SHPËRNDAJE

Shkruan: Dr. sc. Enver REXHA

vijon nga pjesa e dytë…

Dokumentet e kohës dëshmojnë se Stefan Dushani, përdori tërë aparatin e forcës për zbrazjen e trojeve shqiptare me pretekstin se, po i ndiqte katolikët e padëgjueshëm arbërorë. Edhe pse në kushte të tilla, arbërit, i bën qëndresë të vendosur pushtimit dhe shtypjes së Nemanjidëve. Ajo shprehet sidomos me kryengritjen e madhe të vitit 1332 që përfshiu trevat e lumit Buna (Barbana).

Kryengritjes do t’i bashkëngjitet edhe bujari Dhimitër Suma, e në vazhdim në vitin 1334 shohim kryengritjen edhe në rrethin e Prizrenit. Presioni dhe dhuna e egër që ushtrohej në trevat arbërore do të merret vesh edhe në zyrën e Papatit. Këtej, Papa Klementi i VI-të në vitin 1346, i shkruante Stefan Dushanit se: “disa mbretër të Rashkës, paraardhës të juaj, kuvendet dhe kishat… i përvetësuan në kohën e vet e që edhe tani ju i mbani të pushtuara”.

Prandaj, Papa kërkonte nga Dushani, që t’i lejojë ipeshkvit të Kotorrit për t’i mbledhur kontributet e caktuara kishtare në … famulli (krishtere). Politika diskriminuese e pushtetit të Rashkës e sidomos e periudhës së Dushanit ndaj popullsisë arbërore dhe të tjerëve të konfesionit katolik mori përmasa të gjera, dhe u institucionalizua e u sanksionua edhe me ligj. Konkretisht, një politikë e tillë u fiksua në të drejtën mesjetare, në Kodin e Stefan Dushanit, të vitit 1349.
Mjafton të shikohen dispozitat e neneve 6, 7, 8 dhe 9, dhe të konstatohet diskriminimi drejtuar kundër popullatave jo’rashkase. Katolicizmi sipas Kodit në fjalë, është “herezi latine”. Më tej mund të lexohet: “… në qoftë se ndokush nuk dëgjon të konvertohet e të kthehet në besimin e vërtetë (siç e quanin ata ortodoksinë) ai do të dënohet me vdekje”.

“Klerikët heretikë (të konfesionit katolik) të një komuniteti të huaj që përpiqen të bëjnë predikimin do të kapen, do të dërgohen në miniera ose do të dëbohen”. “Kishat heretike (katolike) … do t’u besohen klerikëve të besimit të vërtetë…”. “Në rast se gjendet një klerik latin që përpiqet ta konvertojë një të krishterë (ortodoks) në besimin latin, ai do të dënohet me vdekje…”.
“Në rast se gjendet një besimtar latin që është martuar fshehurazi me një grua ortodokse, ai duhet të pagëzohet sipas mënyrës ortodokse, e në rast se nuk dëgjon të pagëzohet, atij do t’i merret gruaja, fëmijët e shtëpia, do të katandiset në mjerim e do të detyrohet të emigrojë…” (M.Purkoviq). Të ashtuquajturit “nene antiheretike” të këtij Kodi, sanksionojnë që të gjithë shtetasit e mbretërisë rashkase, anëtarët e komunitetit të huaj duhej të ripagëzoheshin në kishën e tyre.

Veprimtarinë e tillë antikatolike të Dushanit e përshkruan edhe G. de Boulogne, legat i Papës në Padovë, në letrën e dërguar mbretit të Hungarisë dhe të Venedikut, ku shkruan: “Stefan Dushani me dhunë i kthen në fenë e vet besimtarët e tij katolikë, se i pagëzon me kundërshtim dhe jashtë ç’do dispozite dhe ligji të kishës” (Gasper Gjini).

Por siç theksuam dhe më lart, edhe përkundër të gjitha masave ndëshkuese dhe ndjekjeve të shumëllojta e keqpërdorimeve që ushtrohen ndaj popullatës dhe kishës katolike sidomos gjatë shek. të XIV-të, ajo do të rezistojë dhe qëndrojë. Autorët serbë M. Joviq, V. Koraq dhe të tjerë na tregojnë se gjatë shek. të XIV-të, në territorin e sotëm të Kosovës gjinden ose ekzistojnë komunat katolike dhe qytetet me kishat e tyre.

Komuna katolike numërohen: Prizreni (tri kisha katolike), Trepça (dy kisha katolike), Novobërda (dy kisha katolike), Janjeva (një kishë katolike). Ndërsa vendet që kishin kishë katolike ishin: Graçanica, Belasica (Vrh Lab – sot vendburimi i lumit Llap në veri të Podjevës) dhe Prishtina.
Në këtë drejtim edhe pas vdekjes së Dushanit, ngjarjet nuk rridhnin aspak në të mirë për banorët e atëhershëm të Kosovës.

Në skenën politike në territoret e Kosovës do të mbizotërojë për të mirë situata për arbërit – shqiptarët, tek kur këta do të përfshihen në shtetin mesjetar arbëror të Balshajve. Është fakt i njohur në literaturën historiografike, që territori i sotëm i Kosovës njohu sundimin e Balshajve nga viti 1372-1385. Pasi që e forcuan pushtetin e tyre, Balshajt në vitin 1369 nëpërmjet peshkopit të Shasit i kërkuan Papa Urbanit të V-të miratimin për konvertimin e tyre nga feja ortodokse në atë katolike.

Pjesa dërmuese e popullsisë së zotërimeve të tyre që shtriheshin në trevat e Shqipërisë (L. Maltezi) ishte katolike. Me këtë hap, Balshajt, synonin t’i përshtateshin edhe në pikëpamje fetare mjedisit shoqëror të arbërve, duke hedhur tej çdo mbeturinë të sundimit të nemanjidëve që i largonte nga popullsia vendëse arbërore.

Arsyet e tilla, na bëjnë të mund të konstatohet se, për Balshajt, ortodoksia kishte qenë një fe e imponuar në kushtet kur kanë qenë nën presionin dhe okupimin sllav. Ata vepruan nën maskën e saj derisa arritën kulmin e fuqisë së tyre politike për të shmangur çdo goditje të mundshme nga ata dhe kisha e tyre (P. Bogdani). Sundimi i Balshajve në Kosovë pati pasoja të drejtpërdrejta edhe në drejtim të kishës së Rashkës.

Të dhënat tregojnë gjendjen e rëndë të kishës së Rashkës, institucion ky ideologjik dhe politik i shtetit në fjalë. Klerikët rashkas këtë periudhë e cilësuan si një “furtunë” të vërtetë, sepse në mënyrën “banditeske dhe me sulme” u rrëmbyen pasuritë e saj deri tek froni i shenjtë “i patrikut dhe ofiqet apostolike”. Kisha e Rashkës gjatë kësaj periudhe ishte e anatemuar (për shkak të shpalljes së Patrikut të Rashkës në vitin 1346 nga Stefan Dushani në mënyrë të pa ligjshme, pra pa lejen e Patrikanës së Bizantit në Kostantinopojë, E.R.).

Për të penguar asgjësimin që i kanosej, kisha e Rashkës, u orvat të pajtohet me Patrikanën Bizantine. Edhe pse si duket u njoh si kishë e pavarur nga Patrikana Bizantine, çështje diskutabile për të cilën flitet se a ishte krejt e pa varur ose jo, pozita e saj në trevën e Kosovës aso kohe ishte e dobësuar shumë. Për shumë arsye Balshajt nuk lejuan që qendra e saj të mbetet si më parë në Pejë dhe as nuk pranuan që kuvendi i kishës së Rashkës të mblidhej aty (1375).

Prizreni u konsiderua si qyteti nga ku mund të kontrollohej më mirë veprimtaria e saj, ndaj edhe këtu u caktua qendra e re. Madje, për herë të parë në historinë e kishës së Rashkës u vë në postin e udhëheqësit kishtar jo një klerik i tyre pra rashkas, por një klerik bullgar, Jefreni. Masat e tjera radikale që lidhen gjatë sundimit të Balshajve në pjesë të territorit të Kosovës bën që kisha rashkase e dobësuar të ketë bërë zhvendosjen e qendrës së “Patrikanës” nga Prizreni në Zhiçë të Rashkës. Kjo ka ndodhur sigurisht para Betejës së Kosovës të vitit 1389.

Po ashtu dihet se nga fundi i shek. të XIV-të dhe fillimi i atij të XV-të, përveç familjes Balshaj që zotëronte toka arbërore, krahas tyre do fuqizohen dhe familjet arbërore të Kastriotëve dhe Dukagjinëve, të cilat do shohim se do zotëronin territore të tyre. Këto dy familje do shihet që do të veprojnë dhe sundojnë edhe treva arbërore të territorit të sotëm të Kosovës (sidomos Rrafshin e Dukagjinit dhe Prizrenin) gjithnjë deri nën rënien e gjithë vendit nën Perandorinë Osmane (1455-1461).

vijon në pjesën e katërt…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here