Është publikuar në Fletoren Zyrtare të qeverisë greke akti normativ mbi proçedurën e punësimit të punonjësve sezonalë nga vende të treta.

Akti normativ përfshihet nga një paketë e re ligjore mbi përballimin e pasonave të COVID-19 që është miratuar me proçedura urgjente.

Në aktin normativ nuk përshkruhen proçedurat sanitare si testi i koronavirusit, por sipas burimeve nga ministria greke e bujqësisë kjo do të përcaktohet në ditët e ardhshme.

Punonjësit sezonalë do të aktivizohen kryesisht në mbledhjen e frutave, një proçes ku vit për vit bujqësia greke ka nevojë për më shumë se 7,000 krahë pune dhe 95% e tyre vijnë nga Shqipëria.

Vitet e mëparshme këta kanë ardhur me vizë pune, ndërsa tani nuk do të kenë nevojë për vizë. Por që të vijnë në Greqi duhet që punëdhënësit të dërgojnë emrat dhe të dhënat e punëtorëve në Perferi dhe perferia do t’i dërgojë në pikat kufitare, me qëllim që të mos pengohet të hyjnë në shtetin grek.

Teksti i aktit normativ i botuar në Fletoren Zyrtare ka pikat si më poshtë:

Punëdhënësi që dëshiron të punësojë një qytetar të vendit të tretë që nuk është i detyruar të pajiset me vizë hyrjeje, mund të parashtrojë deri më 30 qershor 2020, duke anashkaluar legjislacionin përkatës, një kërkesë në shërbimin e shtetasve të huaj dhe emigracionit administratës së decentralizuar të vendbanimit me qëllim që të transferojë në punët sezonale të ekonomisë agrare.

Kërkesa në të cilën shkruhen të dhënat e indetitetit dhe shtetësia e qytetarit, dërgohet përmes një kompanie kurier ose me postë elektronike dhe shoqërohet nga:

a) Fatura e pagesës së paravolos (tarifës) 100€ për çdo shtetas të vendeve të treta që do të punësohet, tarifa kalon në favor të shtetit dhe nuk rimbursohet.

b) Deklaratë përgjegjësie e punëdhënësit se:

-Do ta punësojë shtetasin në fjalë për një periudhë të paktën 20 ditore që nga data e hyrjes së tij në territorin grek.

-Do të paguajë të gjithë kontributet për sigurime shoqërore.

-Do të marrë përsipër të gjitha shërbimet e parashikuara në rast se shtetasi i vendit të tretë deportohet për shkak të shkeljes së afatit të qëndrimit.

-Do të përmbushë të gjithë detyrimet e veta ashtu siç ato parashikohen nga ligji për hartimin e kontatës së punës të cilën, për shkak të kushteve emergjente, nuk mund të hartojë brenda afateve ligjore.

-Do t’i ofrojë shtetasit të vendit të tretë strehim në bazë të ligjeve në fuqi.

Shërbimet me qëndrim të administratës së decentralizuar, përderisa nuk përputhen kushtet e këtij ligji, miratojnë brenda 2 ditësh kërkesat dhe i dërgojnë në shërbimet kompetente të kontrollit të pasaportave të policisë greke me qëllim që të lejohet hyrja në Greqi e shtetasve në fjalë.

Plotësimi i kushteve të paragrafit 1 dhe 2 i ofron shtetasit të vendit të tretë të drejtën e punës si punëtor sezonal për aq kohë sa zgjat qëndrimi i tij, pa vizë hyrëse në vend.