SHPËRNDAJE

Nga Fatos Salliu

Nëse merr rrugën në juglindje të qytetit të sotëm të Cërrikut, në fushat e Shtërmenit, do të hasësh në disa kodërvarre. Janë tumat ilire të Pazhokut, dokumenti historik i jetës së të parëve tanë në këto troje. Hetimet arkeologjike dhe hulumtimet shkencore provuan se tumat ilire të Pazhokut i përkasin periudhës së hershme të bronzit dhe më pas të hekurit në të cilat ky lloj varrimi hasej gjerësisht. Për studiuesit kanë shërbyer si pikë referimi në histori, pasi deri më tani nuk gjendet objekte më të vjetra se kaq.

Është vërtetuar shkencërisht se vendbanimet ilire të Elbasanit të sotëm i përkasin erës së bronzit të hershëm. Pra 3000 vjet para erës sonë (ose 5000) vjet më parë. Më vonë u shfaqën vendbanimet ilire në Lleshan, në Gradishtë të Belshit etj. Inventari i varreve është i përbërë nga qeramika dhe armët. Enët e gjetura janë të modeluara mirë çfarë nënkupton se arti i përpunimit të tyre në atë kohë ruan veçanti krahasuar me format e enëve të popujve të tjerë në Mesdhe. Format më karakteristike të enëve janë ato me dy vegja të ngritura mbi buzë dhe forma me një vegjë në formën e tehut të sëpatës.

Të ndërhyjë shteti

Armët e gjetura në tuma përfaqësohet nga thika, shpata, heshtat e bronzit, kamat etj. Llojet e armëve gjenden sipas statusit shoqëror që kishin të varrosurit dhe pozicionit ushtarak që ata mbanin.

Por midis gjetjeve spikasin edhe disa objekte karakteristike të Kretës dhe Mikenës që mesa duket Ilirët e Pazhokut kishin marrëdhënie tregtare.

Të imagjinosh që ilirët e shekullit të XVI para erës sonë kishin marrëdhënie me vendet e Egjeut, do të thotë se ky fakt ka rëndësi të jashtëzakonshme për historinë tonë.

Së pari ato janë dokumente reale arkeologjike që dëshmojnë jetën e lashtë të Ilirëve, në periudhën e bronxit dhe të hekurit, kanë rëndësi për nga mënyra e ndërtimit dhe ritet që përdoreshin.

Fatkeqësisht gjatë viteve të fundit nuk janë mirëmbajtur dhe shpesh kanë rënë pre e atyre që kërkojnë antikuare. Tumat Ilire të Pazhokut në Cërrik po shkojnë drejt zhdukjes ndaj nevojitet ndërhyrja e menjëhershme e strukturave përgjegjëse të shtetit.

Si u zbuluan

Tumat ilire u zbuluan krejt rastësisht në kohën e diktaturës ndërsa kooperativistët e Shtërmenit po punonin për të hapur kanale kulluese me bel (qyrek), në Pazhok në 1 m-1,5 m thellësi. Ata ndeshën në formacione gurësh.

Hulumtimet e mëtejshme provuan ekzistencën e vendbanimit të lashtë ilir të Pazhokut. U zbuluan varreza tumulare prej 25 tumash, gërmime të cilat janë bërë në vitet 1960 dhe 1973. 7 prej tyre u studiuan imtësisht.

Sipas të dhënave ata dallohen nga përdorimi i dheut enkas për mjeshtërinë e varrimeve ilire, të cilët e vendosnin mbi një varr qendror, siç ishte dhe në Pazhok.

Tuma e parë ishte më e madhja e varrezës. Ajo ishte e lartë 5 m, me diametër 32 m e që dallohej jo vetëm për arkitekturën e ndërtimit, por edhe skenimin domethënës mbi varrin qendror me gropa nën taban e që rrethohej nga një unazë gurësh. Më domethënëse dhe mjaft interesante ishte fakti se varri përmbante dy skelete dhe një kokë kau të flijuar.

Kjo tregon më së miri atë çfarë kanë hulumtuar studiuesit për atë periudhë të parë të marrëdhënieve të njerëzve me veglat e tyre e kafshët për të fituar me anë të bujqësisë mbijetesën njerëzore. Më tej në zbulim vihet re një unazë më e madhe që kufizonte varret dytësore të tumës.

Varret e tjera janë me gropa. Ato janë të rrethuara dhe të mbuluara me gurë, ose gjetkë me arka druri. Riti i varrimit është kryesisht me kufomën të vendosur gërmuq.

Tumat janë të një periudhe që shkon nga fillimi i kohës së bronzit deri në fillim të kohës së hekurit. Por ato janë ripërdorur në mesjetën e hershme e atë të vonshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here