SHPËRNDAJE

Shkruan: Dr. sc. Enver REXHA

vijon nga pjesa e gjashtë…

Të dhënat nga arkiva e këtij institucioni, na tregojnë dhe vërtetojnë që: në territorin e Kosovës sot, janë të evidentuara 183 objekte (të tipave dhe gjinive të ndryshme), kisha të krishtera, kryesisht ortodokse, prej të cilave 126 sosh kanë tretman monumenti, ndërsa 57 objekte janë vetëm të evidentuara (të dhënat marrë nga Dr. Fejaz Drançolli). Objektet në fjalë janë të regjistruara në regjistrin qendror të monumenteve në këtë institucion dhe nga këto monumente, mund të themi se, një numër i tyre i takojnë stilit bizantino-kosovar, posbizantin si dhe të karakterit lokal (F. Drançolli).
Këto të dhëna të fundit i theksuam me qëllim, sepse tregojnë se treva e Kosovës gjatë mesjetës e më vonë, nuk ishte epiqendra e veprimtarisë së kishës ortodokse të Rashkës – “Serbisë” siç pretendohet nga historiografia serbe, çështje që dëshmohet nga të dhënat e sipërpërmendura. Si përfundim, theksojmë se, kultura materiale e arbërve gjatë mesjetës e më pas shqiptarëve në territoret e Kosovës ishte pre e sundimeve të huaja, në rastin tonë atij më ekstrem – të Rashkës gjatë mesjetës.
Theksuam se, në Kosovë gjatë kohës kanë bashkëjetuar shumë monumente të kultit, si katolike, ortodokse që shërbenin aso kohe si për arbërit-shqiptarët ashtu edhe për popullatën tjetër që asokohe dhe sot jeton në këtë vend. Nga të dhënat që theksuam shihet se kisha ortodokse rashkase – “serbe”, përvetësoi shumë nga këto monumente të kulturës, kisha e manastire vendëse iliro-arbërore ku ndërtoi dhe rindërtoi mbi to, siç u pa sidomos gjatë shekullit të XIV’të, kisha të quajtura më vonë të veta, duke i shndërruar ato në kisha ortodokse. Këtej kultura materiale e Kosovës ndër shekuj u shkatërrua, u plaçkit duke vazhduar me tendencat (që nuk ndalën as në ditët e sotme) për t’u përvetësuar në forma të ndryshme siç i paraqitëm.
Këto qëndrime i paraqesim, me qëllim të tregojmë se, Serbia dhe historiografia e saj pothuajse pa përjashtime, pretendon edhe sot të qëndrojë me këto parime: që Kosova është “Djep i serbizimit”, “Tokë e shenjtë serbe”, “selia e kishës ortodokse serbe” dhe qëndrime të tjera antishkencore e jo humane, që sipas argumenteve shkencore nuk qëndrojnë, e për më tepër lënë pasoja të dëmshme në raportet e së ardhmes ndërmjet popujve. Sot numri i objekteve sakrale mesjetare, të kishave katolike, bizantine e ortodokse paraqesin gjurmë të kulturës materiale të dikurshme që e karakterizojnë kulturën materiale të popullit të Kosovës e më gjerë.
Duke i hedhur poshtë qëndrimet dhe tendencat që paraqiten prej historiografisë serbe, nga të dhënat e sipërshënuara, sot mund të themi se, në Kosovë kemi monumente të kultit të krishterë që janë ndërtuar nëpër kohë që nga antika e deri më sot, dhe jo vetëm ato të krishtera, katolike e ortodokse të mesjetës, por edhe duke vazhduar me monumentet kulturore islame që sot i kemi një numër të madh të tyre, sot i trajtojmë për trashëgimi të kulturës vendëse dhe ato i takojnë popullit dhe qytetarëve që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, pa bërë dallime të trashëgimisë kulturore në asnjë aspekt.
Në këtë drejtim do të shtojmë edhe mendimin se, është obligim shoqëror, intelektual, institucional e shtetëror, që monumentet e trashëgimisë kulturore, çfarëdo qofshin ato, të mbrohen, konservohen, restaurohen etj., të mbahen në jetë, sepse i takojnë kulturës materiale dhe shpirtërore të njerëzimit, në rastin tonë popullatës vendëse të Kosovës dhe kulturës universale botërore.
Për fund, kishte me qenë mirë t’i tregojmë edhe historishkruesve serbë, çështje për të cilën jam i bindur që e dinë por nuk e theksojnë dhe shkruajnë, se, të dhënat historike dëshmojnë që iliro ’arbërit’ shqiptarët, gjatë historisë jetuan dhe vepruan në këto treva dhe më gjerë që nga kohët e vjetra, dhe mundën të mbijetonin pushtuesit dhe sunduesit e ndryshëm, si ata romakë, bizantinë, sllavë, osmanë dhe serbë deri në kohën e sotme.
Gjatë kësaj kohe, dëshmohet se, mbijetoi dhe një pjesë e monumenteve të trashëgimisë kulturore’historike e tyre (duke përfshirë në këtë kuadër edhe, kishat e krishtera, kishat dhe manastiret ortodokse si dhe objektet e kulturës islame – xhamitë, teqetë etj.) të cilat qenë ndërtuar nëpër kohë e që një pjesë mbijetuan deri më sot. Po këta, iliro’arbërit’shqiptarët, gjatë kohës, kanë pranuar kulturën fetare të besimit të krishterë më se dhjetë shekuj (prej shek.të I’rë deri në shek. e X’të).
Më pas, ata do të gjinden pjesërisht edhe nën ndikimin e krishterë ortodoks bizantin për afro tre shekuj (shek. i X’të dhe i XIII’të), afër dy shekuj nën trysninë e kishës ortodokse sllave’rashkase (XIII’të e XIV’të) e që vazhdon me pranimin e fesë islame që nga (shek. i XV’të dhe i XIX’të). Gjatë këtyre shekujve rrugëtimi, populli shqiptar përqafoi tri konfesione si, atë katolike, ortodokse dhe islame. Konfesionet që bashkëjetuan tek populli shqiptar e që i besojnë dhe sot, i bëjnë që edhe monumentet fetare të trashëguara gjatë historisë t’i respektojnë, mirëmbajnë dhe vlerësojnë si pjesë e pa ndarë e kulturës së tyre.
 Autori është Koordinator Shkencor në Institutin Arkeologjik të Kosovës./

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here