SHPËRNDAJE

Shkruan: Sulejman ABAZI

SHQIPËRIA, NJË MISTER I MADH, PA ANË E PA FUND!

Në vendet ballkanike, përjashtuar Serbinë dhe Slloveninë, njerëzit që drejtojnë në krye të shteteve zgjidhen dhe vendosen nga fuqitë e jashtëme, në interes të synimeve të tyre.
Kjo situatë ndodhi në Shqipëri pas vitit 1992, kur Partia Demokratike mori drejtimin e vendit. Njerëz të angazhuar në politikë, përfitues edhe në sistemin e kaluar, përkrah me përfaqësues të shtresës së të përndjekurve politikë, në kushte dhe rrethana të pashpjegueshme, kapën majat e pushtetit politik në Shqipëri.
Triptiku më interesant në krye të politikës, Sali Berisha në funksionin e Presidentit, Aleksandër Meksi si kryeministër dhe Pjetër Arbnori si kryetar i Parlamentit Shqiptar. Personaliteti i tyre shoqëror në një kohë të kaluar, tashmë njihet mirë nga opinion shqiptar dhe nuk ka nevojë për komente. Ai që mbijetoi në këtë grupim të madh politikanësh, ishte Sali Berisha.
Ky përfaqësues i të djathtës së qendrës, ushtroi një rol të caktuar, për të cilin sot mbetet shumë i përfolur në enigmën që fsheh. Ai pengoi të djathtën ekstreme në Shqipëri që të ushtronte hakmarrjen e saj mbi të majtën, duke shmangur një hasmëri dhe gjakderdhje në një përplasje të mundëshme brenda vendit, më shumë pasoja. Ai bllokoi hapësirën e veprimit të tyre, duke i afruar nëpër institucione, duke përzgjedhur midis tyre njërëz që kishin lidhje direkte dhe indirekte me pushtetin e kaluar.
Ish Presidenti, këmëngulës dhe vendimarrës, karizmatik dhe njeri me vullnet, imitoi në anën e kundërt figura diktatoriale. Duke shfaqur një autoritarizëm absolut, duke eleminuar në rrugën e tij të gjithë kundërshtarët politikë, si jashtë dhe brenda partisë që drejtoi, ai mbijetoi për një kohë të gjatë në politikë, deri në ditët e sotme.
Në njerëzit e besuar, ai përzgjodhi kontigjentin më besnik, duke i bërë milioner me kredi të favorëshme, me detyrime financiare për kontribute në interes të Partisë Demokratike. Kjo skemë fuksionojë duke i dhënë mundësinë financiare strukturave politike të dominonin jetën e vendit.
Në planin ndërkombëtar, ish Presidenti gjeti homologët e tij dhe kërkoi hapur dhe fshehur mbështetjen e tyre. Të gjitha këto veprime i bëri në mbështetje të karrierës së tij politike dhe inspirimin për veprimtarinë e tij këmëngulëse politike. Edhe në situata dëshpërimi, ai e siguroi këtë mbësghtjetje nga jashtë Shqipërisë.
Kjo vërtetohet nga ngjarjet që rrodhën në Shqipëri dhe dëmet e mëdha që shkaktoi në planin e brendshëm, duke e zhytur vendin në kaos dhe pasiguri dhe duke cënuar rëndë pasurinë dhe sigurinë kombëtare.
Këtë situatë të sajuar me shumë mjeshtëri dhe dinakëri, e djathta ekstreme e kuptoi me vonesë. E pavetëdijëshme dhe në një dilemë të madhe politike, ajo me ose pa dashje, i dha mbështetjen e saj Sali Berishës për 25 vite rresht në jetën politike të vendit.
Edhe sot pjesa dërrmuese e liderëve politikë të të djathtës ekstreme, vazhdojnë të zvarriten pas Partisë Demokratike dhe interesave klanore të Sali Berishës, me shpresë për të kapur maja të pushtetit.
Në qindra faktorë që vepronin në një kohë të kaluar dhe që veprojnë edhe sot, kjo klasë e demotivuar nga pasojat e një kohe të gjatë nën persekucion, nuk ishte në gjendje të gjente hallkat e nevojëshme për të ndërtuar zinxhirin e gjatë të zhvillimit dhe stabilitetit të vendit, por zgjodhi pozicionin e bashkëpunimit me pjesën më të dobët të kontigjentit të sistemit të kaluar.
Ndoshta frika e ndonjë kundërveprimi në qëllimin e tyre fillestar të hakmarrjes, duke e ditur se shumica e majtë dominonte Shqipërinë, i detyroi të zgjidhnin rrugën e bashëkpunimit me njerëzit “e përzgjedhur”, që do të drejtonin Shqipërinë në ditët e para postkomuniste.
Kjo strategji dështoi që në vitet e para të demokracisë dhe vërtetoi se shteti nuk mund të drejtohej me urdhëra, duke shmangur ekuivalentët ekuilibrues. Qeveritë shqiptare në këto 25 vjet nuk mbajtën asgjë në dorën e tyre, për të bërë balancimin në bilancët financiare dhe për të sjellë një rritje ekonomike të qëndrueshme, që do të rriste standardin e jetesës së popullsisë.
Grabitja sistematike e pasurisë kombëtare dhe krijimi i kastës së re të oligarkëve shqiptarë, hapën rrugën fenomeneve të rrezikëshme, të papranueshme në sistemin e demokracisë.
Koha e solli që pasojat të mendohet se mund të kapërcehen me sistemin e koncesioneve, ku me sa kuptohet, në këtë formë të gjithë ndihen mirë dhe kundërshtarët dhe opozita të mos kenë opsione të tjera për të bindur shqiptarët në qëndrimin e tyre politik.
Me këtë rrjedhë politike të diktuar nga faktorë interesash të jashtëme, Shqipëria është kthyer në një mister të madh për ta shpjeguar, nëse do të mendohet ndonjëherë që ky vend të dalë nga kolapsi social politik dhe ekonomik, që e ka mbërthyer në një periudhë kalimtare të pafund.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here