SHPËRNDAJE

Shkruan: Dr. sc. Enver REXHA

vijon nga pjesa e tretë…

Në këtë drejtim aspiratat e historiografisë, Akademisë së Shkencave, Kishës Ortodokse dhe Qeverisë Serbe, edhe në ditët e sotme, pretendojnë për përvetësimin e monumenteve arkitektonike të trashëgimisë kulturore të Kosovës – objekteve të kultit të krishterë kishave dhe manastireve. Këto objekte i quajnë të tyre, me pretekst se, kinse ato janë ndërtuar nga mbretërit e tyre gjatë mesjetës, kur ata paskan sunduar territoret e sotme të Kosovës.

Dihet dhe nuk është çështje kontestuese se, që nga sundimi nemanjidas, sidomos nga koha mbretërve: Millutinit (1282-1321), Stefan Deçanit (1321-1331), Stefan Dushanit (1331-1355), dhe në kohën e sundimtarit të fundit të kësaj Dinastie Uroshit të V’të (1355-1371), territori i sotëm i Kosovës do të gjendet nën pushtimin nemanjid të shtetit të Rashkë, pra nën pushtetin politik e fetar të tyre.

Sundimtarët në fjalë duke forcuar pushtetin politik të tyre, njëkohësisht forcuan edhe atë kishtar, bënë që edhe disa qytete mesjetare të Kosovës t’i përdorin si seli të përhershme të tyre. Në këtë drejtim edhe objektet e kultit, siç do të shohim, në masë të madhe do t’i adaptojnë për vete. Në anën tjetër, duke punuar në këtë drejtim, sidomos duke iu referuar burimeve historike dhe studimeve serioze që kanë të bëjnë me këtë çështje, del dhe është mirë e qartë se, këtu kemi të bëjmë me përvetësimin nemanjidas të monumenteve të kultit të krishterë iliro-arbëror si dhe ato romake e bizantine.

Monumentet kryesore të kultit të krishterë në Kosovë, të cilat sot konsiderohen kisha ose manastire ortodokse nemanjidase “serbe”, siç pretendohet pothuajse në të gjitha shkrimet e historiografisë serbe, siç është: Manastiri i Deçanit, Graçanicës, Kisha e Shenjtorëve Mihail e Gabriel dhe kisha e Zojës Prene në Prizren, Patrikana e Pejës, Kisha e Shtjefnit në Banjë të Mitrovicës, del të jenë monumente të moçme iliro-arbërore. Duke pasur parasysh këtë që u tha, nga studiues seriozë, askush nuk e mohon faktin se kishat dhe manastiret në fjalë janë ndërtuar, rindërtuar ose meremetuar mbi themelet e monumenteve të moçme të periudhës romake e bizantine.

Nga e gjithë kjo që u tha, dhe për më tepër duhet të dihet edhe se, monumenti i parë kishtarë i rindërtuar nga nemanjët e Rashkës në territoret e sotme të Kosovës është kisha e Pejës. Në gjysmën e shekullit të XIII’të, thuhet se, u ndërtua kisha e apostujve në Pejë.

Kjo kishë sot gjendet në kuadër të kompleksit të Patrikanës së Pejës. Edhe kjo kishë siç do shohim më poshtë, del të jetë rikonstruktuar në ndërtim të vjetër, së cilës iu dha forma e ndonjë kishe të kohës. Në fasadat e kësaj kishe shihet mënyra romanike e punimit, me gurë të imtë e të gdhendur, elemente këto të stilit perëndimor romanik, stili romaniko-gotik, që mund të themi se stili në fjalë do të paraqitet edhe tek të gjitha objektet e karakterit sakral të ndërtuara në Kosovë gjatë mesjetës së zhvilluar.

Për ndërtimin e kishës së Shenjtorëve të Apostolit në Pejë, e cila ndërtohet diku në gjysmën e shekullit të XIII’të, të dhënat tregojnë se me të ndërtuar, në të vërtetë, vazhdohet një kishë e vjetër dhe e ruajtur mirë e tipit të ashtuquajtur bazilikë trekishtare, që koha e ekzistimit të saj nuk dihet. Ndërtuesit e punojnë atë sipas programit të kishave të Rashkës. Që kisha në fjalë u rindërtua njoftojnë këta autorë: Gj. Boshkoviq, M. Qanak’Mediq, B. J. Gjuriq, S. Qirkoviq, V. Koraq dhe Gj. Jankoviq.

Të dhënat tregojnë edhe se, Manastiri i Graçanicës, sipas njoftimeve burimore historike dhe gjetjeve arkeologjike gjatë viteve 1957, 1963 dhe 1964 të zhvilluara nga ekspertë serbë, është një bazilikë e ndërtuar midis shekullit të VI-të dhe XI-të. Kjo bazilikë ishte qendër e ipeshkvisë së Ulpianës Dardane. Pas rrënimit të saj, mbi themelet e Anijatës së Mesme u rindërtua një kishë kushtuar zojës së bekuar të Graçanicës.

Ka të ngjarë se po kjo kishë të përmendet në letrën e Papa Benediktit të XI’të, të vitit 1303, si kishë famullitare katolike. Mbi këtë kishë, kuptohet se mbreti nemanjid Millutini, rindërtoi Manastirin e Graçanicës rreth vitit 1316. Se kjo kishë u ndërtua në themelet e vjetra të një bazilike bizantine, që themelet e saja nuk janë shfrytëzuar tërësisht, na njofton studiuesi serbë V. Koraç. Njoftime se kjo kishë ishte rindërtuar gjejmë edhe tek punime të autorëve të tjerë si: V. Vuliq, P. Mijoviq, D. Bogdanoviq, V. Markoviq, M. Kashanin dhe Gj. Jankoviq.
Gjithashtu edhe për Manastirin e shenjtorëve Mihail dhe Gabriel të Prizrenit, gjejmë dëshmi nga autori S. Nenadoviq dhe nga libri i botuar prej grup autorësh “Kosovo nekad i danas”, se ai është ndërtuar mbi një kishë të moçme Dardane të periudhës së antikitetit të vonë. Rindërtimi është bërë rreth vitit 1348-1352.

Në kompleksin e Manastirit gjendet Kështjella e Epërme, Kisha e Shën Kollit dhe Kisha e Shenjtorëve. S’do mend se këtë kompleks të kultit e shfrytëzuan banorët e ritit ortodoks, si arbërit ashtu edhe “serbët”. Arkeologët në rrënojat e këtij Manastiri kanë zbuluar fragmente interesante të artit bizantin, romakë dhe gotikë (F. Drançolli). Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është mozaiku, që nuk ka ndonjë paralele me ndonjë mozaik në Serbi, veçse më shumë i ngjan mozaikut në pagëzoren e Katedrales Santa Maria të Firencës (J. Drançolli).

vijon në pjesën e pestë…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here