SHPËRNDAJE

Shkruan: Dr. sc. Enver REXHA

vijon nga pjesa e parë…

Më pas, gjatë zgjerimit të shtetit nemanjidë të Rashkës (Sipas historiografisë serbe, Rashka është bërthama e shtetit mesjetar serb) në drejtim kah jugu prej fillimit të shekullit XIII-XIV, do të okupohen dhe territoret e sotme të Kosovës që dihet se do gjinden nën sundimin e tyre për një kohë. Në këtë drejtim, nemanjidët do të formojnë kishën ortodokse të tyre, e cila siç do të shohim do të pavarësohet në vitin 1219 prej kryepeshkopatës autoqefale të Ohrit. Duke u shpallur e pavarur ajo do të vendoset me seli në Zhiçë të Rashkës. Okupimi i trojeve të sotme të Kosovës asokohe nga nemanjidët, që pason gjatë disa decenieve në shek.e XIII’të, solli padyshim një keqësim të ndjeshëm, jo vetëm fizik, politik e ekonomik, por edhe në shkatërrimin kulturor e fetar.

Këtij përkeqësimi i kontribuoi edhe më tepër transferimi i selisë autoqefale kishtare të Rashkës nga Zhiça në Pejë, pra në trevat e Kosovës. Kjo ndodhi në fund të shekullit të XIII’të, ku pas një sulmi të vitit 1290 nga tributë tatarë dhe kumanë digjet Manastiri i Zhiçës. Kuptohet se, Peja nuk ka qenë seli e vetme ose e përhershme e Patrikanës së Rashkës qysh pretendohet.
Manastiri i Zhiçës ishte rindërtuar e dihet se patriku Spiridon dhe trashëgimtari Danillo e kanë pasur selinë atje. Aso kohe, gjithashtu kuptohet se, kishat më të hershme “serbe” ishin ndërtuar në territorin e ngushtë të Rashkës: Studenica (afër Novi Pazarit), Malisheva (afër kufirit të Bosnjës), Sopoçani (Novi Pazar) etj. Kjo shtrirje e kishave përkon me territorin e shtetit mesjetar të Rashkës, që përshkruhet nga autori bizantin i shekullit të X’të [K. Porfyrogjeneti si dhe burime të tjera].

Duke pasur parasysh pushtimin e territoreve shqiptare, gjatë dy-tre brezave të sundimit të nemanjidëve, që arrijnë të shtrihen në territorin e sotëm të Kosovës, do të kuptohet se, qendra kishtare e tyre ishte ende jashtë Kosovës. Vetëm gjatë shekullit të XIV’të, të dhënat tregojnë se, me rastin e ndërtimit të Manastirit të Graçanicës, të Deçanit dhe të Kryeengjujve (Arkangjelit) në Prizren, treva e sotme e Kosovës mund të thuhet se kishte njëfarë rëndësie si qendër e Peshkopisë së Rashkës.

Si pasojë, me forcimin e më tejmë të pushtetit Nemanjid në këtë territor, pra duke filluar nga shekulli i XIV’të, atëbotë zgjerohet edhe kisha ortodokse e Rashkës në këtë trevë, me të gjitha tiparet që i zotëronte kisha ortodokse bizantine: ligjet bizantine, veprat teologjike, literatura didaktike, artet, zejet, me të cilat jeta kishtare pasurohej me objekte të domosdoshme nga arkitektura, piktura kishtare e deri tek veshjet e etërve.

Pushteti Nemanjid në territoret e sotme të Kosovës, në veçanti gjatë shekullit të XIV’të, do të zbatojë një politikë që synonte asimilimin e popullsive vendëse të trevave të pushtuara. Si më të efektshëm në këtë drejtim zgjodhën represionin dhe persekutimet në lëmin fetar. Prandaj, edhe sundimtarët nga Dinastia e nemanjidëve mbanin lidhje të ngushtë me kishën ortodokse, për të cilën ndërtuan (rindërtuan) shumë kisha e manastire, jo vetëm në territorin e Rashkës, por edhe në ato ku shtrihej pushteti i tyre. Kuptohet se fshatrat asokohe përfshihen në prona kishtare e që pjesa më e madhe e popullsisë fshatare të Kosovës gjatë shekullit të XIV’të, ishte e detyruar ta lidhte fatin me kishën ortodokse.

Përqafimi i ortodoksisë nga vendësit-arbërit (shqiptarët), dëshmohet nga listat e banorëve, ku krahas klerit katolik të cilësuar me apelativ që përdoret edhe sot në gjuhën shqipe: prift, dom, abat, përmenden edhe klerikët ortodoks të cilësuar si: pop, pope, papas dhe kalluxher. Ndërkaq, pjesa e popullatës së qyteteve, pra jashtë pronave kishtare përmes kolonistëve raguzanë, gjermanë e italianë qe e influencuar dhe e lidhur me kishën romake.

Në dokumentin e papës Benedikti i XI’të të vitit 1303 ndër pesë famulli katolike në trojet e nemanjidëve përmenden edhe famullia e Trepçës (de Trepezo) dhe e Graçanicës (de Grazaniza). Në një dokument që pason nga Papa Kelmenti i VIII-të i vitit 1346 kuptojmë se ipeshkvi i Kotorrit ka pasur të drejtë kujdesi mbi famullinë e Prizrenit, Novobërdës, Janjevës dhe Trepçës. Po ashtu në vitin 1346 për Prizrenin përmenden se kishte dy kisha katolike “S. Marije de Prisren et S. Petri supra Prisren”. Po në këtë dokument kuptojmë se kryepeshkopi i Tivarit kishte kujdesin mbi këto.

Kështu, Prizreni si qendër e ipeshkvisë katolike sipas dokumenteve, mund të ndiqte jetën kishtare. Këtu përmenden kishat e të krishtera katolike si kisha e Shën Pjetrit, kisha e Zojës Mari dhe kisha e Shën Kollit. Duhet theksuar se, të dhënat po ashtu dëshmojnë që, pushtimi Nemanjid i territoreve, e gjeti pjesërisht popullsinë arbërore të viseve veriore e verilindore të lidhura kishtarisht me ortodoksinë bizantine (Kosovë e Maqedoni) e me katolicizmin roman (Diokle – Zetë).

Asokohe shumë kisha vendëse u uzurpuan ose mbi to u rindërtuan manastire ortodokse të Rashkës, siç janë të njohura faktet për kishën e krye’engjëjve Mihail e Gabriel si dhe kisha e Shën Prenës në Prizren. Këto fakte i paraqet letra e Papa Klementit të V’të, i cili i drejtohet Millutinit (Mbretit të Rashkës, E.R.) duke kërkuar që t’i lirojë kishat latine, të cilat i kishte okupuar ai ose të tjerët. Në kohën e sundimit të Uroshit të II’të – Millutinit (1282-1321), gjendja e katolikëve në Kosovë u keqësua shumë.

Ai i ndiqte katolikët dhe e kishte ndaluar ritin e tyre. Këtë keqësim të gjendjes së të krishterëve katolikë e vërteton shkrimtari anonim, përndryshe i njoftuar mirë me kushtet dhe vendin që për Stefan Uroshin e II’të, thotë: “Po i ndjek shumë katolikët dhe i urren”. Po ashtu ai njofton se: “Po rrënon kishat dhe sulmon prelatët”, ndërsa katolikët në këtë vend “i dogji deri në thua” (Gasper Gjini). Për keqtrajtimin e popullatës katolike në vitin 1319, krerët arbërorë i dërguan përfaqësuesit e vet me letra përcjellëse te Papa Gjoni i XXII-të në Avinjon, me ç’rast e njoftojnë atë me ndjekjet e ashpra në vendin e tyre që bëhen nga Uroshi i II’të Millutini.

Letrën e kishin nënshkruar shumë zotërinj arbërorë. Në mesin e këtyre zotërinjve arbërorë si kryengritës është i shënuar edhe një nga Prizreni. Ndjekjet dhe persekutimet e popullatës katolike do të vazhdojnë më fuqishëm gjatë periudhës së Stefan Dushanit (1331-1355). Për të, thuhet se, ka qenë “mjaft jo tolerant ndaj katolikëve” sepse “katolicizmin në popull dhe në masë nuk e duronte”. Masat e ashpra të tij pasqyrohen edhe nga arkipeshkvi i Tivarit G. Adami, në një relacion të drejtuar Dukës së Burgonjës, Filipit të VII’të Valua më 1332.

Ai thekson se, po shkruan atë “që vetë e ka parë dhe përjetuar”. Duke përshkruar gjendjen thekson se: “në pjesën bregdetare edhe latinët dhe arbërit gjenden në pozitë jashtëzakonisht të vështirë sepse populli është nën pranga, priftërinj të thyer, të shkelur dhe të poshtëruar, ipeshkvitë dhe abatët shpeshherë burgosen… kishat, si ato katedrale po ashtu edhe të tjerat, rrënohen dhe u merren të gjitha të drejtat, zhduken dhe shkatërrohen kuvendet”.

vijon në pjesën e tretë…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here