SHPËRNDAJE

Ai është një njeri i madh. Ai është ikonë e teatrit. Ai është krenaria e dy kombeve, atij shqiptar dhe atij italian, bëhet fjalë për të madhin Aleksandër Moisiu. Jeta e tij ka qenë e vështirë dhe ka hasur pengesa nga më të mëdhatë.

Nuk kanë qenë të pakta herët kur i kanë thënë që “je një hiç, nuk bën për aktor”, por ai nuk u dorëzua, u mërzit, u ndje keq, por nuk u dorëzua. Pak më poshtë na vjen një rrëfim nga vetë Moisi për jetën dhe veprimtarinë e tij i mbledhur me shumë kujdes nga Pjetër Logoreci…

Baba Moisiu (i besimit Kristian Ortodoks) erdhi në Trieste, që atëherë ishte nën perandorinë austriake, në 1862-shin. Ai ishte tregtar vaji, drithërash e lëkurësh. Familja pat dhjetë fëmijë. Fëmija i parë i familjes ishte Konstantini, që lindi me 1864 e mbas dy vjetësh në jetë erdhi Dante. Aleksandri lindi më 2 prill 1879 në Casa Rolli (Riva Grumula) pranë portit në Trieste. Ai u pagëzua në kishën e Shën Kolit të Triestes sipas ritit Kristian Ortodoks grek.

Sipas shënimeve, mbas humbjes së 12 anijeve plot me mall të babait (1883) të cilat u mbytën nga stuhia në det, familja jetoi e ndarë.

Nëna, Amalia, që ishte kristiane nuk ambientohej dot në jetën e vështirë plot orientalizma e asaj kohe në Shqipërinë e Osmanizuar nga turqit, u shpërngul të jetonte në Trieste së bashku me vajzat Irena, Sofia dhe më të voglën Melanine. Kurse në Durrës, me babain Moisiu jetonin të shkujdesur Konstantini, Dante, Aleksandri dhe dy vajzat binjake.

Aleksandri 4-vjeçar, i cili ishte fëmija i fundit, më i vogli, ishte i zgjedhuri i babait, i cili nuk kursehej për të plotësuar dëshirat e fëmijëve që jetonin në ambientin mbytës të qytetit. Në moshën 6-vjeçare Aleksandri mori si dhuratë nga babai një kalë, i cili e mbushi me gëzim jetën e botën e tij fëminore. Shkolla e kohës që preferonin fëmijët linte për të dëshiruar, por edhe Sandri (siç e thërrisnin të afërmit) ishte nxënës i dobët.

Në shkollë mësimet ishin në gjuhën greke, por në shtëpinë e Moisiut flitej gjithmonë shqip. Aleksandri ishte mëngjarash (shkruante e punonte me dorën e majtë). Në kujtimet e motrave ai përshkruhet si fëmijë i lëvizshëm, shumë i shkujdesur dhe me plot fantazi.

Motra Melani kujton: Aleksandri bënte kudo rrumujë dhe ishte i shkujdesur. Ai humbte gjithmonë gjërat e tija personale. Ne kemi fjetur në një dhomë me Sandrin dhe ai mundohej të kujdesej për mua dhe të më gëzonte. Kuzhinierja jonë e vjetër me emër Gigia, kujdesej për ne gjatë ditës.  Kur Aleksandri nuk shoqërohej nga të tjerët nga shkolla deri në shtëpi, ndodhnin gjithmonë gjëra të papelqyeshme: p.sh. një herë ra në kanalinë e madh të ujit, një herë tjetër rrëzoi një shitës embëlsirash dhe një grua me vezë…. e babai duhej të paguante dëmin….një here bashkë me binjakët dhe Melaninë hëngrën dhe dëmtuan vreshtin me rrush të një verëpunuesit e babai përsëri duhej të paguante…një herë në dimër ai rrezoi në det vëllaun e madh i cili ishte i ftohur …

Mbas 4 vitesh në tokën shqiptare, në vitin 1887, i ati e lejon të shkojë tek e ëma në Trieste. Kjo ishte një periudhë e vështirë për Aleksandrin fëmijë. Në Shqipëri ai shihej nga bashkëmoshatarët si “italiani” kurse në Trieste si “albanese” dhe kjo ndikoi që ai të mbyllej dhe të mos shkonte mirë me mësime. Shkolla nuk i pëlqente e aq më pak detyrat e shtëpisë. Në shkollën fillore u detyrua të përsëritë disa herë klasën për arsye të rezultateve të dobëta.

Megjithatë së bashku me një teze të tij plakë, Aleksandri pati mundësi të ulej në një nga lozhat e fundit të teatrit që të shikonte humoristët venecianë “Zago” e  “Benini”. Me pas ndodhi ajo që do t’i ndërronte jetën princit të vogël Moisiu. Asnjëherë më përpara i vogli nuk kishte menduar që dikush pa mjete muzikore,  këngë apo muzike do të mund të argëtonte një sallë plot me spektatorë që qeshnin si të çmendur.

Në këtë kohë situata ekonomike në familje u rëndua shumë. Nëna vendosi ta dërgonte Aleksandrin tek një kushëri i saj prift në Graz të Austrisë. Prifti premtoi ta ushqente dhe ta shkollonte atë. Kur çdo gjë po shkonte siç duhej, priftit u transferua e Aleksandrit iu desh të kthehej në Trieste.

Dy nga motrat, me ndërmjetësinë e një kushërire me influence në Vjenë arritën të punësohen si nëpunëse ministrie e kështu të siguronin të ardhura të mjaftueshme për të jetuar të gjithë. Familja u shpërngul në Vjenë. Aleksandri këndonte shumë bukur dhe ishte dëshira e nënës që ta dërgonte në konservatorin e Milanos, por pamundësia ekonomike e detyroi atë të ndiqte familjen në Vjenë.

Në vitin 1896 Moisiu zbret nga treni në Südbahnhof në Vjenë, ndërkohë që familja kishte me qira një hyrje me dy dhoma të vogla në Hiessgasse / Landstrasse në bashkinë e tretë, ku ishte sistemuar nëna me dy motrat.

Për Alessandron ëndrra e konservatorit jetonte. Me ndihmën e kushërirës së tij me influencë, të drejtorit italian të konservatorit Ferrucio Busoni e të profesorit të kantos Mancio, arrin të futet në konservatorin e Vjenës. Fatkeqësisht mbas fillimit të mësimeve profesori Mancio vdes dhe zëvendësohet nga Prof. Forsten, i cili kishte një metodë të ashpër mësimore.  Si student i konservatorit Moisiu kishte mundësinë të frekuentonte gratis koncertet e operat. Edhe në konservator ai nuk arrin të bëjë hapa përpara. Nuk merr pjesë rregullisht në prova, në leksionet e kantos e të teknikës së frymëmarrjes. Në mësimin e harmonisë e të gjuhës gjermane nuk merr pjesë pothuajse aspak, gjë që Profesori Forsten nuk e toleron, e në fund të semestrit të parë i heq Aleksandrit të drejtën e studimit.

Në gjendje shpirtërore të dëshpëruar, me këpucë të grisura, gjysmë i zbathur, me trupin e vogël që dridhej nga të ftohtit e dimrit të egër vjenez nën leckat që mbante veshur, ai endej rrugëve të qytetit për të kërkuar punë.

Duke shfrytëzuar njohjet nga konservatori, fillon të punojë si Claquere (person që paguhet të duartrokasë gjatë një shfaqje) në Hofoper ku shkonte çdo natë. Gjatë ditës ai punon si ndihmësvarrimesh në Zentralfriedhof (varrezat qendrore), ku asistonte ndër ceremonitë e varrimeve, që në Vjenë janë shumë klasike, që më vonë i shërbeu në krijimin e figurave artistike ku vdekja ishte pjesë në atmosferën e rolit, si të princi Hamlet.

Moisiu tregon: “Në rininë time të hershme kur erdha në Vjenë, nuk u prita me tuba lulesh, por punoja shumë. Fillova si mësues i gjuhës italiane dhe fitojshe vetëm për 30 Kreuzern për një leksion gjë që nuk më lëjojnte të bëja një jetë normale. Dëshira ime ishte të bëhesha këngëtar dhe arrita të hyj në konservator. Mësojshe të këndoj, por që të bëhesh këngëtar duhej të kishe një stad mesatar, për këtë më duhej të këndoja nga mëngjezi deri në  darkë….isha shumë i mbingarkuar e ndodhi që nuk më eci mirë…… që të përmirësoja situatën time materiale e ekonomike mora përsipër punën e ndihmësfigurantit në Teatrin e Qytetit. Dielli më shndriti me fat e me mëshirë  dhe me ndërhyrjen e një djali të Krachers, arrita të bëhem figurant. Kjo ishte punë shumë më e mirë se ndihmësfiguranti. Honorari im për çdo natë ishte 80 Kreuzer (1, 35 Mark) që me mjaftonte për të shuar oreksin rinor të ditës, por vetëm me Ëürstel (Salcice)e buke…., por e randësishmje ishte se isha në Burgtheater…E fillova punën me “Meister von Palmyra” (Mjeshtri nga Palmira). Mundohesha të isha në naltësinë e duhur; isha njeri nga turma e popullit grek…por krejt në fund të skenës…sa që kisha ndjesinë se regjisori nuk kishte besim tek unë ose turpërohej nga prezenca ime…krejt në fund të skenës …..që të mos më shihte kush, e kështu herëmbashere më duhej të dilja dhe të hyja prapë, në çdo akt, por përsëri në fund të skenës, krejt afër derës… E kjo gjë ndodhi në shumë pjesë teatrore… O Zot, sa herë jam rrëzuar së bashku me heshtën që mbaja në dorë….Pastaj erdhi kthesa: në “Cyrano de Bergerac” isha në skenë si  kadet. Në aktin e katërt “Gascogne” përfshihej nga stuhia dhe kadetët duhej të prekeshin nga era e të delnin…., e këtu unë u ndjeva shumë i shqetësuar  e nuk dola…, për këtë mbas disa ditësh u thirra nga drejtori Schlenther që të sqaroja shqetësimin  tim….dhe kaq ishte… unë që kisha menduar deri në atë kohë, që atje në fund ku isha nuk do të më vërente  askush, më besoni, mbeta shumë i befasuar…..(Fragmenti është marrë nga disa shënime, kujtimet e tija.. të depozituara në Theatermuseum / Vien)

Në shkrimin e tij “Debutimi im në Burgtheater” ai kujton: Isha në Vjenë. Isha shumë i ri e shumë i varfër, i  jepja mësime private gjuhe pak personave të cilët patën besim tek unë. Në të vërtetë në atë kohë nuk kisha as idenë më të vogël se çka dëshiroja të bëhesha… Isha në kërkim të bukës, kisha uri të madhe e zorrët më këndonin në bark, kur rastësia e madhe më solli në Burgtheater si Komparse (Figurant)….

Uni- i mbrendshëm i artistit filloi të zgjohej tek ai. Pasioni i tij për teatrin jep frytet e para. Në skenë si figurant ai mundohet të krijojë figura sa më të besueshme për publikun. Një herë kur të gjithë figurantët duhej të dilnin nga skena, ai mbetet në skenë i rrëmbyer nga interpretimi i aktorit Ernst Hartmann që interpretonte Cyrano-n. “ Dil jashtë, thërret shefi nga prapa skenës, por ai i mahnitur mbeti aty deri në fund të aktit…. Një herë tjetër ndodh që ai i prekur nga skena që luhej filloi të qajë me dënesë, gjë që tërhoqi vëmendjen e publikut. Njerëzit filluan të flasin me tallje për të “riun e apasionuar” që rrëmbehej shpejt, por ai arriti të ketë vëmendjen e të gjithëve.

Aleksandri me ndihmën e aktores Maria Urfus (që më 1910 u martua me Moisiun dhe me 1911 patën një vajzë të quajtur Beate), mëson pjesë nga “Uriel Acosta”, nga e famshmja “Narziss” dhe “Rikardi III” . Mikja e tij përpiqet shumë që krahas artit skenik të përmirësojë të folurit e tij në gjermanisht.

Aleksndri kujton: “Gjatë Uriel Acosta, drejtori Schlenther qeshte me gjithë zemër, por vetëm Narziss i pëlqej atij; tetë ditë mbrapa unë qëndroja në skenën e Burgtheatrit  para kolegjit të regjisorëve. Kurrë nuk i mësova përshtypjet e tyre për pjesët e mia,  e me sa di unë: mendimet e Sonnenthal-it, Krastel-it, Leëinsky-it  dhe Hartmann-it nuk kishin asgjë të  mirë. Por drejtori Schlechter besonte  tek unë, e kjo ishte gjeja  më  e bukur që me kënaqte në atë kohë: që drejtori Schlechter më shikonte mua si një aktor të  ardhshëm….. ky ishte parashikimi i tij… Unë fillova të studioj e të mësoj gjermanisht  nga gruaja ime që ishte aktore, Maria Urfus…..gjermanishtja për mua si i lindur në Itali ishte shumë e papërshtatshme dhe e vështirë.

Kolegji i regjisorëve nuk reagon aspak nga pasioni e temperamenti i veçantë i këtij djaloshi 19-vjeçar. Njëzëri ata marrin vendimin:

“Alexander Moissi ist zum Schauspieler ungeignet”

Aleksander Moisi është i paaftë për t’u bërë aktor…. Megjithatë komisioni e lejon atë të vazhdojë të punojë si figurant, por “… që mund të thotë ndonjë fjalë nganjëherë…. megjithatë akcentin e keq të gjermanishtes që ka…, por tashmë shpirti i tij nuk gjente më paqe dhe digjej për skenën… Më 31 Mars 1900 ai këndon në skenën e Shoqërisë Tregtare të Vjenës në pjesën “Ehemann vor der Tür” (Bashkëshorti  tek porta) më shumë sukses. Sukses tjetër për t’u përmendur ishte roli “Kusofkin”,  ku interpretoi vargjet e  Turgenjevit në pjesën “Gnadenbrot” (Bamirësia). Në një gazetë të kohës shkruhej: “I riu Moisiu dëshmoi për një talent të padiskutushëm…zëri i tij i shumëngjyrshëm, loja në pantomime, sikurse edhe siguria e tij në skenë bëri përshtypje shumë të mirë….

Kjo shërbeu që të Moisiu i ri të rritej besimi në vetvete. Guximi i tij triumfoi mbi pasigurinë e mungesën e eksperiencës.

Më pas ndodhi që në komedinë Tartufi, ku ai luante shërbëtorin Lorenzo, emri Aleksandër Moisiu do të shtypej për të parën herë në afishet e shfaqjes. Aktori i madh Josef Kainz dhe Moisiu qëndrojnë bashkë në skenë, por ndodhi ajo që nuk pritej…

…..duke u futur në skenë Kainz fillon të interpretojë :  …. Lorenzo, o shërbëtori im, a është gati veshja ime…?? e me pas një shikim të shpejtë pyetës Lorenzos…..

Kainz shtanget i befasuar nga sytë e shërbëtorit Moisiu e nuk arrin të lëviz më, ai nuk mundet të flasë….. vakum…edhe pse ndigjonte sugjerimin e suflerit ….. Sy më sy vështroheshin të dy, kolosi Kainz që ishte legjenda e teatrit në të gjitha trevat gjermanishtfolëse dhe figuranti “i panjohur” Moisi…

Kainz arrin të shoh në shprehjen e syve të Moisiut – Lorenzo, ndjenjën e nënshtrimit e të fatkeqit, e po ashtu zbulon të figuranti i panjohur,  forcën, madhështinë e talentin e një aktori të ardhshëm….

Ai këshillon Moisiun në qarqet më të larta të hierarkisë teatrore. Drejtori Schlenther e sugjeron Aleksandrin te Angelo Neumann, që ishte drejtues i Theatrit gjerman të Pragës, i cili i beson instinktit të Kanz-it. Erdhën më pas rolet e Gaspard në “die Glocken von Cornville”, Bonifazi në “Brüder Staubinger”, “La Main” një pantomime francese… Vitet e Pragës e ndihmuan atë të kuptonte sekretin e magjinë e lojës aktoriale.

“ Kur fillova punën, kujton Moisiu, në të vërtetë nuk dija ku qëndron sekreti  i interpretimit të një roli, mendoja thjeshtë me fantazinë rinore që arti i krijimit të rolit  është të ngjitesh një mjekër falso në fytyrë. Isha i bindur që sa më shumë në skenë aq më i spikatur do të isha, që unë nuk isha vetvehtja, por një tjetër të cilin e përcaktonte autori i tekstit. Sa më shumë që njihja botën, aq më shumë bëhesha i vetëdijshëm në personin tim. Me vone kuptova që artin tim duhej ta ndërtoja thjesht mbi personalitetin tim. Jo më “maskim”, por me “demaskim”. Kërkojsha lirinë time në çdo rol, për ta interpretuar atë në mënyrë të natyrshme dhe arrita ta zotëroj këtë. Kjo bëri që kur zgjidhja rolet, mundohesha t’i shihja personazhet mbranda vehtes sime… “

Në Prag ai bëri një jetë të shthurur që i kujtonte fëmijërinë në Durrës e Trieste. Netë të tëra frekuentonte klubet “jo me zë të mirë”, pinte shumë, flirtonte me gratë…., që të njihte mirë JETËN e NJERËZIT – thoshte ai. Njeë nga biografët e tij (Paul Leppin), për këtë periudhë tregon që Moisiu ishte i palodhur dhe i rezistonte natës. Në kohën kur të tjerët fillonin të braktisnin lokalin, ai niste të këndonte meloditë “Die Stretta” italiane që përkëdhelnin zemrat femërore, deklamonte Shekspirin ose tregonte ndodhitë e fëmijërisë së tij në Shqipërinë e pushtuar nga turqit. Vitaliteti i tij ishte i papërshkrushëm. Të gjitha sa fitonte i harxhonte për qejfet e tija mbasi ndihej shumë i vetmuar. Gjendja shpirtërore e tij në këtë periudhë ishte shumë e trazuar, gjë që pasqyrohet edhe në rolet e tij: i tronditur, sensibël, pasiv, i mbyllur në vetëvehte, i përmalluar… Thuhet që në rolin e Faustit, ai nuk luante gjendjen që përshkruante autori, por vetëveten. Shpirti i tij i trazuar shpërthente ndër emocione të fuqishme, që i  bënë rolet e tij të famshëm e të paharrueshëm.

Në shumë role ai arriti përsosmëri dhe sukses dhe filloi të mendonte të ndërtonte një karrierë të vërtetë, por në një teatër të përmendur si ai i Berlinit. Për këtë, në vitin 1903, vendos lidhje me Max Reinhardt, i cili i premtoi atij një rol në sezonin 1904 – 1904 në një pjesë të Gorkit. Më 22 nandor 1903 Moisiu ndahet nga Neue Deutschen Theater në Prag, ku për të fundit herë luajti rolin e Kozakut Beitler të Hugo Müller dhe Franc Roth tek “ Von Stufe zu Stufe”.

Zotërinjpo ju paraqes aktorin e ri – kështu  e prezantoi Max Reinhardt në ansamblin e tij Moisiun.

Në skenën e teatrit ai bëri VDEKJEN “Profesion”. Gjatë karrierës së tij ai vdiq mbi 1500 herë në skenë, gjithmonë në mënyra të ndryshme….Ai përjetonte vdekjen dhe “ashtu  siç vdes në skenë Moisiu” nuk gjendet një aktor i dytë ta bejë… Vetëvrasja e tij tek Fedja, që është roli i tij i jetës, ka mbetur firma e tij në art – sikurse personifikimi i Tramp-i të Chaplin-i ose kostumi i bananeve tek Josephine Baker. Moisiu,  i pavdekshmi  ylli i vdekjes … Ekspertët e teatrit shprehin keqardhjen që nuk u arrit të filmoheshin skena nga rolet e Moisiut. Një herë në vitin 1998, gjatë kërkimeve arkivore në Vjenë, u gjend i mbyllur në nji kuti llamarine një Filmdokument: Moisi – Fedja në celuloid. Janë 55 sekonda xhirim, autori i panjohur…..segment filmi  që sot duket se vjen si një mesazh i Moisiut nga bota e përtejme…

Sipas një thënie klasike: Të zgjedhurit e “Qiellit” dhe gjenitë vdesin herët, të rinj… Ashtu edhe Aleksander Moisiu, vdiq 56 vjeç, ne kulmin e prodhimtarisë e të gjenialitetit të tij skenik.

Është interesante për t’u treguar: Një herë, në ditët e para të vitit 1935, kur Moisiu gjindej në turne në Itali, dy gazetare e vizitojnë në garderobën e tij aktorin e madh, i cili përgatitej të luante në skenë rolin e piktorit Luis Dubedat të “Il dilemma del dottore”. Për rastësi në këtë pjesë ka një skenë ku një gazetar pyet piktorin artist që vuan nga tuberkulozi: Ju lutem shkurt me pak fjalë na thoni diçka për sëmundjen tuaj dhe planet tuaja në të ardhmen?? Piktori Louis Dubedat – Moisi duhet sipas tekstit  të përgjigjet: Planet e mija në të ardhmen janë shumë të thjeshta. Unë do të vdes….E kështu ndodhi në realitet, pak javë më vonë ai vdiq. Fjalët e fundit ai i foli në skenën e Sanremos më 12 mars 1935, gjatë një turneje në Itali.  Në rolin e Fedja-s tek “Kufoma e gjallë” shfaqja mbyllej me batutën: ….ndjehem shumë mirë… ndjehem me të vërtetë mirë…. e  me pas personazhi mbyt vehten…

Shkolla ku kreu mesimet fillore, Aleksander Moisiu

Në mars 1935 Moisiu vendos të kthehej në Vjenë, ku do të takohej me mikun e tij Stefan Cvajg, i cili po përkthente në gjermanisht një komedi, që mbajtësi i çmimit Nobel i madhi Luigji Pirandelo e kishte shkruajtur posaçërisht për të. Pritej që të vendosej për zgjedhjen e ansamblit e fillimin e provave. Natën, gjatë udhëtimit në tren, e pushton një temperaturë e lartë dhe dhimbje gjoksi. Asnjeri nuk ishte në kabinën e tij t’i shuante etjen dhe ta ngrinte nga dyshemja ku kishte rënë. Vuan shumë deri në mëngjes pa pasur ndihmën e njerëzve në tren, te cilët flinin në atë orë. Më 14 Mars 1935 treni futet në stacionin e Vjenës ku e shoqja e priste. Ajo kishte më se dy muaj që nuk e kishte parë burrin e dashur. …..Ai po vonohet? Pse nuk po vjen, ai duhej të zbriste tashi….. përse nuk është në mes të udhëtarëve si gjithmonë?…. Seç ka një parandjenjë…dhe ja tek shihen dy punëtorë hekurudhash që mbajnë në krahë Aleksandrin. Ai dridhej nga dhimbjet dhe ethet. E dërgojnë në hotel duke menduar se ishte vetëm një grip i rënde. Mjeku  i urgjencës konstaton një ftohje në mushkëri dhe e dërgon më 16 mars në sanatoriumin Cottage, ku specialistët më të mirë të mushkërive, Dr. Bauer dhe Dr. Jagic  përpiqen ta ngrenë përsëri në këmbë. Edhe në këtë gjendje ai ka kurajo të ironizojë situatën e vështirë ku gjindej: Kësaj here asht nji skenë vdekje e keqe, do të zgjasë shumë…. I  lutet së shoqes që ta kthejë në hotel. Duke parë situatën e vështirë ajo i ndalon çdo kontakt, me fansat dhe gazetarët të cilët vërshuan aty, me përjashtim të mikut Bassermann dhe shkrimtarit Beer – Hoffmann. Fillon agonia, diagrama e temperaturës lëviz si e çmendur. Terwin i gjindet pranë, i lag buzët e thara, i lëmon ballin e djersitur, i mban dorën e lëshuar e të pafuqishme…

Në ditën e shtatë temperatura i lëviz nga 40° në 35°, i bëjnë një morfinë që t’i lehtësojnë  dhimbjet e mëdha të gjoksit.  Ai vetë, Aleksandri, i jep zemër së shoqes e cila nuk kishte më shpresë për jetën e tij. Atë ditë më 22 mars 1935 rreth orës 14.00, nën veprimin e morfines ishte i qetë, por i heshtur dhe i pafuqishëm. I kërkon së shoqes me shenja, në menyrë të paktuptueshme diçka për të shkruar. Dora e tij në këto minuta të fundit të jetës arrin më shumë mundim të shkruaj tri fjalë të palexueshme: Liebe….alles Liebe (Dashuri …. gjithë të mirat …) … dhe lëshohet në prehrin e gruas Terwin…

 

Aleksandër Moisiu vdiq po atë ditë rreth orës 19.10. Arkivoli me trupin e tij u dogj në Krematorin e Vjenës i shoqërur nga muzika Adagio  e Beethovenit, luajtur nga dy miqtë e tij, muzikantët e famshëm Bruno Walter (në piano) dhe Alfred Rosé (në violinë). Ishte hera e parë që në një ceremoni varrimi luhej një pjesë muzikore.

Asnjë përfaqesues i Austrisë nuk mori pjesë në ceremoninë e vdekjes. Sargu me hirin e tij ishte i mbështjellun me flamurin italian dhe ndërsa një grup i vogël nga miqtë dhe familjarët qëndronin në heshtje në kujtim të tij.

Gjatë ceremonisë funebre, aktori me famë, Albert Bassermann, nxori nga gishti unazën Iffland të cilën tradicionalisht e mban aktori më i mirë i kohës, dhe e vendosi mbi gjoksin e Moisiut të vdekur duke u thënë: ….ty të përket unaza Iffland-it

AKTORI I TEATRIT NUK ARRIN TA SHOHË KURRË PUNËN E TIJ. AI NUK MUNDET TA SHFLETOJË ATË SI NJË LIBËR APO NUK MUNDET TË SHIKOJË ATË NË KANAVACË  E NË GURË…..

aleksander-moisiu_arkiva-albert-vataj_80

Bazuar në studimin e Pjetër Logoreci: Aleksandër Moisiu, burri me kombësi të përbotëshme, i marrë nga Arkivi Shtetëror Vienez. /konica.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here