Fahri Xharra

Me vëmendje të madhe jam duke i përcjellë zhvillimet e fundit rreth deklaratave kontroverse të Presidentit Thaqi, dhe heshtjes së madhe të parlamentarëve të Kosovës rreth kësaj çështjeje. “ Ndarje e Kosovës” , “Bashkimi i Preshevës me Kosovën” , “Përse Perëndimi po tradhtohet nga Kosova? “, “Historianë e publicistë tregojnë rrezikun nga idetë e korrigjimit të kufirit me Serbinë “,“Korrigjimi i kufijve”/ Krahu i luftës në Luginë mbështet Thaçin”, e deri tek “Baton Haxhiu: Veriun e Kosovës duhet ta lëmë të ikë “ më duket që janë zhurmë e madhe për diçka tjetër.

Profesori Kreku, Paris shkruan “Kam lexuar shumë shkrime këto ditë. Hiq shkrimin e Blerim Latifit që përfaqësonte idenë e qartë në shkrim, tjerat ishin jashtë kontekstit, dashakeqe dhe jo kontribuuese me ide të reja. Të përqendruara në fyerje dhe ndëshkime deri në tradhti. Fjalori i politikës është padyshim i vrazhdë dhe ka filluar një betejë e fortë për të shpallur tradhtarin e së ardhmes. Por ka një lidership në Ballkan që ka hapur idenë për fundin e armiqësisë. Dhe arsyeja pse ka ndodhur ky diskurs publik mund të përfshihet në disa pika. “

“ Ndarje të Kosovës s’do ketë. A e dini pse? Sepse Serbia nuk e do këtë opsion. Është opsioni që do ta ndiqte elementin serb përfundimisht nga Kosova.”- e vazhdon postimin e tij Nezir Kraki, profesor dhe ligjërues në Universitetin e Parisit (https://www.fmimages.net/profesori-i-parisit-ndarje-te-kosoves-sdo-kete-tregon-cka-deshiron-serbia-e-cfare-do-te-fitoje-kosova/ )

Edhe mua me shkon mendja në diçka tjetër që fshehët pas kësaj zhurme të madhe e cila në çerdhen e saj e fsheh një qyqe të madhe në folenë tonë.

Duke e lexuar intervistën e Zërit të Amerikës me Milazim Krasniqin për pasojat e këtij ristrukturimi kufijsh , ai ndër tjerash e thotë, por e thotë “ndoshta” të vërtetën : ” Zoti Krasniqi thotë se Kosova i ka kufijtë e vet me të cilën është shpallur shtet dhe se duhet të kërkohen zgjidhje tjera për siç thotë rehabilitimin e serbëve lokal përmes asociacionit të komunave serbe që është edhe një detyrim ndërkombëtarë i Kosovës. Ai thotë se marrëveshja përfundimtare nuk mund të arrihet me shkëmbim territoresh ose me idenë e korrigjimit të kufijve pasi që pashmangshëm do të çonte në konflikt të armatosur. https://www.zeriamerikes.com/a/4517422.html “

Pra edhe një herë, sipas Krasniqit : “Kosova i ka kufijtë e vet me të cilën është shpallur shtet dhe se duhet të kërkohen zgjidhje tjera për siç thotë rehabilitimin e serbëve lokal përmes asociacionit të komunave serbe që është edhe një detyrim ndërkombëtarë i Kosovës “

Profesori Kreku është shumë konkret , kur shkruan :” Tema e ndarjes është duke u ushqyer si kërcënim shumë më i madh se krijimi i një mini republike serbe brenda Kosovës. Kështu, opinioni i tmerruar nga ideja e ndarjes dhe nga propaganda shtetërore për « kompromise të dhimbshme », do gëzohet kur alternativa e ndarjes nga jashtë do prezantohet ndarja nga brenda.”

Pra, asociacioni e çon Serbinë dhe Kosovën në BE, ndoshta Kosovën edhe në OKB me një ulëse të vëzhguesit si ajo e Palestinës.

Fahri Xharra, 13.08.18
Gjakovë