SHPËRNDAJE

Sipas statistikave shqiptari i parë që shkeli Amerikën ishte një qytetar korçar, i cili arriti në Amerikë në vitin 1876. Më pas në nëntor të vitit 1877 shkoi në Amerikë prifti shqiptar Preng Doçi. Të dy këta u larguan shpejt. Emigranti i parë që konsiderohet si magnet dhe për shqiptarët e tjerë është Kolë Kristofori prej fshatit Katund të Korçës që arriti në Amerikë në vitin 1884.

Pas gjashtë vjetësh ai u kthye në Shqipëri dhe u rikthye në Amerikë së bashku me 17 bashkëfshatarë të tij, të cilët formuan diasporën shqiptare në Amerikë. Nami i këtij vendi magjik ku kishte punë dhe mirëqenie u përhap në gjithë Shqipërinë dhe në vitin 1900 kemi shumë shqiptarë që iu drejtuan Botës së Re.

Emigrantët shqiptarë në SHBA ishin emigrantë ekonomikë dhe politikë. Shqipëria kalonte një tranzicion të vështirë në fillimet e shekullit 20-të, ndaj shqiptarët që do tentonin një jetë më të mirë do vërshonin drejt Amerikës në vitet 1904-1905 dhe 1909-1912.

Duke qenë se Shqipëria ishte e pushtuar nga perandoria osmane, shqiptarët e kishin të lehtë t’i drejtoheshin këtij vendi se pajiseshin me pasaporta osmane dhe në zyrat e emigracionit ata konsideroheshin si osmanë.

Numri i saktë i shqiptarëve për arsye se ata udhëtonin në Amerikë me pasaporta të huaja nuk është i saktë. Por sipas dokumentacionit federal në vitin 1910 kishte 625 shqiptarë në vitin 1914, 1528 shqiptarë dhe krysisht ishin burra, të cilët kishin shkuar për të provuar fatin e tyre dhe vetëm pas vitit 1920, kemi rritjen e numrit të grave që tregon se shqiptarët vendosën të qëndrojnë aty si banorë të përhershëm.

Sipas të dhënave të gazetës “Kombi”, i pari fëmijë me prindër shqiptarë lindi në janar të vitit 1908 në familjen e Kristo Koçit prej Korçe. Pjesa më e madhe  e shqiptarëve që vinin në SHBA ishin nga Shqipëria e Jugut.

Fuqizimi i tyre nga ana ekonomike nxiti dhe shqiptarë të tjerë të provonin fatin e tyre në kontinentin e artë.

Pas vitit 1905 do të hidheshin hapa të rëndësishëm drejt një emigracioni më të organizuar.

Shqiptarët e parë u vendosën kryesisht në zonën e Bostonit, në pjesën jugore dhe perëndimore të qytetit. Një qendër shumë e frekuentuar u bë Neë England.

Për një periudhë relativisht të shkurtër një opjesë e emigrantëve duke pasur zgjuarsi dhe shkathtësi natyrale zbuluan të fshehtat e shoqërisë amerikane, veçanërisht të ekonomisë dhe filluan të merren me tregti. Sipas gazetës “Kombi” deri në vitin 1907 shqiptarët ishin shpërndarë në 12 qytete amerikane.

Duke qenë se banesat ishin të shtrenjta shqiptarët jetonin në bashkësi me bashkëfshatarët e tyre dhe të ardhurat e tyre i kursenin për të investuar më pas në ekonomi.

Si të gjithë emigrantët fillimet ishin të vështira. Ata jetonin në qilarë dhe në dhoma përdhese derisa u fuqizuan dhe fillojnë të përmirësojnë kushtet e jetesës me kalimin e kohës, duke u bërë shpejt pronarë biznesesh.

Faik Konica do të shkruante se 30 mijë ishte numri i shqiptarëve që kishin arritur në Amerikë në vitin 1920, një numër me të vërtet i konsiderueshëm, duke marrë parasysh popullsinë shqiptare të kohës.

E ndërsa statistikat e numrit të shqiptarëve rriteshin ato u kthyen në një fuqi të madhe ekonomike për vendin por dhe një mbështetje e fuqishme patriotike. Shqiptarët krijuan shoqërinë pashqiptare “Vatra” me 80 degë të saj që ishin të shpërndara në gjithë Amerikën dhe në Kanada. Gjithashtu u krijuan dhe gazetat e para duke shkuar në 14 gazeta në vitin 1918. Ndër më të njohurat gazeta “Kombi” deri tek “The Adriatik river”.

Shqiptarët e diasporës kanë marrë pjesë në të gjitha ngjarjet që ka kaluar vendi ynë, duke u bërë një pjesë e domosdoshme e trungut shqiptar. 30 mijë vetë do të mblidhte organizata “Vatra” në 27 prill 1913 për të protestuar kundër vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve ndaj copëtimit të Shqipërisë.

Por dhe në ngjarjet e tjera mërgata shqiptare e Amerikës do të ishte shtylla kryesore e lobimit ndaj fuqive të mëdha, gjatë pushtimit të Shqipërisë, ndaj vendosjes së komunizmit në Shqipëri, për Pavarësinë e Kosovës e shumë ngjarje të tjera të rëndësishme.

(gazeta “Kombi”, revista “Albania”, organizata “Vatra”)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here