SHPËRNDAJE

Fan Noli është një ndër personalitetet e rrallë që nuk futet te lista pijetarëve të famshëm shqiptarë. Ai nuk shquhej për pije. Nuk pinte pothuajse aspak, por çuditërisht kishte një afeksion të rrallë për pijen.

Noli nuk mungonte kurrë nëpër dreka dhe darka të shtruara nga miqtë dhe dashamirësit e tij.

Dhe Noli që kthente në poezi çdo fenomen,  çdo histori, nuk kishte si të mos i thurte vargje rakisë.

Çdo kujt i kujtohen vargjet “Moj raki, moj bukuroshe, po më çon qoshe më qoshe”.

Vargje që dolën nga mendja e tij, por që i trashëguan brez pas brezi pijetarët, por edhe nga njerëzit.

Është një poezi që Fan Noli ia çon mikut të tij, gazetarit Milto Sotir Gurra. Një letër të cilën nis e shkruan me një shishe raki përpara, të cilën ia kishte dhuruar pas meshës një shqiptar.

Kishte kaq kohë që donte t’i shkruante mikut të tij, dhe vetëm kur ktheu gotën e parë të rakisë, e më pas tjetrën e tjetrën, u ndje i çliruar të shkruante të gjithë ato çfarë kishte në zemër, duke mos fshehur dhe trishtimin dhe pasigurinë që ndjente në atë periudhë.

Pjesë nga letra drejtuar Milto Sotir Gurrës

Boston, Mass, 5 janar 1919

I dashur mik,

I lodhur nga shpirti dhe nga trupi, i plakur përpara kohës, i thyer nga shëndeti, me luftë dje dhe me luftë nesër, me një rrezik të ri përpara posa lashë tjetrin pas, me detyrën e tmerruar të sulem e të udhëheq kur këmbët e rënduara dëshirojnë shtrirje, ndodhem në situatën e njeriut të torturuar, që përpiqet ta fshehë mjerimin e tij moral dhe fizik dhe shtrëngon dhëmbët me një fort të fundme nga frika se mos i shpëton një ulërimë e përmbytur e dëshpërimit.

Pas kësaj parafjale, tragjike, në e besofshi, melodramatike, në dyshofshi me nënqeshje, merrni vesh përse më rëndohet pena dhe përse kam heshtur. S’kam qenë mirë dhe s’ma ka kënda për asgjë.

Me gjithë që më kini kujtuar me katër letra, dhe me gjithë që s’gjeja në asnjë çip të zemrës as hijen e ndjesës për heshtjen time, prapë- e rrëfej :- do të mos ju kisha shkruar, sikur të mos më zbriste papritur një frymëzim, në formën dykupësh rakie prej rrushi, të cilat më dhanë forcën të mbaroj këtë detyrë të harruar përpara një miku të vjetër. Shishen e çmuar e kam përpara.

E vogël për fat të zi, por ka edhe disa kupa brenda, kupë që shtrojnë nervat, që kullojnë gjakun, që shërojnë të sëmurin, që ngjallin të vdekurin. Ma fali sot një besnik zemërdhembshur, pasi mbaroi mesha.

Besniku e di që unë s’pi, por ma dha për ilaç. Se i vetmi ilaç në të cilin besojnë shqiptarët, është rakia.

Dhe qenka ilaç me të vërtetë.

Vetëm dy kupa dhe m’u ndreq shëndeti: dëshpërimi i lëshon vend një lumturie ëndërrore; buzëvarja ikën e ndjekur prej buzëqeshjes dhe pastaj e bombarduar prej argalisjes; e sotmja s’më duket aq e keqe, dhe për nesër ka Perëndia. Dhe më e mira është që me një kupë të tretë mund të ndreqen të gjitha punët.

O burrani! Nën flamurin e Shahinit trimëria më shtohet, bëhem zjarr e shpuzë! Të kam gjetur, or Milto! Më duket sikur të shoh përpara përmes mjegullës diafane, me të cilën më rrethoi fuqia magjike e ilaçit të vilajetit.

Që të kthjellohet koka dhe të më çelen sytë, rrëmbej kupën e katërt, se ashtu këshillojnë theriaklinjt tanë, të shtruar këmbëkryq, që pinë me njërën dorë dhe ia kërcasin me tjetrën! Dhe tani të humba fare!

Po kudo që të jesh mos pandeh se të harrova. Të kam kujtuar këtu e ca ditë në Mançester, ku u poqëm herën e parë. Një ditë shkova ca çaste të lumtura duke kënduar legjendën “Plaku i moçëm”.

Po këtu duhet të mbaroj se m’u errën sytë dhe nisi të më dhëmbë koka.

U mor vesh që ilaçi i mjekëve tanë me kallca dhe me silah s’bëka për mua. Megjithëkëtë prapë mbaroj një punë, se ja ku të shkrova këtë letër me gjallërinë më fluturake që më dha.

Nesër do ta provoj edhe një herë kush e di, mund të bëj prapë ndonjë çudi. Gjer atëherë natën e mirë! Ju faleminderit me gjithë zemër për fjalët e mira që më shkruani dhe përkrahjen besnike që më keni dhënë. Qofshi shëndoshë!

Ju përshëndosh vëllazërisht dhe mbetem Juaji me besë, F.S. Noli/TO/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here