SHPËRNDAJE

Shkruan: FATBARDHA DEMI

E vërteta asnjëherë nuk mund të zbresë në nivelin e atij që e kërkon, përkundrazi për ta marrë , i takon kërkuesit të ngjitet në nivelin që ajo gjëndet. Rruga më e mirë për të përcjellë një të vërtetë është një lloj komunikimi që i kapercen kufijt e fjales : është të kuptuarit intuitiv.

Për Shqipërinë veri-lindore natyrale, nuk dihet ndonjë emërtim gjeografik më i lashtë se sa toponimi Dardania, origjinën e të cilit janë përpjekur ta zbulojnë pothuaj të gjithë emrat e shquar të historisë dhe gjuhësisë albanologjike dhe botërore. Libri i parë që ka folur për popujt e lashtësisë ka qenë edhe libri i parë i historisë europiane, Iliada e Homerit :“Dardanët i drejton Enea i shquar…” ( Omero, Iliade II, 816-823) (1) dhe më vonë Straboni (64 pK – 19 pas K) “people of the Dardaniatae…”(fis i Dardanisë) në librin e tij (Descriptive Ethnology: Europe, Africa, India).(2)

straboniNdërsa Edith Durham (Prejardhja e disa fiseve dhe disa kanune e zakone të Ballkanit) pohon se në hartat e vitit 140, të astronomit dhe gjeografit Claude Ptolémée ( 90 – 168 pas K) gjejmë toponimin Dardani dhe vetëm kohët e fundit, emri i saj është fshirë nga hartat tona: “ Mendoj se emri i saj nuk është shkruar në hartat e shekullit të nëntëmbëdhjetë ”.(3)

Që nga shekulli i 18-19, kur studiuesit filluan të gjurmojnë origjinën e gjuhëve dhe rrjedhimisht edhe të shumë toponimeve, e deri në ditët e sotme, për emrin Dardania (europiane), të gjithë kanë qënë të një mendimi se e ka origjinën nga emri “dardhë”.

– Johann Georg von Hahn (Albanische Studien, I ,1854) qe nga të parët që emrin e dardanëve e lidhi më fjalën shqipe “dardhë” . Duke parë, përveç afërsise në shqiptim edhe faktin se , ” Sidomos shpati i saj lindor (i Dardanisë) ishte i veshur plot me dardha të egra (…) për rrjedhim kuptimi i emrit Dardania në zanafill gjan të jetë “vënd dardhash.” (5)

– Edith Durhami, duke e mbështetur mendimin e Hahnit, vëren se në gjuhën sërbe në tokat fushore përtej Drinit, që u serbizuan në fillim të mesjetës, ndodhen toponime Krushevo, Krushevas dhe Krushenica. Në gjuhën serbo-kroate këto emërtime kanë kuptimin dardhë (kruška).

– Sipas Eqerem Çabejit (Emri i Dardanisë dhe izoglosat shqiptaro-kelte), shpjegimin që dha G.Hahni “ është i mbështetur mirë si materialisht, si gjuhësisht (…) Ky emër del ndër të tjera në Veri në anët e Iballës e të Mirditës, në krahinën e Lezhës, në Shqipëri të Mesme, në anët e Elbasanit, në Skrapar, në rrethin e Korçës e të Leskovikut, si emër krahine Reç-e-Dardhë në Shqipërin Verilindore, si kompozitë Dardhëzeza në Mollas afër Gramshit” . Pas trajtimit të një vargu emrash të drurëve dhe të bimëve, në gjuhën kelte dhe shqipe, E.Çabeji mendon se origjina e fjalës “dardhë” mund të jetë nga gjuhët e fiseve kelte të lashtësisë, që kishin hyrë në Ballkan në shkV. (6)

– Idriz Ajeti (Studime gjuhësore në fushët të shqipes) e lidh origjinën e emrit Dardania nga “dardhë”, duke u nisur nga emri i fisit dardan Pirustë (Pirustae) të ngjashëm me emrin latin të dardhës “pyrrus” (7)

– Skënder Rizaj (Pellazgët Hyjnorë) pohon se : Toponimi dhe antroponimi Dardan është fjalë pellgazgjishte – dardanishte – shqipe: Dard (h) + An (ë)= ana e dardhave. Dhe vërtet në Pellgun e Dardanisë sot e kësaj dite ka shumë dardha, madje të llojeve të ndryshme dhe me shije dhe ere të lloj-llojshme. (8)

Nuk po zgjatem më tej, meqënëse ky mendim qëndron edhe sot në çdo botim historik mbi këtë toponim. Pra, pamvarësisht se emri “Dardania” është nxjerrë nga studiuesit me origjinë nga gjuhë të ndryshme, të gjithë bashkohen tek mendimi se e ka burimin nga emri i pemës së dardhës. Ky përfundim nuk është bindës nga fakti, se emrat e figurave të lashtësisë shprehin simbole të bësimit dhe emri i dardhës nuk njihet si i tillë.

Për të njejtin toponim, (bëhet fjalë për Dardaninë e Azisë së Afërme) historianët e huaj pohojnë se e ka origjinën nga emri i Dardanit, i njohur në mitollogji nga veprat e Homerit e të shumë shkruesve të tjerë të lashtësisë. Në rast se Straboni dhe autorët e tjerë, e kanë gjetur në popull emërtimin Dardania (europiane) dhe me qënëse deri në kohët moderne nuk ka ndryshuar , kjo dëshmon se ky emërtim është zanafillor dmth i trashëguar brez pas brezi, që nga koha kur bashkësitë fisnore kishin një identitët tashmë të formuar. Për rrjedhojë, ky emër ka një origjinë parahistorike dhe rruga e parë që do të ndjëkim, do të jenë burimet shkrimore ku pëmëndet emri Dardan.

Për të vijuar qetësisht kërkimin tonë, duhet t’i japim në fillim përgjigje pyetjes, që shumë studiues modernë e shikojnë te dyshimtë për popujt europianë: A janë shqipetarët e sotëm të Kosovës, pasardhës të fiseve Dardane të Strabonit? Dr. Arif Mati (Odisea e pabesueshme e një populli parahelen “(f21,2007) shkruan se “Është rast unik në Europë, fakti se shqipetarët e sotëm kanë rrjedhur prej një popullsije autoktone”. I pari që e pohoi këtë fakt në vitin 1774 ishte gjuhëtari suedez Johann Erich Thunmann (1746 – 1778). (Über die Geschichte und Sprache der Albaner und der Wlachen) (9) por edhe studiuesit arbëresh të Italisë .

Që nga shekulli i 18-të e deri në ditët tona, kjo tezë është pasuruar me dëshmi shkencore historike, gjuhësore, arkeologjike, të besimit dhe të traditës, nga studiues shqipetarë dhe të huaj, prandaj do të mjaftohem duke sjellë provën e një shkence të kohëve të fundit – të gjenetikës – sistemin HLA. Sipas përfundimeve të studimeve botërore të zhvilluara në këtë fushë, Pr. Genc Sulçebe (Fakte gjenetike që hedhin dritë mbi lashtësinë dhe autoktoninë e popullit Shqipetar ) pohon se rivërtetohet autoktonia e popullit shqipetar në trojet e tij.(10)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here