SHPËRNDAJE

Një udhëtim nga Korça në Tepelenë në 1904

FATOS BAXHAKU

Sikur nëna të mos ishte sëmurë…

Ne nuk do ta kishim njohur, dhe as Europa nuk do të na kishte njohur mirë, nëse në një familje të mbarë të shtresës së mesme angleze në fund të shekullit XIX të mos kishte ndodhur një dramë e rëndë. Në një lagje të kamur të Londrës veriore jetonin Durhamët.

Familja kishte tetë fëmijë. Të gjithë ishin të mbarë e të shkolluar. Më e vogla prej tyre ishte Edith Durham (1863-1944). Fati e desh që Edith të kujdesej për nënë që mbeti vetëm në shtëpi

Koha që i kushtoi përkujdesjes për nënën në Londrën e mbytur nga mjegulla i kushtoi keq: I shkaktoi një krizë të fortë nervore. Si i provuan të gjitha mjekimet e mundshme, njëri prej mjekëve, i dha një këshillë: të udhëtonte ndër vende ku nuk kishte qenë asnjëherë.

Kështu, Edith Durham mbërriti në Ballkan për herë të parë. Ishte një grua në moshë relativisht të madhe për kohën. Ishte viti 1900 dhe ajo ishte 37-vjeçare. Ballkani e magjepsi sakaq me vrazhdësinë, por edhe me bukurinë e tij, madje, sikurse do të shkruante ajo më vonë, edhe me “ngatërresat” e tij. Pas udhëtimit të parë u kthye në Londër dhe iu kushtua studimit të serbishtes. Katër vjet më vonë botoi në Londër “Through the lands of the serbs” (Përmes vendeve të serbëve). Në 1905 botoi “The burden of Balkans” (Brenga e Ballkanit).

Pikërisht pas këtij viti për tre vjet me radhë udhëtoi nëpër Shqipëri, vend i cili ishte bërë tashmë vendi i saj i preferuar. Në 1908 udhëtoi nëpër Shqipërinë e Veriut. Prej këtij udhëtimi doli libri “High Albania” (Shqipëria e Epërme). Gjatë jetesës së gjatë me malësorët e Veriut Durhami u angazhua në botimin e një sërë shkrimesh në mbrojtje të çështjes shqiptare.

Aq shumë u përhap fama e saj ndër male të shqiptarëve, saqë malësorët nisën ta cilësojnë me një emër të vjetër “kralica jonë”, që do të thotë as më pak e as më shumë “mbretëresha jonë”.

edit-durham-e1348912642688edit-durham-vizatime-1edit-durham-vizatime-2edit-durham-vizatime-3edit-durham-vizatime-4edit-durham-vizatime-5edit-durham-vizatime-6edit-durham-vizatime-7edit-durham-vizatime-8edit-durham-vizatime-9edit-durham-vizatime-10edit-durham-vizatime-11

Dy vjet pas rrethimit malazez të Shkodrës, në 1914, u botua në Londër, “Struggle for Scutari: Turk, Slav and Albanian” (Lufta për Shkodrën, turqit, sllavët dhe shqiptarët).

Në fillim të Luftës së Parë Botërore, Durham u largua nga Shqipëria. Ajo iu kushtua për disa kohë veprimtarisë së saj humanitare në Francë dhe në Egjipt. Herën e fundit e vizitoi Shqipërinë në 1921. Një vit më parë ishte botuar libri i parafundit i saj mbi Ballkanin: “Twenty years of Balkan Tangle” (Njëzet vjet ngatërresa ballkanike), i cili u përkthye në disa gjuhë. Në 1925 botoi “The Sarajevo Krime” (Krimi i Sarajevës).

Ndonëse nuk u kthye kurrë më në Shqipëri, ajo nuk i shkëputi kurrë lidhjet me shqiptarët. Shtëpia e saj në Londër ishte qendra e shoqatës anglo-shqiptare. Mbylli sytë në vjeshtën e 1944-s.

 

Xhaferri

“Është një gjë e tmerrshme të jetosh në një vend, që është në anarki, sepse ‘anarki’ që i mbrapshti sundon; një vend ku zyrtarët i blejnë pozitat dhe bëjnë ç’u do qejfi me to; ku rrogat e nëpunësve të vegjël ekzistojnë përgjithësisht në letër dhe që këta paguhen duke nxjerrë të holla në kurriz të atyre që janë më ulët se këta; një vend ku s’ka ligj, rregull, ose drejtësi. Zbatimi i ligjit varet nga ai që e ka thyer atë. Çdo njeri, po të jetë i fortë, mund të bëhet vetë polic i vetvetes”. Këto fjalë, mund të tingëllojnë si tejet aktuale, në fakt ato janë shkëputur nga version shqip i “brengës së Ballkanit”, librit të Durhamit të botuar në 1905.

Në të njëjtin libër, të ilustruar vetë prej saj, autorja rrëfen tipa dhe personazhe. Mund të duket si çudi, porse ata janë aq të ngjashëm me njerëzit që hasim përditë, edhe sot e kësaj dite, rrugëve tona.

Një Xhaferr, të cilin Durahmi e kishte pajtuar si roje, një natë prej netësh teksa kthehet në shtëpi në të ngrysur shikon gruan e frikësuar, të strukur në një cep të shtëpisë dhe duke qarë me dënesë. Xhaferri, roja trim i Durhamit, mëson se në shtëpi kishte hyrë një ushtar aziatik, me sa duket për të vjedhur. Ushtari i dehur, kishte bërë një gabim fatal për kohën: në vend të të hynte në një shtëpi të krishterë, nga ku edhe mund të largohej “pa u lagur”, kishte hyrë në shtëpinë e Xhaferrit.

Ky e gjen ushtarin dhe e bën “petë” në dru. E rreh aq fort saqë ushtari pas një dite jep shpirt. Durhami, mikeshë e Xhaferrit, mban shënim. Ajo çuditet se si në një rast të tillë nuk ndërhyri as kush, as ndonjë polic, as ndonjë gjykatës, as ndonjë hetues. “Nuk ishte Xhaferri një njeri i egër si mund të mendohet – shkruan ajo – ai ishte një njeri shumë i dëlirë dhe mund t’i besoheshin shuma të mëdha parash. Sulmi, që ai bëri, megjithëse shtazor, e bëri për të ruajtur nderin e gruas së tij.

Ai e donte shumë familjen e tij dhe u prek shumë nga ajo ngjarje. Ai përpiqej të sillej i përzemërt sipas fuqisë së mendimeve të tij. Sa e sa herë, në festat myslimane ai më kishte sjellë ëmbëlsira. Sikur ai të ishte rritur në një vend ku qeveria ngjall besim te polici i saj, unë mendoj se ai nuk do të ishte më pak gjakatar se popujt e tjerë…”.

 

Në Korçë

Gjatë udhëtimit të saj nga Manastiri drejt Tepelenës, Durhami ndalon në Korçë. Pas vrazhdësisë së udhëtimit qyteti i pastër i bën përshtypje të madhe udhëtares angleze. “Korça është një qytet i habitshëm – shkruan ajo – Është i pastër, shumë i pastër, më i pastri që njoh unë në Perandorinë Turke, me rrugë të drejta, të shtruara mirë, pa zagarë dhe plehra.

Qëndron mbi një  fushë të rrethuar me male, rreth 700 metra mbi nivelin e detit, është i shëndetshëm dhe ka ujë të pijshëm të mirë. Gati një e tretat e banorëve janë myslimanë. Në mall gjenden shtresa qymyrguri dhe qyteti krenohet me një mulli avulli që ka.

Sikur të lidhej Korça me det, me anë të një hekurudhe, do të zhvillohej shpejt, sepse qymyri është i mirë për eksportim. Me gjithë vështirësitë që ka tani, dyqanet janë plot me mallra të importuar nga jashtë.

Pasuria e saj më e madhe është bërë jashtë, sepse megjithëse shqiptari në gjendjen e tanishme e gjen të vështirë për të përparuar në vendin e tij, ai tregon aftësi të mëdha pune në vende të huaja dhe, i ndikuar nga patriotizmi që e karakterizon, ai i harxhon fitimet e punës në vendin e tij të lindjes…”.

 

Në Kolonjë e Leskovik

Pas një qëndrimi të shkurtër në Korçë, Durhami dhe karvani i saj vijojnë udhën për në lindje. “… Kolonja është e gjitha myslimane – vazhdon ajo – dhe nuk ka më shumë se njëqind shtëpi. Tokat e punueshme janë të pakta në afërsi të këtij vendi dhe deri vonë është konsideruar si qendër hajdutësh.

Gjendja e tanishme, e ngatërruar në Perandorinë Osmane është bërë shkak që shumë njerëz të merren me punë ushtarake, prandaj, për këto dy vitet e fundit, këtu nuk ka pasur hajdutllëqe. Sidoqoftë, Kolonjamua më priti më së miri në rrugën time, të çlodhur, të rehatosur dhe të shoqëruar me dy xhandarë të rinj… Leskoviku është një vend shumë i vogël, i qëndrueshëm dhe shkëmbor, i ngjashëm në ndërtim me katundet e Uellsit të veriut.

Por i pastër dhe i mbajtur mirë nga popullata, gati të gjithë bektashinj. Disa nga gratë e krishtera kishin vizatuar një kryq të vogël në mes të vetullave. Këtu kishte një kishë dhe një shkollë të vogël greke. Qyteti eksporton pastërma nga mishi i dhenve të malit dhe i duhet të importojë gati të gjithë bukën. Atë të paktë tokë që kanë e punojnë mirë.

Tani gjendesha në Vilajtein e Janinës, e cila është më tepër nën urdhrat e Turqisë se sa çdo vilajet tjetër. Valiu i saj urrehej shumë dhe është i vetmi në të tre vilajetet e Shqipërisë, ku kisha qenë, për të cilin ankoheshin të krishterët e Shqipërisë.

Kjo është shkaktuar nga fakti se taksat në këto anë u janë akredituar shumë bejlerëve të ndryshëm e të fuqishëm të vendit, të cilët, duke nxjerrë dyfishin apo trefishin, deri në dhjetëfishin me anë të forcës ushtarake, pasi mbushnin xhepat e tyre, me pjesën që mbetej përballonin qeverinë turke.

Më siguruan se kishte edhe bejlerë të mirë, por nëpunësi shtetërore kishin vetëm ata që ishin të ligj…”.

 

Në Përmetin e qëmotshëm

Durhami, qëndron disa ditë në Postenan. Këtu i gëzohet mbarësisë së njerëzve, “të cilët ndihmojnë aq bukur njëri-tjetrin” dhe nuk e bezdisin me pyetje të vështira. Pas kësaj radhën e ka Përmeti, asokohe qendër e një kazaje të Vilajetit të Janinës. Këtu nisin sërish ceremonitë. “… Në luginë ramë në rrugën kryesore – shkruan ajo – dhe duke pritur afër urës, dallova një njësit ushtarak, i cili, për çudi, kishte një oficer dhe tre ushtarë që kishin dalë për të më pritur. Leskoviku kishte njoftuar Përmetin për ardhjen time…Duke qenë se ata kishin caktuar një oficer për të më shoqëruar ngado që shkoja, praktikisht unë isha si e burgosur. S’guxoja të dilja dot jashtë se menjëherë grumbulloheshin njerëz për të më parë.

Nuk mund të rrija në dhomën time pa praninë e zonjës së shtëpisë, një greke, së cilës i dukej vetja e pasjellshme po të mos më shoqëronte vazhdimisht… Më vizituan të gjithë të krishterët e qytetit dhe u treguan shumë të njerëzishëm. Prania e ushtarit e shpjegonte gjendjen e tyre shumë qartë. Ai dhe një oficer më vinin në mes dhe me shoqëronin kur u ktheja vizitat të krishterëve që më kishin ardhur. Ishte pragu i Pashkëve dhe në shtëpitë e të krishterëve po bëheshin përgatitjet për pastrimin e pranverës, që nuk është gjë tjetër veçse dlirimi i Pashkëve.

Çdo dhomë duhej të meremetohej dhe të bojatisej. Gratë jevga bënin punën e bojaxhiut. Zeshkane, me sy të shkëlqyeshëm dhe të veshura me pantallona, plot gjallëri, ato bridhnin andej-këndej duke fërkuar furçat e bojës dhe duke biseduar me njëra-tjetrën gjithë qejf. Në të vërtetë shtëpitë nuk paraqesin nevojë për këtë punë, sepse ato shkëlqejnë nga pastërtia. Thuhet se holandezet janë shtëpiaket më të pastra, por unë besoj se gratë e Shqipërisë së Jugut ua kalojnë…”.

 

Në Tepelenë tek ura

 

Një shi i tërbuar e detyron karvanin e Durhamit që të ndalojë në hanin e Dragotit. “Pas darkës – kujtonte më vonë anglezja – nisi një grindje interesash. Xhandarët ishin të mendimit se hanxhiu ishte një njeri i njohur për keq dhe se unë nuk mund të flija e sigurt afër tij. Kurse hanxhiu ishte i sigurt se xhandarët kishin karakter të dobët, prandaj duhej të evitoja qëndrimin me ta. Pasi unë vendosa të flija afër zjarrit me çdo kusht, nuk u shqetësova më për karakterin e tyre”.

Në Tepelenë anglezen e ndalojnë para gërmadhave të Urës së Beçishtit, mbase i vetmi dështim ndërtimor i Ali Pashë Tepelenës. Më kot fshatarët i luten që t’i ndihë në rindërtimin e saj, ajo nuk kishte as mundësi dhe as dëshirë të merrej me atë punë. “Hipa mbi gërmadhën thatanike të urës së prishur – thotë ajo – dhe pashë malet e egra, të vetmuara, të këtij vendi të përmallshëm. Dhe po mendoja: Unë një femër ‘kaurkë’, të turpëroj Padishanë e madh me një nga nënshtetasit e tij myslimanë!? Besimi i tyre këmbëngulës në fuqitë e mia do më kishte shtyrë të besoja se unë vetë isha Perandoria Britanike, sikur të mos ishte dhimbja djegëse e kofshës që më kujtonte se unë isha vetëm dhe vetëm unë, e pafuqishme për të duruar peshën e barrës së ‘njeriut të bardhë”, të cilën kudo populli mundohej të më ngarkonte.

Dhe kjo ngjante në vendin e lindjes së Ali Pashës, të Aliut, Kryezotit të Shqipërisë së Jugut, Luanit të Janinës, madhështor, ngadhënjimtar, i egër, gjakatar, Aliu i pamposhturi, sundimi i të cilit arriti deri në Ohër dhe që u shfuqizua dhe u ther vetëm atëherë kur arriti tetëdhjetë vjeç. Ku je atni o Ali Pasha? Populli po kërkon ndihmën tënde nga një kaurkë?”.

(për këtë shkrim u përdor botimi: Edith Durham, Brenga e Ballkanit, përktheu Haris Thanasi, “Argeta-LMG”, Tiranë 1998).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here