Ministria e Ekonomisë ka shpalosur detajet e mbledhjes se Bordit të Telkomit për shkarkimin e menaxhmentit, ecuria e të cilit ka përfunduar në prokurori.

Në emisionin Raport të KTV-së Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari ka prezantuar një letër në të cilën përshkruhen detaje rreth incidentit në mbledhjen e bordit të Telekomit, disa javë më parë.

Hajdari ka thënë se situata ishte komplikuar kur kryesuesi i bordit kishte kërkuar një pauzë ndërsa bordi sipas saj kishte arritur të shpëtojë vetëm falë sekretarit të Telekomit, i cili u kishte ndihmuar të largohen nga objekti.

Në letrën që Hajdari ka prezantuar në Raport, përshkruhet dita kritike nga Fikrie Fejza, e cila është drejtoreshë e Njësisë së Monitorimit të ndërmarrjeve publike.

“ Ai (Istrefi) me tone të ashpra refuzoi të procedoi rendin e ditës, ku sipas tij ai rend do të përcaktonte fatin e tij. Duke u ngritur nga tavolina shkyçi pajisjet e incizimit dhe përplasi karriget dhe duke ashpërsuar zërin thërriste me zë të lartë “ Kush guxon të më shkarkoj mua të vendos për fatin tim dhe të më diskreditoj familjen time. A e dini ju nga cila familje vij?. Ai shqelmoi derën dhe kërcënoi të pranishmit se kurrë nuk do ta lejojë një gjë të tillë,” thuhet në letrën që Fejza ia kishte dërguar ministrisë së linjës.

Por, këto janë mohuar nga Bedri Istrefi i cili ka thënë se realiteti është i kundërt, pasi kërcënimi ka ardhur nga njerëz të Ministrisë së Ekonomisë, që ai i quan me “shirita të kuq”,
“ Bordi ka pasur të drejtë që edhe prej distancës t’i mbajë mbledhjet, me “konferencë call” t’i marrë vendimet dhe nuk kanë pasur nevojë të vijnë të xhirojnë filma hiç. Unë kam kërkuar që procesi ligjor të zbatohet dhe nuk ka pasur kërcënim. Në momentin kur unë kërcënoj.. ama këta nuk e kuptojnë as termin kërcënim, të gjithë vijnë nga fusha e jurisprudencës dhe nuk e kuptojnë termin kërcenim”, ka thënë ai.

Në këtë letër, Fejza kishte shprehur frikën e saj duke deklaruar se për të ishte skandaloze dhe e pa pranueshme veprimi i menaxhmentit të lartë të ndërmarrjes, i cili në fakt do të duhej t’i raportonte Bordit e jo ta kërcënonte.

“ Pas propozimit të kryesuesit të bordit, Genc Rraci për një pauzë dhe rikthim në mbledhje, ai, kryeshefi Istrefi, hapi derën e zyrës lidhëse që ndodhej prapa shpinës së kryesuesit, dhe lejoj që në sallë të hynin një grup njerëzish që kishin qëndruar prapa derës, të prirë nga një person tepër i ashpër, kërcënues dhe arrogant që bërtiste më zë të lartë “lirojini sallën dhe objektin e Telekomit dhe kush jeni ju që kërkoni të shkarkohet kryeshefi ynë”.

Këta akuzë Istrefi e ka arsyetuar me faktin se dera është e zyrës së tij dhe nga ajo derë ka hyrë dhe dal në çdo mbledhje të Bordit që kur është emëruar kryeshef.

“ Më vjen keq që ajo zonja ka ardhur e re dhe ambientin e Telekomit nuk e di dhe nuk i njeh njerëzit e ndërmarrjes. Kjo të jep me kuptu që ajo i ka marrë deklaratat e gatshme dhe i ka deponuar. Aty ka qenë një pjesë e menaxhmentit, drejtori i marketingut, i inovacionit etj. Ata janë njerëz të Telekomit dhe nuk janë të paautorizuar. Është fat që kemi kamera në çdo hapësirë dhe kjo mund të faktohet. Por kjo tregon se ata marrin urdhra nga partitë politike dhe kjo është e rëndë”, ka thënë Istrefi.

Qeveria tash ka deponuar në Polici kallëzimin penal për Istrefin, porse ai thotë se ende nuk është ftuar nga askush për të dhënë intërvistë.

Ndërkaq ka deklaruar se është duke i përgatitur dokumentet për të dorëzuar në prokurori kallëzimin kundër formës së shkarkimit të tij.