SHPËRNDAJE

Atë Donat Kurti, një ndër folkloristët më në zë shqiptarë, që aktivitetin e tij e zhvilloi në malet shqiptare, kryesisht në Dukagjin, në veprën “Doke e Zakone Shqiptare”, botuar pas vdekjes së tij nga françeskanët shqiptarë, në fund të çdo kapitulli vendos bestytnitë që lidhen me të.

Kështu, në fund të kapitullit “Fëmijët në familje”, në pikën e tretë, ai shkruan:

Besëtytni në lidhni me të lem të fëmijve

Fëmijës, një ditë mbasi ta ketë falë Zoti, i jepet me pi ujë me pak hi brenda, që mos me e marr më sysh (Mirditë).

Në rast se një mik harron në at’ shpi ku nji grue asht me barrë, nji fyshek, që, pa dashtë, i ka ra prej rrethit a qemerit, ose harron kutinë e duhanit, ose pipin, thohet se me siguri ka me lind nji djalë (Mirditë).

Kur shkojnë gratë me vizitu gruen që ka lind e fëmijën, lyejn përpara majen e gishtit me pështymë e, tuj thanë “Marshallah” i prekin buzën fëmijës (Dibër).

Për mos me marrë më sysh fëmija, e zhigasin (e ngjyejnë) në fytyrë më dy – tri danga (njolla) të zeza e i varin nji pare ndër flokë (Dibër).

Kur lahet fëmija për herë të parë, thehet në ujë nji kokërr vë (vezë) dhe e përziejn me ujë (Dibër).

Ndërsa në pikën e katërt Atë Donati shkruan:

Fjalë t’urta

Ku asht fmija, gëzohet shpija.

Kur len (lind) vajza, kjajnë hatllat e shpisë (Malsi e Madhe).

Kollomoqi i vonë i lopve, djali i vonë i shokve (Dukagjin).

Djali i plakut, vaji i sokakut (Has).

Djali pa nanë si nata pa hanë.

Gjysë asht pak, nji asht tepër (për vajzat, Shkodër). /Konica.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here