së bashku me autorin që e kishte dhënë atë, ishin të shenjtëruar prej
të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga besimi fetar i tyre. Në popull nuk
mbeti i përfolur emri i Lekë Dukagjinit, përkundrazi, ai u heroizua. Fakti që
një sundimtar ishte kthyer në një hero të vërtetë, popullor e kombëtar, mund
të shpjegohet sipas një teorie që thotë se masat popullore (malësorët), duke i
pranuar sundimtarët dhe kalorësit si heronj të tyre, ata vetë
“identifikoheshin me vlerat e prijësit dhe të fisnikërisë ose, të paktën, sepse
atyre u duhej ta strukturonin botën e tyre nëpër mjet modelesh që u jepte
grupi sundues” (P.Burke:169).
Kanuni i Lekë Dukagjinit është një vepër unikale me frymë humaniste e
periudhës së Rilindjes Evropiane në gjuhën shqipe, e cila, megjithëse u
përfol dhe vazhdon të përflitet edhe sot e kësaj dite, është vlerësuar nga
studiues seriozë, vendas dhe të huaj, si një “vepër monumentale”
(A.Budaçovi-Kryeziu:22), “kontribut në thesarin e kulturës botërore” (C.
Von Schwerini Dritës 1939:502) dhe autori i saj, Lekë Dukagjini, është
cilësuar “një personalitet imponues” (E.Durham:116) e “Hero Kombëtar”
(J.Hahn:114) i popullit të vet. Shumë shkrimtarë dhe artistë i kanë kushtuar
vepra, në mes të të cilëve Dritëro Agolli (“Mundja e Lekë Dukagjinit”,
poezi, 1969), Henrik Lacaj (“Dy princa për një vashë”, dramë historike vënë
në skenë me regjinë e vetë autorit dhe interprtuar nga grupi teatror i
kinoteatrit “Rozafat” të Shkodrës më 1937, ku rolin e Lekë Dukagjinit e
luante aktori Loro Kovaçi), arbëreshi Anton Santori (“Alessio Ducagini”,
melodramë, shkruar midis viteve 1855-1860 dhe botuar më 1983), piktori
Naxhi Bakalli (“Kuvendi i Dukagjinit”, tablo murale 4×3.2m në Muzeun
Historik të Burrelit, 1986), piktori kosovar Engjëll Berisha (“Rrënjët e
Dukagjinit”, vizatime 1950-1956), piktori Simon Rrota (“Lekë Dukagjini”,
portret, koleksion privat në Shkodër), skulptori Sotir Kosta (“Lekë
Dukagjini”, portret në bronz-GKA Tiranë dhe Muzeu Kombëtar i
Skënderbeut në Krujë, 1982) etj.

Kanuni i Lekë Dukagjinit është vërtetë monumenti më i rëndësishëm i kulturës shqiptare gjatë periudhës së Rilindjes Evropiane, që ka gjalluar prej gjashtë shekujsh dhe ka
luajtur një rol të jashtëzakonshëm në jetën e popullit, në gjuhën e të cilit
është krijuar.

“Princi i përfolur Lekë Dukagjini”, Tonin Çobani

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here