SHPËRNDAJE

Është ndër atraksionet më të mëdha turistike në Veriun e Shqipërisë. I rrethuar nga malet e Radohimes, Shenikut dhe Paplukut, Thethi është nga fshatrat me të bukura të Shkodrës. Dikur ishte qendra e fisit Shalë, shkruan Gazeta Metro.

Rreth 70 kilometra nga qyteti i Shkodrës, diku rreth 1000 metra mbi nivelin e detit, ky fshat malor i ka bërë Alpet Shqiptare zonë mjaft të frekuentuar nga turistët, e në veçanti për turistët e huaj.

Thuajse në çdo stinë të vitit, turistë nga vende të ndryshme të botës marrin rrugë drejt Thethit, për të kaluar momete të paharrueshme mes maleve të larta që rrethojnë një vendbanim që përbashkon bukuritë natyrore dhe një trashëgimi historike mbreslënëse.

Ata që preferojnë ecjen malore, marrin rrugë permes Valbonës, një ecje kjo që merr kohë deri në 7-8 orë, duke qenë gjatë gjithë kohës mes një peisazhi përrallor. Por, ata që duan të mbërrijnë me lehtë e më shpejtë në Theth, nisen drejt Shkodrës. Afër Hotel “Rozafa”, ndodhet pika informuese, prej ku mund të gjeni edhe transportin drejt Thethit, permes furgonëve apo makinave malore.

Rruga nga Shkodra në drejtim të Thethit me këto mjete transportuese zgjat rreth dy orë e gjysmë, nga e cila mund të shfrytëzoni çdo moment për të soditur peisazhin mes maleve e qafave të tyre mahnitëse.

Me të mbërritur në Theth, iu presin bujtina ku mund të akomodoheni ne dhoma mjaft komode me çmime të përballueshme dhe prej ku iu servohet ushqim i llojllojshëm, nga kuzhina tradicionale e deri tek ushqimet e freskëta, përfshirë perime e fruta të freskëta,  gjitha të përfshira në çmimin e akomodimit nëse vendoseni në njërën nga bujtinat. Por, në shumë hapësira, mund të shihni jo pak tenda të ngritura nga ata që duan që edhe gjumin ta bëjnë në mes të freskisë që jep ky fshat malor.

Fshatin e përbëjnë shtatë lagje, duke filluar me “Lagjen Gjeçaj” që në hyrje të fshatit nga Qafa e T’thores dhe Shtegut te Dhenve, e më pastaj “Lagjja Gjelaj”, “Lagjja Nikgjonaj”, “Lagjja Okol”, “Lagjija Ndreaj”, “Lagjja Ulaj” dhe “Lagjja Kolaj”. E pjesë e Thethit konsiderohet edhe Ndërlysa, që ndodhet në largësi prej 20 minutash nga “Kanioni i Grunasit”, e ku mund ta gjeni mrekullinë e quajtur “Syri i Kaltër”. Qendra e fshatit llogaritet pjesa e banuar nga banorët e lagjeve Gjelaj dhe Gjeçaj, e ku ndodhet edhe Kisha e Thethit.

Kisha e Thethit

Magjia e Thethit fillon nga qendra e fshatit, ku ndodhet “Kisha e Thethit”, me një arkitekturë të veçantë, e ndërtuar në vitin 1892. Ajo është ndër ndërtimet më të hershme të kësaj zone, dhe famulltarët që shërbyen në këtë kishë, përveç riteve fetare, shpesh iu mësuan fëmijëve të kësaj zone shkrimin e leximin.

Nga famulltarët e pare që bëri këtë ishte At’ Shtjefen Gjeçovi gjatë viteve 1916-1917, frati françeskan që bëri përmbledhjen e “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, ligji zakonor shqiptar i cili mbetet ende në fuqi në disa raste tek kjo zone, por edhe zona të tjera të Shqipërisë. Kurse, në kohën e komunizmit, ky objekt fetar u shndërrua në qendër shendetësore dhe shtëpi lindjeje.

Por, pas rënies së regjimit me ndihmën e bashkëatdhetarëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thethasit e rikonstruktojnë prapë këtë objekt, për ta rikthyer në shërbim të fshatit si shtëpi të lutjeve.

Kulla e Ngujimit

Në mes të shtëpive të bukura e të veçanta të fshatit, 5 minuta larg qendrës së fshatit, zë vend “Kulla e Ngujimit”. Kjo kullë thuhet të jetë ndërtuar para 400 viteve, porse tash e 100 vite është jashtë funksionit dhe tashmë shërben si muze e guidë për turistët e shumtë.

Kulla njihet si “Kulla e Zef Kol Koçekut”, kurse me të mbërritur aty, nipi i tij Sokol Koçeku, rrëfen gjithë historinë e saj dhe mirëpret pyetje lidhur me të.

“Kush nuk ka ndonjë pyetje, do të ngujohet këtu për 9 muaj”, iu drejtohej turistëve me humor Sokoli.

Ai rrëfen se në këtë kullë janë pajtuar mbi 300 gjaqe, nga i gjithë bajraku i Shalës dhe shpjegon dallimin me kullat ne viset e tjera të Shqipërisë, duke treguar se kjo kullë nuk shërbente për ngujim të përjetshëm të vrasësve, por si hapësirë ku mbaheshin kuvende për pajtime të gjaqeve.

Sipas këtij rrëfimi, ai që kryente vrasjen kishte të drejtë të merrte pleqtë për të pleqëruar ngjarjen, ku plaku luante rolin e avokatit të palës që e zgjidhte. Kurse, për të akuzuarin, Kulla e Ngujimit shërbente si vendstrehim për 15 ditë, kohë e mjaftueshme për ta gjetur mbrojtësin dhe për t’u sqaruar rrethanat e vrasjes.

Por, në rrëfim e sipër, Sokol Koçeku nënvizoi që sot kjo traditë e pajtimit të gjaqeve që vetëm në këtë Kullë iu kishte dhënë fund 300 vëllavrasjeve,  ka filluar të stërkeqet. Kjo, pasi që jo rrallë janë evidentuar raste ku kërkohen para për t’u pajtuar gjaqet.

Ujëvara e Grunasit

Me të dalë nga Kulla e Ngujimit, një rrugicë skaj lumit të dërgon tek “Ujëvara e Grunasit”, një vepër madhështore e natyrës. Një rrugë që të merr 25-30 minuta, përgjatë të cilës përveç mrekullive të natyrës takon banorët duke u kujdesur për kafshët dhe duke punuar token, e që secili të përshendet dhe të uron mirëseardhje në Theth.

Me lartësi rreth 30 metra, Ujëvara e Grunasit nga disa metra largësi është mjaft freskuese dhe nga bukuritë me mahnitëse të zonës. Turistët e shumtë shijojnë pushimim për orë të tëra në shkëmbinjtë dhe pranë cirqeve të saj, dhe secili nga ta fotografon rreth e rrotull që ta dokumentojnë këtë bukuri të rrallë.

Qeveria e Shqipërisë e ka shpallur këtë ujëvarë monument natyre, dhe tashmë gëzon mbrojtjen nga shteti.

Vaskat e Gurit

Gjatë shëtitjes në Theth, edhe fëmijët që në shumë raste të flasin anglisht për shkak të turistëvë të shumtë nga e gjithë bota, të rekomandojnë që të mos largohesh nga Thethi pa i vizituar “Vaskat e Gurit” dhe “Syrin e Kaltër”.

Vaskat e Gurit ndodhen në Ndërlys, ku permes ecjes në këmbë nga Thethi mbërrin aty për rreth dy orë. Por, edhe vajtja deri atje më furgon është përjetim i veçantë për shkak të një rruge që në momente të caktuara të jep adrenalinë të paparë, pasi që je duke lëvizur mbi qindra metra lartësi.

Këtë monument natyror e përbën një formacion shkëmbinjësh, i krijuar nga prurjet e shumta të ujit, ku në vende-vende duket e frikshme, por mbi të gjitha e bukur dhe madhështore. Format e krijuara duken tamam si vaska, ku shumë turistë pushojnë e freskohen në ujin e tyre. E në afërsi të tyre është e krijuar edhe një pishinë natyrore, ku turistët ndalojnë për të bërë plazh.

E, sikur përgjatë gjithë rrugës, edhe këtu ndodhen pub-e të vogla e të bukura ku mund të freskohesh me pije dhe të ushqehesh, me çmime mjaft të lira.

Syri i Kaltër

Pasi ta keni shijuar magjinë e “Vaskave të Gurit”, ka edhe një bukuri, që s’duhet ta lini Thethin pa e vizituar. Fjala është për “Syrin e Kaltërt”, emërtim ky i përdorur edhe për monumente të tjera natyrore në vende të ndryshme të Shqipërisë.

Por, ky monument ndodhet në Kaprre, ku nga Ndërlysa mbërritet për rreth 40 minuta me rrugë të rëndomtë këmbësore, dhe në drejtim të së cilit nuk ka rrugë automobilistike.

Është nga bukuritë me të veçanta të Shqipërisë, i formuar nga “Lumi i Zi”, që buron nga “Maja e Zezë”. Këtë bukuri natyrore e ka krijuar gërryerja e shkëmbit nga uji që bie nga mali, duke krijuar pusin me ngjyrë të kaltërt me rreth 100 metra kator dhe thellësi nga 3-5. Nëse keni shpirt avanturieri, mund ta provoni edhe zhytjen në këtë pus, por njëkohësisht do ta provoni dushin më të ftohtë në jetën tuaj.

Thethi është mrekullia që iu lë pa fjalë dhe që nuk do ta harroni kurrë. Një vikend në këtë vend do të iu jape momente të jashtëzakonshme dhe do t’iu lë me kujtime fenomenale. E gjithë kjo arritet me pak shpenzime dhe ndesheni me një natyrë brilliante, me një rrëfim historik të papërsëritshëm dhe me një mikpritje si askund tjetër.

Fisi i Shalës

Të gjithë ata që vinë nga fisi mesjetar shqiptar i Shalës, duhet ta dinë se qendra e këtij fisi, ishte në Theth. Fisi i Shalës është një nga 12 fiset shqiptare, prej të cilit shumica e shqiptarëve në rrethine Mitrovicës dhe të Pejës, kanë prejardhje nga ky fis. /gazetametro.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here