SHPËRNDAJE

Nga sot Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse autoqefale shqiptare Anastas Janullatos është shqiptar. Presidenti i Republikës Ilir Meta i dha nënshtetësinë, një kërkesë e hershme e kryepeshkopit, që i ishte refuzuar nga të gjithë presidentët përpara Ilir Metës, me argumentin e ndjeshmërisë së kësaj çështje për opinionin publik shqiptar.

Në fakt hirësia e tij Janullatos ka lindur më 4 nëntor 1929 në Pire të Greqisë dhe momenti i fronëzimit të tij si kryepeshkop i kishës ortodokse autoqefale shqiptare në vitin 1992 u shoqërua me kundërshtimin e një pjese të ortodoksëve shqiptare.

Kundërshtimet erdhën pikërisht sepse Anastas Janullatos nuk ishte shqiptar dhe kjo mund të çonte në humbjen e autoqefalisë së kishës.

Madje në vitin 1994 u tentua me projektkushtetutën e re largimi përfundimtar i Kryepeshkopit, por kushtetuta u rrëzua me referendum më 6 nëntor 1994.

Në letrën që shoqëron dekretin, Presidenti i Republikës Ilir Meta çmon lart figurën e kryepeshkopit si një nga udhëheqësit e nderuar të besimeve fetare në Shqipëri, që kanë kontribuuar në lartësimin e besimit dhe përhapjen jashtë Shqipërisë të vlerave të harmonisë dhe tolerancës mes shqiptarëve.

Sipas presidentit, kontributi dhe përkushtimi i kryepeshkopit në 25 vite i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por edhe arsimimit dhe përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë.

Në fakt fort-lumturia e tij kryepeshkopi Anastas në një intervistë për televizionin grek Sky deklaroi se pasardhësi i tij do të jetë padyshim shqiptar. Pa menduar ndoshta, se për pak ditë, do të gdhihej edhe ai vetë shqiptar.

Vendimi i presidentit Meta është përshëndetur nga ministri i jashtëm grek Kotzias, në një moment kur të dy vendet i kanë përmirësuar ndjeshëm marrëdhëniet, duke futur në rrugën e zgjidhjes çështje deri dje të nxehta, si ligji i luftës me Shqipërinë apo varrezat e ushtarëve grekë.

Ndaj padyshim vendimi i presidentit duhet lexuar në këtë kontekst.

Top Channel

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here