Albin Kurti që mori shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, thotë se do të jetë ai kryeministri i ardhshëm që do të drejtojë edhe dialogun Prishtinë-Beograd nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në një përgjigje për gazetarët në Tiranë, ku mori pjesë në Samitin për Paqen në Evropën Juglindore, Albin Kurti tha se takimi i ardhshëm pritet të mbahet në pranverën e vitit 2020, përpara zgjedhje në Serbi. Nuk mund të prisni marrëveshje tha Kurti. Ne presim substancën e marrëveshjes , tha ai. Për Kurtin, është Serbia ajo që duhet të ndryshojë më shumë sesa Kosova sa i përket arritjes së marrëveshjes. Sa i përket heqjes së taksës 100 % të produkteve serbe në Kosovë, ai tha se kjo do të bëhet me kusht njohjen e reciprocitetit ekonomik dhe tregtar.

“Ne kemi nevojë për dialog me Brukselin dhe Beogradin. Do të takohem me pasardhësin e zonjës Mogherini, dhe dialogu i ardhshëm të mos dështojë. Për marrëveshjen me Serbinë, duhet të ndryshojë Serbia shumë më shumë se sa Kosova. Dialogun e ardhëm me Serbinë do e udhëheq unë. Pranverën e vitit të ardhëm dialog me Serbinë, para zgjedhjeve. Nuk mund të prisni marrëveshje, ne presim substancën e marrëveshjes”, tha Kurti.

Sa i përket marrëdhënies me Shqipërinë dhe takimit informal që Albin Kurti pati disa orë mbrëmjen e djeshme në zyrën e kryeministrit Edi Rama, kreu i Vetëvendosjes, tha se ai dhe Rama janë politikanë të ndryshëm por kjo nuk krijon asnjë ndasi në bashkëpunimin mes tyre për të mirën e qytetarëve të dy shteteve shqiptarë.

“Kosova dhe Shqipëria duan të ndërtojmë sa më shumë ura që qytetarët mos të jenë më të varfrit në Ballkan. Ne nuk kemi pasur marrëdhënie të çrregulluara ne jemi njerëz të ndryshëm politikanë të ndryshëm dhe duam të bashkëpunojmë që mospajtimet që kemi kurrsesi të mos rrëzojnë bashkëpunimin tonë. Ne jemi dy funksione për të bashkëpunuar për të mirën e qytetarëve”, tha Kurti.

I pyetur për min-shengenin e Ballkanit, kryeministri i projektuar i Kosovës u tregua skeptik: “Pres ta shoh një tekst se çfarë saktësisht nënkupton ai, se më shumë më ngjan me ide, sesa projekt në letër”

Një ministër i përbashkët shteti? “Ne kemi diskutuar për çështjet dhe temat që do bashkëpunojmë, organigramet e qeverive vijnë më vonë”, u përgjigj Kurti. Ai thotë se do të vijojë tradita e mbledhjeve të përbashkëta të qeverisë Shqipëri-Kosovë dhe se më e rëndësishme sipas tij është zbatimi i marrëveshjeve të arritura.

Padia që kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama i ka bërë ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, nuk ishte pjesë e këtij takimi, tha kreu i Vetëvendosjes.